Praktikat kreshmore për traditën e krishterë janë 'armë' shpirtërore për të luftuar të këqijat e veset! Në ritet liturgjike të së Mërkurës së Përhime dëgjojmë përsëri ftesën për t’u penduar para Zotit, të shprehur përmes formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh!”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e të teksteve biblike dhe liturgjike, e Mërkura e Përhime quhet ‘porta e Kreshmëve”.
Leximet biblike të liturgjisë së kësaj dite, krijojnë atmosferën pendestare të
kësaj kohe të fortë, me ftesën biblike që Zoti e vë në gojën e Joelit profet: “Kthehuni
nga unë me gjithë zemër, me agjërime, me lot e vajtime; shqyeni zemrat e jo petkat;
kthehuni, sepse Hyji juaj është i butë e i mëshirshëm, i durueshëm e i dhimbshëm,
ndjen keqardhje për fatkeqësitë”.
Ftesa e Joelit ka vlerë edhe për ne e na fton si besimtarë të mos ngurrojnë për ta
gjetur sërish miqësinë e Zotit, të humbur për shkak të mëkatit, duke përsëritur kthesën
e Psalmit të madh pendestar: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar! Na e kthe sërish gëzimin
që ndjen njeriu i shpëtuar!”.
Më pas, me Shën Palin, liturgjia na përsërit ftesën “Ky është çasti i favorshëm, kjo
– dita e shpëtimit!”.
Liturgjia e së Mërkurës së Përhime na tregon pra se kthesa e zemrës tek Zoti është
përmasa themelore e kohës së Krezhmëve. E kjo thirrje ndjehet fuqimisht gjatë ritit
të përhirjes. E riti ka një kuptim të dyfishtë: lidhet me ndryshimin e brendshëm,
kthesën e pendesën dhe na kujton brishtësinë e njeriut”.
Kjo me pak fjalë është domethënien e liturgjisë së lashtë romake të së mërkurës së
Përhime. Kisha na kujton se, kemi dyzet ditë për ta thelluar këtë përvojë shpirtërore
asketike, duke bërë vepra dashurie të krishterë, do të thotë duke dhënë lëmoshë, duke
u lutur e duke agjëruar.
E agjërimi, për të cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë, nuk ka të bëjë me
arsye fizike ose estetike. Lidhet ngushtë me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin
e tij nga mëkati e nga e keqja; e edukon njeriun të çlirohet nga skllavëria e vetvetes,
e bën më të vëmendshëm në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbim të vëllezërve.
Për këtë arsye agjërimi dhe praktikat e tjera krezhmore, tradita e krishterë i konsideron
si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset. Ti jetojmë
40 ditët e Kreshmëve si dhuratë hiri të posaçëm të Zotit, si kohë të volitshme për
t’u kthyer tek Hyji e për të gjetur shijen, bukurinë, kuptimin dhe cakun e jetës.
All the contents on this site are copyrighted ©. |