2016-02-12 15:57:00

Dita XXIV Botërore e të sëmurëve në Rrëshen organizuar nga Caritasi dioqezan


Me 11 shkurt në qytetin e Rrëshenit, në Ditën e XXIV Botërore të të sëmurëve, Caritasi dioqezan i Rrëshenit, ka organizuar një ditë festive në vëmendje ndaj personave me aftësi ndryshe, të sëmurëve dhe të moshuarve të qytetit. Në orën 10:30 u kremtua Mesha e Shenjtë në sallonin e Kishës katedrale, udhëhequr nga shkëlqesia e tij, imzot Cristoforo Palmieri, i cili në predikimin e tij ka përcjellë ndjenja shprese dhe dashurie për të sëmurët dhe familjarët e tyre.

Pas Meshës, në procesion të gjithë kemi shkuar në Katedrale duke ju dhënë mundësinë të sëmurëve për të kaluar në Portën e Shenjtë në këtë Vit Jubilar të Mëshirës, të cilin vetë Papa Françesku e ka dashur. Më pas festa  e Ditës së XXIV Botërore të të sëmurëve ka vazhduar me një drekë të përbashkët vëllazërore, duke bashkëndarë së bashku disa momente argëtimi, ku atmosferën e kësaj feste e ka gjallëruar edhe këngëtari mirditor Gjin Dona, i cili vullnetarisht e me shumë dëshirë ka pranuar ftesën.

Dita ka qenë animuar nga vullnetarët e Caritas-it Dioqezan Rrëshen dhe nga të rinjtë e Famullisë kishtare.  Është një ndjesi e veçantë të kemi kujdes për personat në nevojë dhe t’ju dhurojmë atyre disa ditë ndryshe.

Kisha mendon për të sëmurët, e kërkon të mjekohen me dashuri e profesionalitet nga personeli mjekësor e paramjekësor i të gjitha strukturave shëndetësore. Pastaj të mos harrojmë ta kultivojmë në lutje shijen e sendeve të Zotit, të dëshmojmë se vetëm Zoti është forca jonë, në çfarëdo situate. Sigurisht, të sëmurët, provojnë brishtësinë e trupit, por ata mund t’u dëshmojnë të gjithëve forcën njerëzore e shpirtërore, duke treguar, se pasuria më e çmuar e jetës është Ungjilli, dashuria përdëllyese e Hyjit Atë e jo paratë e jo pushteti. Në të vërtetë, edhe kur një njeri, në logjikën e botës, është i rëndësishëm, ai nuk mund t’i shtojë as edhe një çast të vetëm jetës, kur i sosen ditët.

Shpesh jeta nuk na lejon t’i plotësojmë dëshirat e se duhet ta pranojmë brishtësinë tonë. Zoti ia beson çdo ditë Kishës të gjithë njerëzit, që vuajnë në korp e në shpirt. Përmes të sëmurëve na bën ta prekim me dorë mëshirën e Zotit për njeriun. Këtë na kujton shëmbëlltyra ungjillore e Samaritanit të Mirë, që kujdeset me dashuri për njeriun e vuajtur, duke i hedhur mbi plagë vaj e verë, për t’ia besuar, më pas, të zotit të bujtinës. Tani, pyesim: kush është i zoti i bujtinës? Është Kisha, bashkësia e krishterë, jemi ne, që ditë për ditë Zoti Jezus na i beson të vuajturit në korp e në shpirt, për të hedhur mbi ta, pa kurrfarë mase, gjithë mëshirën e Tij e shëlbimin e Tij.

Lutja për të sëmurët praktikohej që në kohët e Apostujve, duke i lyer me vaj, në emër të Zotit. Jezusi i mësoi dishepujt të kenë po atë kujdes, që kishte Ai vetë, për të sëmurët e të vuajturit e u transmetoi edhe aftësinë e detyrën t’u çojnë, në emër të Tij e sipas zemrës së tij, lehtësim e paqe, përmes hirit të posaçëm të Sakramenteve.

Kisha na kujton vlerën e afërsisë tonë te koka e të sëmurit, te koka e të moshuarit, me bindjen se po i afrohemi Jezusit. Ngushëllimi më i madh, buron nga fakti se është vetë Zoti ai, që bëhet i pranishëm përmes bamirësisë e dashurisë sonë njerëzore. Prandaj, Kisha uron e rekomandon që të sëmurët dhe familjet e tyre të ndihmohen sa më mirë në udhën e tyre jo të lehtë, si në nivel mjekësor, ashtu edhe ligjor .








All the contents on this site are copyrighted ©.