2016-02-10 12:27:00

Papa Misionarëve të Mëshirës: mëkatarët e ndjejnë se Kisha është nënë


Rrëfyesit t’i mbulojnë mëkatarët me mbulojën e mëshirës. Kjo, figura që krijoi Papa gjatë audiencës së djeshme, në Vatikan, me Misionarët e Mëshirës, në prag të mandatit të tyre, që do ta marrin sot pasdite gjatë Meshës për të Mërkurën e Përhime, në bazilikën e Shën Pjetrit. Papa nënvizoi se rrëfyesit janë të thirrur të shprehin amësinë e Kishës dhe pohoi se nuk duhet përdorur çomanga e gjykimit për ta kthyer rishtas në vathë delen e humbur, por dëshmia dhe shenjtëria e jetës. Duke përshëndetur Papën, në emër të të pranishëmve, imzot Rino Fisichella e quajti Françeskun “misionari i parë i mëshirës”.

Të jesh Misionar i Mëshirës, do të thotë të jesh dëshmitar i afërsisë së Zotit e të duash, si di të dojë Ai i Lumi. Papa vuri menjëherë theksin mbi domethënien e kësaj shenje të posaçme të Jubileut. Ofroi, kështu, disa reflektime mbi mandatin e tyre, që të mund të kryhet në mënyrë koherente e si ndihmë konkrete për njerëzit, që do të shkojnë tek ata.

Me mëkatarët, të dëshmohet amësia e Kishës

Para së gjithash, tha Papa, dëshiroj t’ju kujtoj se në këtë shërbesë jeni thirrur të shprehni amësinë e Kishës:

“Nuk mund të rrezikohemi që një pendestar të mos e perceptojë praninë amëtare të Kishës, e cila e mirëpret dhe e do. Po të mungonte ky perceptim, për shkak të rreptësisë sonë, do të ishte një dëm i madh për vetë fenë, sepse do ta pengonte pendestarin të radhitej në Korpin e Krishtit”.

Në rrëfyestore, është vetë Krishti, që pret e fal

Ne, shtoi Papa, jemi të thirrur për të qenë shprehje e gjallë e Kishës  e cila, si nënë, mirëpret këdo, që i afrohet. Duke hyrë në rrëfyestore, duhet të kujtojmë gjithnjë se është Krishti, që pret, që pranon, që dëgjon, që fal, që jep paqe:

“Ne jemi shërbëtorët e Krishtit e të parët, që kemi nevojë të falemi prej Tij. E, sidomos, sido të jetë mëkati, që rrëfehet ose që pendestari nuk guxon ta thotë, por e lë të nënkuptohet, kjo mjafton e secili misionar është i thirrur të kujtojë jetën e vet mëkatare e të bëhet përvujtërisht kanal i mëshirës së Hyjit”.

Të dimë të depërtojmë në dëshirën e mëkatarit për falje

Papa kujtoi, më pas, rrëfimin e tij të 21 shtatorit 1953, kur ishte ende djalosh: e kujtoi si gurrë gëzimi, që e drejtoi gjithë jetën e tij kah Zoti. I inkurajoi, më pas, Misionarët e Mëshirës të dinë të shikojnë në zemrën e pendestarit dëshirën për falje: zemër, shtoi Papa, që e ndjen fort mallin për Zotin, për dashurinë e Tij e për shtëpinë e Tij. Pikërisht kjo dëshirë, pohoi, është fillesa e kthimit në rrugën e Zotit:

“Zemra drejtohet kah Zoti, duke e pranuar të keqen e kryer, por me shpresë për t’u falur. E kjo dëshirë forcohet kur njeriu vendos, në zemër të vet, të ndërrojë jetë e të mos mëkatojë më. Është çasti kur ia beson gjithë vetveten Mëshirës së Zotit, plot besim se Ai i Lumi do ta kuptojë, do ta falë, do ta mbështesë”.

Nga turpi, lind kthesa, rrëfyesi ta respektojë  

Papa u kërkon Misionarëve të Mëshirës t’i krijojnë shumë hapësirë kësaj dëshire për Zotin e faljen e Tij, të veprojnë në mënyrë që të ndjehet si shprehje e hirit të Shpirtit Shenjt,  i cili e shkakton kthesën e zemrës. Nganjëherë, vijoi, pendestari ka frikë ta thotë mëkatin, por kur nuk flet goja, flasin gjestet, flasin krahët e hapur, në kërkim të faljes:

“Nëse ndokush vjen tek ti, e ndjen se duhet ta çlirosh nga ndonjë barrë, por ndoshta nuk di si të shprehet, po ti e kupton… E është mirë, e thotë kështu, me gjestin e ardhjes e të gjunjëzimit në rrëfyestore”.

Më pas Papa u ndalua tek “turpi”, pjesë përbërëse me rëndësi të dorës së parë për kthimin në rrugën e Zotit: turp, si për atë që është bërë, ashtu edhe për faktin se duhet t’ia rrëfesh një tjetri:

“Turpi është një ndjenjë intime, që ka të bëjë me jetën personale e kërkon, nga ana e rrëfyesit, sjellje plot respekt e inkurajim”.

Të pranohet njeriu, me ligështitë e kufizimet e veta

Françesku kujtoi Biblën, në të cilën flitet për turpin e Adamit e të Evës, e edhe të Noehit, kur u deh e bijtë ia mbuluan trupin e zhveshur lakuriq, që t’i rikthehej dinjuteti i atit. Prej këndej, Papa theksoi edhe një herë rolin e meshtarit në rrëfim:

“Para nesh është një njeri ‘lakuriq’, edhe një njeri, që nuk di të flasë, as nuk di ç’të thotë, me ligështinë e kufizimeve të veta, me turpin se është mëkatar e nganjëherë s’di as ta thotë këtë. Të mos e harrojmë: para nesh nuk është mëkati, është mëkatari i penduar, mëkatari, që nuk do të dëshironte kurrë të ishte kështu, por që nuk mundet. Njeriu, që ndjen dëshirën e zjarrtë të mirëpritet e të falet”.

Të mbulohet mëkatari me mbulojën e mëshirës

Prandaj, vijoi, nuk jemi të thirrur të gjykojmë, me ndjesinë e epërsisë, si të ishim të mbrojtur nga mëkati. Nuk mund ta rikthejmë në vathë delen e humbur me çomangë, por me shenjtërinë e jetës, që është zanafilla e përtëritjes dhe e reformës në Kishë.

Besojini forcës së mëshirës e merreni mbi shpatulla mëkatarin, ishte porosia e fundit e Papës në këtë takim, në pritje të takimit tjetër, audiencës së sotme të përgjithshme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.