2016-02-10 13:30:00

Papa Françesku takon kryeministrin e Irakut: të mbrohen pakicat


Papa Françesku priti sot paradite në studion e Sallës së Palit VI, në Vatikan, kryeministrin e Irakut, Haydar al-Abadi, i cili pastaj u takua me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, shoqëruar nga sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton Salla e Shtypit e Vatikanit – u përmenden marrëdhëniet e mira bilaterale, jeta e Kishës në vend, situata e të krishterëve dhe e pakicave etnike e fetare që jetojnë në Irak, me një referim të veçantë të rëndësisë që ka prania e tyre dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes të të drejtave.

Pastaj u përkujtua roli i dialogut ndërfetar dhe përgjegjësia që kanë komunitetet fetare për promovimin e tolerancës e të paqes. Në këtë kontekst, u fol mbi rëndësinë e procesit të pajtimit në zhvillim e sipër ndërmjet komponentëve të ndryshme shoqërore të vendit dhe mbi situatën humanitare kombëtare e rajonale”.








All the contents on this site are copyrighted ©.