2016-02-10 15:29:00

Papa: Kreshmët, kohë për t'ua hapur zemrën të tjerëve


Sot, dita e parë e Kreshmëve, Papa Françesku kremtoi Meshën në orën 17.00 në Bazilikën e Vatikanit, me ritin e përhimjes dhe me dërgimin e Misionarëve të Mëshirës. Janë 1.000 misionarë, që vijnë nga kontinente të ndryshme. Në Romë janë të pranishëm rreth 700. Morën sot nga Papa mandatin, njëherësh me pushtetin për t’i zgjidhur edhe mëkatet e rezervuara për Selinë e Shenjtë.

Në homelinë e mbajtur gjatë këtij kremtimi, Papa Bergoglio kujtoi se Fjala e Zotit, në fillim të udhës kreshmore, i drejton Kishës dhe secilit nga ne dy ftesa. E para është ajo e Shën Palit: “Pajtohuni me Zotin!”. Por Zoti na drejton edhe një ftesë të dytë, kujtoi Ati i Shenjtë. Na e bën këtë përmes fjalëve të Shën Joelit Profet: “Rikthehuni tek unë me gjithë zemër!” (2,2). E nëse thuhet “rikthehuni”, kjo do të thotë se jemi larguar. Është misteri i mëkatit, që na largon nga Zoti, nga të tjerët e edhe nga vetvetja.

Rikthimin na e kujton Papa në këtë ditë, kur dëgjohet kudo formula e Kreshmëve: “Hi ke qenë e hi do të bëhesh”, që na kujton ardhmërinë e korpit tonë, por edhe të shpirtit, për të cilin Jezusi përuroi historinë e shëlbimit. Prej këndej, Ungjilli, që hap Kreshmët, na fton të jemi protagonistë, duke zgjedhur tre ilaçe, që e shërojnë njeriun nga helmi i mëkatit (cfr Mt 6,1-6.16-18).

Në radhë të parë, lutja, hapja e zemrës plot besim tek Zoti. Lutja është takim personal me Të, pa frikë e pa droje.

Lutje, pra e rikthim tek Zoti, në këto ditë pendestare, shoqëruar me ftesën: “Mos ikni nga drita! Kthehuni tek unë - na fton Zoti - me gjithë zemër; jo vetëm me ndonjë akt të jashtëm, por me gjithë thellësitë e vetvetes. Jezusi na fton ta jetojmë lutjen, bamirësinë e pendesën, pa u lëkundur, vërtetësisht, duke e mundur hipokrizinë, kujtoi Papa në homeli e në vijim uroi që Kreshmët të jenë kohë e përshtatshme për ta krasitur falsitetin, mendësinë e botës, indiferencën, për të mos menduar se gjithçka shkon si s’ka më mirë, për të kuptuar se ajo që vlen, nuk është miratimi i turmave, kërkimi i suksesit, por pastërtia e zemrës dhe e jetës. Për të rigjetur identitetin e krishterë, domethënë dashurinë që shërben, nuk na duhet egoizmi.

Prej këndej, Papa u drejtoi të gjithëve ftesën: “Të vihemi për udhë së bashku, si Kisha, duke u përhirë me sytë e ngulur tek i Kryqëzuari. Krishti, duke na dashur, na fton të pajtohemi me Zotin e të rikthehemi tek Ai, për të gjetur, kështu, vetveten”.








All the contents on this site are copyrighted ©.