2016-02-11 14:17:00

Reliket e Atë Piut dhe të Atë Leopoldit marrin rrugën e kthimit


Sot, reliket e Atë Piut e të Atë Leopoldit e lanë Bazilikën e Vatikanit, për t’u rikthyer në shtëpi: në San Giovanni Rotondo e në Padovë. Kremtimi i fundit zyrtar në Selinë e Shenjtë ishte ai i orës 7.30, kryesuar  nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri dhe koordinator i Komitetit vatikanas për Jubileun e Mëshirës. Gjatë homelisë prelati e kujtoi edhe një herë  Atin Mandiç si njeri, që e kaloi pothuajse gjithë jetën në rrëfyestore. Ndërsa, duke folur për atë Piun, theksoi fjalët e tij lapidare, kushtuar Kryqit të Krishtit: “E di mirë se Kryqi është peng dashurie, Kryqi është kapari i faljes. E dashuria, që nuk ushqehet nga Kryqi, nuk mund të jetë dashuri e vërtetë!”.

Në përfundim të kremtimit eukaristik, reliket e Atë Piut morën rrugën e kthimit në San Giovanni Rotondo, me ndalesë në Pietrelçinë, në Benevento e Foggia. Parashikohet të arrijnë në San Giovanni Rotondo të shtunën, më 16 shkurt.

E edhe reliket e Atë Leopoldit janë për udhë drejt Padovës, me disa ndalesa të shkurtëra, për t’iu përgjigjur kërkesave të besimtarëve gjatë rrugës.








All the contents on this site are copyrighted ©.