2016-02-12 13:35:00

85 vjetori i Radio Vatikanit: zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën


“Dëgjoni o Qiej ç’kam për të thënë: dëgjo o tokë fjalët, që më dalin nga goja. Dëgjoni e ndieni o popuj të largët”: me këto fjalë, të shqiptuara në latinisht, më 12 shkurt 1931, në orën 16.49, Papa Piu XI përuronte Stacionin e Radio Vatikanit, projektuar nga Guljelm Markoni. Kanë kaluar 85 vjet nga ai çast historik dhe emitentja vatikanase është zhvilluar e ka ecur përpara. Vërtet, sot, Radio Vatikani është një editor multimedial, që transmeton në pesë kontinente, në dhjetra gjuhë, duke filluar nga emisionet e lajmeve, në programet kushtuar veprimtarisë së Papës e të Kishës, në rubrikat për aktualitetin ndërkombëtar dhe për reflektimet kulturore e fetare e deri tek programet muzikore. E këtë e bën jo vetëm përmes valëve radiofonike, por edhe përmes internetit, rrjeteve shoqërore, publikimit të videove në web e përmes përhapjes digjitale të emisioneve. Kujtojmë se programi në gjuhën shqipe filloi transmetimet më 3 tetor 1951 e sivjet, edhe ne festojmë 65 vjetorin e themelimit.

“Periferitë”, në qendër të vëmendjes

Gjatë dhjetëvjeçarëve të historisë së saj, Radio Vatikani e ka ruajtur gjithnjë rolin si “zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën”, duke treguar kujdes të veçantë për periferitë gjeografike dhe ekzistenciale, kaq të dashura për Papën Françesku. Si të mos kujtojmë, për shembull, rëndësinë e saj gjatë Luftës II Botërore, kur transmetonte emrat e ushtarëve dhe të civilëve të humbur, në mënyrë që të kërkoheshin për t’u bashkuar me të dashurit e tyre. Të njëjtën gjë pati bërë, përmes programit në gjuhën shqipe dhe atij në gjuhën italiane, edhe gjatë luftës në Kosovë. Funksion jashtëzakonisht i vlerësuar, aq sa Dita e sivjetme e Radios, që do të kremtohet nesër, ka si temë “Radioja në çastet e emergjencës dhe të fatkeqësisë”.

Radio, mjet që favorizon jetën e bashkësisë

“Në mesin e rrënojave e para një gjendje emergjence – nënvizon drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bukova, në një mesazh për këtë Ditë – radioja është shpesh mjeti i parë për mbijetesën. Jetëgjatësia e saj sjell avantazhe, që s’kanë të krahasuar e, shpesh, arrin të transmetojë mesazhe më mirë e më shpejt se mas-mediat e tjera, duke shpëtuar jetë njerëzish”. Afërsia, thjeshtësia e kostoja e ulët, vijon drejtoresha e UNESCO-s, e bëjnë radion “mjet, që favorizon jetën në bashkësi, duke forcuar lidhjet shoqërore” e duke u dhënë mundësi, për shembull, familjeve të ndara ta përqafojnë sërish njëri-tjetrin e të rigjejnë shpresën.

Teknologji e përparuar: 2011, Vatican TIC

Gjithnjë e kujdeshme ndaj teknologjive të reja, në vitin 2011, me rastin e 80-vjetorit të themelimit, Radio Vatikani filloi një shërbim të ri, të ashtuquajturin Vatican TIC, fjalë e marrë nga anglishtja “Tagged Information Code”, ku tregohen edhe ora e koha, që përbëjnë bazën e agjendës së Papës. Pavarësisht nga emri, që duket i vështirë, sistemi është i thjeshtë, i konsultueshëm në internet e i organizuar mbi bazën e veprimtarive të Atit të Shenjtë. Duke klikuar mbi kalendar, mund të arrihet në informacionin, që i referohet një ngjarjeje të caktuar në agjendën e Papës, në audio, në formë të shkruar e në video. Në veçanti, Vatican TIC ofron mundësinë e ndjekjes së emisionit të drejtpërdrejtë audio e video për çdo ngjarje o kremtim të Papës.

2012: falë zhvillimit të internetit, u jepet fund transmetimeve në valë të mesme e të shkurtra

Falë këtij shërbimi të ri, nga 1 korriku 2012, Radio Vatikani nuk transmeton më në valë të mesme e të shkurtra për shumicën e vendeve në Evropë e në kontinentin amerikan, që mbulohen përmes internetit. Kjo është edhe rruga për t’u njohur me programet e Radio Vatikanit, megjithëse mënyra tjetër është ajo, që tashmë dëgjuesit tanë e përdorin për të dëgjuar programin shqip: ritransmetimi nga radio të tjera vendore. Programi shqip, për shembull, ritransmetohet nga Radio Maria. Edhe mesha e fundit e Papës Françesku në Meksikë, më 18 shkurt, në Ciudad Juarez, do të transmetohet nga Radio Vatikani, por do të merret edhe nga emitentet lokale, që do ta transmetojnë në valë të shkurtra.

2014: faqja e re e internetit

Në vitin 2014, falë rinovimit të faqes së internetit “radiovaticana.va”, ku janë përfshirë edhe platformat e rrjeteve shoqërore e disa shërbime të tjera, Radio Vatikani synon forcimin e zgjerimin e bashkësisë së dëgjuesve, që e zgjedhin si pikë referimi për informacionin mbi aktualitetin e Kishës e të Papës, por edhe të botës. Të ndryshme, mënyrat e transmetimit: valë herciane e digjitale (DAB e DAB+), satelit, internet, buletin në 10 gjuhë të ndryshme, Podcast i të gjitha programeve, app (aplikime për smartphone), Vaticanplayer. Si anëtare e Bashkimit Evropian të Transmetimeve (EBU), Radio Vatikani mban marrëdhënie të ngushta me radio e faqe të tjera interneti, kishtare e laike, e me emitente të shërbimit publik.

2015: Radio Vatikani flet gjuhën koreane

E jo vetëm kaq! Nga tetori i vitit 2015, në faqen e internetit është shtuar edhe gjuha koreane, duke e rritur në 39 numrin e gjuhëve të pranishme në radio (35 plus katër vetëm on line), shkruar me 13 alfabete të ndryshme. E pastaj, prania në Facebook, në Youtube, në Twitter, në Google+, si edhe në rrjete të veçanta për kinezët si Weibo, QQ e Youku. Pa harruar App (aplikime) për iOs, Android dhe Windows Mobile, përqendruar në agjendën e Papës, me një shërbim informativ të përditshëm në Top News, i cili azhurnohet disa herë në ditë.

Sekretaria për Komunikimin

Gjithnjë e vitit të kaluar, një risi tjetër. Më 27 qershor 2015, Papa Françesku themeloi, me Motu Proprio, Sekretarinë për Komunikimin, selia e së cilës ndodhet pikërisht në atë të Radios, pra, në Pallatin Pio. “Kuadri aktual komunikativ – shkruan Ati i Shenjtë në dokument – i karakterizuar nga prania e zhvillimi i mediave digjitale, nga faktorë konvergjence e ndërveprimi, kërkon të mendohet sërish sistemi informativ i Selisë së Shenjtë dhe na impenjon në riorganizimin e tij, i cili, duke vlerësuar gjithçka është zhvilluar historikisht brenda perspektivës së komunikimit të Selisë Apostolike, duhet të çojë me vendosmëri drejt integrimit dhe administrimit unik”.

Sfidat e reja

“Për këto arsye – nënvizon Papa Françesku – vendosa që të gjitha realitetet, të cilat, në mënyra të ndryshme, janë marrë me komunikimin deri tani, të bashkohen në një Dikaster të ri të Kuries Romake, që do të quhet Sekretaria për Komunikimin. Në këtë mënyrë, sistemi komunikativ i Selisë së Shenjtë do t’u përgjigjet gjithnjë e më mirë kërkesave të misionit të Kishës”. Kjo pra, sfida e re, që duhet të përballojë Radioja e Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.