2016-02-09 00:00:00

Papa së shpejti në Meksikë, shtegtim në zemër të Amerikës Latine


Shtegtim apostolik, që do t’i krijojë Papës kushtet të prekë të gjitha realitetet e Meksikës. Nga mbrëmja e 12 shkurtit, Françesku do të jetë në vendin latino-amerikan, ku do të rrijë deri më 17. Në qendër të vëmendjes, Mesha në Ciudad Juarez, disa dhjetra metra larg kufirit me SHBA. Shtegtimin e paraqiti në Sallën vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi.

Qyteti i Meksikos, trojet ku ndodhen indianët, veriu i karakterizuar nga dhuna e nga telat me gjemba, perde e hekurt, që e ndan nga SHBA. Papa do të takojë gjithë shpirtrat e këtij vendi vigan. Do të zhvendoset disa herë, me pesë papamobilë, gjë që të bën të mendosh edhe për turmat e pafundme të njerëzve, që do ta shoqërojnë e me të cilët do të takohet. Veprimtaria kryesore do të jetë vizita në Bazilikën e Zojës së Guadalupes, vend që Papa e  ka nderuar shumë gjithnjë, siç na e kujton edhe atë Lombardi:

“Ka folur për dashurinë e tij, devocionin e tij për Zojën e Guadalupes, për vetëdijen se ky devocion  është  tejet i shtrenjtë për meksikanët - e jo vetëm për katolikët - por për të gjithë meksikanët, latinoamerikanët e edhe amerikanët. Prej këndej, kremtimi i Meshës në bazilikën e Gudalupes është një çast i rëndësishëm i shtegtimit”.

Por e rëndësishme është edhe vizita në spitalin pediatrik, ku Françesku do të takohet me personelin e, sidomos, me pacientët e vegjël, disa prej të cilëve, të sëmurë rëndë. Vijnë, pastaj, takimet me familjet e me të rinjtë, me autoritetet e me klerin. Për t’u shënuar edhe Mesha me indianët në Chapas. Atë Lombardi na kujton se Papa ka autorizuar zyrtarisht përdorimin e gjuhëve indiane në Liturgji:

“Kjo Meshë u mendua posaçërisht për bashkësitë indiane të Chiapas. Është Mesha e së hënës të javës së parë të Kreshmëve, parashikuar normalisht nga liturgjia, por në të ka shumë elemente indigjene: lexime, këngë e pjesë të tëra të Meshës, në gjuhët vendase. Janë të paktën tri gjuhë vendase”.

Papa,  pastaj, do të kalojë një ditë të tërë në Ciudad Juarez, në veri, tokë e vështirë, plot me dhunë e zhdukje njerëzish. Do të vizitojë edhe burgun, ku do të takohet me 700 të burgosur, për të kremtuar, më pas, Meshën, nga tribuna, vetëm 80 metra larg kufirit me SHBA. Priten qindra mijëra vetë e, përtej gardhit të hekurt, domethënë në trojet e SHBA, rreth 50 mijë besimtarë të tjerë do të jenë aty, për të dëgjuar fjalët e Papës. Edhe një herë, atë Lombardi:

“Është etapë shumë e fortë, edhe në këndvështrimin e domethënies. Kujtojmë atë, që pati pohuar Papa, se do të hynte në SHBA nga Meksika. Fakti i kësaj pranie në vijën e kufirit, është një gjë që Ati i Shenjtë e kishte shumë për zemër. E kjo, nga që e di se ky është vend jashtëzakonisht kuptimplotë i problematikave shoqërore e njerëzore”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.