2016-02-11 14:11:00

Historiani Giovagnoli: me Kirillin, Papa i jep përparësi dialogut


Takimi me Patriarkun ortotodoks rus Kirill në Kubë tregon si punon Papa Françesku për të kapërcyer “kufijtë e vjetër”, duke lënë mënjanë çështjet që ndajnë, siç është tema e prozelitizmit, e duke theksuar deri në shkallën më të lartë temën e dialogut. Kështu e inkuadron historiani italian Agostino Giovagnoli, pedagog i historisë bashkëkohore në Universitetin Katolik të Milanos, takimin ndërmjet Papës Bergoglio dhe Patriarkut rus.

 “Natyrisht, kemi të bëjmë me një takim historik – thotë Giovagnoli për agjensinë e lajmeve ANSA – pasi bëhet për herë të parë e, megjithëse pritej e përgatitej prej kohësh, kjo ngjarje nuk ka vetëm vlera fetare, por edhe politike, sepse nënkupton ekzistencën e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Jo rastësisht bëhet në Kubë: nuk është Rusi, nuk është Itali, është krejtësisht jashtë kontekstit evropian”.

“Është thënë – shpjegon më tej historiani – se edhe presidenti Putin e përkrah këtë nismë. Me siguri është e vërtetë e kjo e rrit interesin gjeopolitik për takimin aq, sa Papa është distancuar disi, duke thënë se Rusia ka edhe interesat e veta. Sipas Giovagnoli-t, duhet nënvizuar “rëndësia e takimit brenda botës ortodokse. Në qershor do të mbahet koncili panortodoks në Kretë e kjo është, ndoshta, edhe arsyeja e përshpejtimit të veprimeve të Kirillit, dëshira e tij për t’u paraqitur në Kretë me këtë sukses, duke balancuar marrëdhëniet e mira që ka me Romën Patriarku tjetër ortodoks, Bartolomeu”.

“Ky objektiv ekziston – vëren historiani – por tregon edhe se ç’ndikim kanë nismat e Papës Françesku në shtëpinë e tjetërkujt. Me këtë mënyrën e tij të kapërcimit të kufijve, arrin të ndikojë edhe në favor të bashkimit ndërmjet ortodoksëve, që është i rëndësishëm për fenë, por edhe më shumë, për çështjen e paqes”. Giovagnoli reflekton mbi faktin se ky takim dëshirohet që prej njëmijë vjetësh e megjithëse u kërkua fuqishëm nga Shën Gjon Pali II e nga Papa Benedikti XVI, u arrit vetëm me Papën Françesku, nga njëra anë, e me Patriarkun Kirill, nga ana tjetër.

“Personaliteti i Papës Françesku, stili i tij i drejtpërdrejtë janë të rëndësishëm – pohon. Ati i Shenjtë Bergoglio nuk është as polak e as gjerman e nuk dëshiron aspak të ndërhyjë në zona të tjera. Kujtojmë se me Kishën ortodokse ruse nuk ka vetëm çështje teologjike, ka probleme që lidhen me të ashtuquajturin prozelitizëm katolik në Rusi e me Kishën greko-katolike. Janë dy elemente, që e penguan takimin me Wojtilën e me Ratzingerin, ndërsa Bergolgio thekson vazhdimisht se jo prozelitizmi, por dialogu është përparësi për të”.

Ç'rezultat mund të ketë takimi i dy liderëve fetarë? Giovagnoli hipotizon: “Dy gjëra. Në deklaratën përfundimtare do të shprehet vullneti dypalësh i bashkëpunimit për paqen në botë. Tjetra: solidariteti i përbashkët për të krishterët. Janë pika interesante, nëse shohim gjendjen në Lindjen e Mesme. Me një fjalë, takimi nuk do të ketë të bëjë edhe aq me aspektet teologjiko-fetare, mbi të cilat punon një Komision i përbashkët, që mblidhet periodikisht, por mendoj se efektet do të jenë më të shpejta për një botë, që afrohet e mund të bashkëpunojë”.

Ndërkaq, përsa i përket udhëtimit në Meksikë, pedagogu i Universitetit Katolik të Milanos vë në dukje etapën e Atit të Shenjtë në Ciudad Juarez. “Është tokë kufi ndërmjet veriut e jugut. Këtu shpërthen kontrasti ndërmjet botës së pasur e të fortë të SHBA-ve dhe asaj të varfër, të lënduar nga kriminaliteti e trafiku i drogës. Të bën përshtypje se si jeta e meksikanëve varet nga shumëkombëshet amerikane, ndërsa, njëkohësisht, tregu i drogës zgjerohet pikërisht në atë vend. Është kufi shumë i ndjeshëm, i rëndësishëm, por edhe i marrë, në një farë kuptimi. Besoj se Papa Françesku do të vërë në dukje këtë. Sot, pjesa më e madhe e popullsisë amerikane vjen nga vendet latine e veçanërisht nga Meksika. Mëse gjysma e katolikëve kanë origjinë amerikanolatine. SHBA-të duhet ta kenë parasysh këtë botë e muri, që ata kanë ngritur në këtë kufi, është përpjekje për të zgjidhur me forcë çështje, që forca, e vetme, nuk mund t’i zgjidhë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.