2016-02-11 14:23:00

3 vjet nga dorëheqja e Ratzingerit. Imzot Paglia: dashuri e lutje në Jubileun e Benediktit


Sot bie trevjetori i dorëheqjes së Benediktit XVI nga shërbesa papnore. Ishte e hënë, 11 shkurti 2013, dita kur papa Benedikti XVI njoftoi për gjestin epokal të dorëheqjes nga drejtimi i Kishës e bota nuk mund të besonte, mbeti pa fjalë, e habitur, ndoshta e tronditur. Joseph Rartzinger hiqte dorë nga misioni pjetrin. Gjest epokal, që sot mund të lexohet, duke u thelluar në domethënien e tij, falë Jubileut të Mëshirës. Folëm me imzot Vincenzo Paglia-n, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen:

Përgjigje: - Nuk ka asnjë dyshim se ishte një gjest i madh dashurie për Kishën, gjest i madh përvujtërie përballë këtij misteri kaq të madh, që feja e Benediktit XVI e shikonte me sigurinë e njeriut, i cili udhëhiqet nga Shpirti Shenjt. E ja pse kjo përmasë e mëshirës së Zotit, që mbështet Kishën, e shtyu, pikërisht për dashuri të Kishës, të hiqte dorë. Ndërsa e bëri edhe më të Shenjtë Portën Jubilare të Shën Pjetrit, kur Papa i nderit e Papa Françesku e kapërcyen së bashku.

Pyetje: - I preku të gjithë mënyra si e kapërceu Benedikti XVI, më 8 dhjetorin e kaluar, Portën Shenjte, si besimtar i thjeshtë. E kjo na kujtoi se Papa Benedikti, që nuk e shikojmë më në kremtimet, e jeton thellësisht Jubileun, gjë që e pamë në këtë çast prekës, në prag të Portës Shenjte…

Përgjigje: - Po, natyrisht. Por unë besoj se deshi, pikërisht me këtë gjest të dukshëm, t’u thoshte të gjithëve se Jubileu është një gjest feje e se ai e jeton thellësisht këtë përmasë shpirtërore, përmasë e epërsisë së dashurisë  e të lutjes, se nga paria e pasardhësit të Shën Pjetrit, ai kaloi në parinë e gjunjëzimit, të lutjes tek këmbët e Kryqit, duke e shkrirë kështu kohën, që i mbetet për të jetuar. Shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ata, që i afrohen çasteve të fundme të jetës së tyre mbi tokë. Vërtet, është bukur të plakesh kështu: duhen jetuar vitet e fundme në lutje e në meditim, në përpjekjen për t’ia hapur zemrën Kishës universale, madje mbarë botës. Papa Benedikti na tregon kështu, me jetën tij, “përshpirtërinë e njeriut të motuar”. 

 

Fjalët e fundit të Benedikti XVI thënë më 28 shkurt 2013: “Jam shtegtar i thjeshtë, që fillon etapën e fundit të shtegtimit të tij mbi tokë”.

 “Faleminderit, të dashur miq. Jam i lumtur që ndodhem mes jush, rrethuar nga bukuria e Gjithësisë, Krijim i Zotit, e nga simpatia juaj, që më bën shumë mirë. Faleminderit për miqësinë e dashurinë tuaj!” Këto qenë fjalët e para, që Benedikti XVI u tha besimtarëve më 28 shkurt 2013, që e kishin mbushur plot e përplot oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos.
“Ju e dini se kjo ditë e imja është e ndryshme nga të mëparshmet: do të jem Papë i Kishës Katolike deri në orën 8 të mbrëmjes, pastaj jo më. Tani, jam thjesht një shtegtar, që fillon etapën e fundit të shtegtimit të tij në këtë botë. Dua të punoj akoma me zemër, me dashuri, me lutje, me reflektime, me të gjitha forcat e brendshme, dua të punoj për të mirën e përbashkët, për të mirën e Kishës e të njerëzimit. Dhe e ndjej se simpatia juaj më mbështet. Të shkojmë përpara së bashku me Zotin, për të mirën e Kishës e të botës. Faleminderit
!”
Pas këtyre fjalëve, Papa Benedikti XVI u dha të gjithëve Bekimin e tij të fundit Apostolik, duke dalë nga skena në majë të gishtave, por pa zbritur nga Kryqi i Krishtit.

 

Papa Françesku: Benedikti XVI shembull i madh për ne si të veprojmë sipas ndërgjegjes e vullnetit të Zotit

"Benedikti XVI ‘na ka dhënë një shembull të madh të dëgjimit të ndërgjegjes personale e vendimit të marr së bashku me Zotin ‘ kur Hyji e bëri të kuptonte, në lutje, hapin që duhej të bënte”. Me këto fjalë Papa i ri Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 20 qershorit 2013 në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan ekzaltoi cilësitë morale të paraardhësit të vet, Benediktit XVI, i cili “e ndoqi me arsye të madhe e guxim – theksoi Ati i Shenjtë Françesku - ndërgjegjen e vet, do të thotë vullnetin e Jezusit në ndërgjegje”. “Shembulli u atit tonë  Joseph Ratzinger – përsëri Papa Bergoglio – na bënë mirë, pra çdonjërit prej nesh i bënë të ndiqet”. Kjo sepse ndërgjegjja, shtoi Papa Françesku, është caku shpirtëror i lidhjes sime me Zotin, që m’i flet zemrës e më ndihmon ta dalloj, ta kuptoj e ta zgjedh rrugën, që duhet të ndjek. E, si ta kem marrë vendimin, më ndihmon edhe të ec përpara, të mbetem gjithnjë besnik: “Ne kemi pasur një shembull të mrekullueshëm, që na tregon sesi është kjo lidhje me Hyjin në ndërgjegje, një shembull të freskët, të mrekullueshëm: Papa Benedikti XVI na e dha këtë shembull të madh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.