Papa Françesku shkoi, sot paradite, në bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’u lutur - sipas traditës, në prag të shtegtimeve të tij apostolike - para ikonës së Zojës “Salus Popoli Romani”(Shpëtimi i Popujve Romakë). Më pas shkoi edhe në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, me rastin e takimit të meshtarëve romakë për fillimin e Kreshëmve dhe rrëfei disa meshtarë.
Takimi i klerit romak pati karakter “pendestar”, shpjegon kardinali Agostino Vallini, në letrën e paraqitjes së ngjarjes, botuar në faqen e internetit të Vikariatit, për të provuar mëshirën e Atit e për të qenë edhe ne shërbyes të mëshirës, në bashkësitë, që na janë besuar”.
Takimin e kryesoi imzot Angelo de Donatis, drejtues i Shërbimit për Formimin e Përhershëm të Klerit. Si simbol kreshmor, lëmoshët e meshtarëve, që u mblodhën gjatë takimit, do t’i dorëzohen Karitasit dioqezan. Në përfundim të takimit, Papa u dhuroi të gjithë anëtarëve të klerit romak, librin e tij: “ Emri i Zotit është Mëshirë”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |