2016-02-09 12:33:00

Papa drejt Meksikës: kard. Parolin, të ngrihet zëri kundër së keqes


“Duhet dënuar korrupsioni e lidhjet ndërmjet disa strukturave të pushtetit me trafikantët e drogës”. Kështu shprehet Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në pragun e udhëtimit të Papës Françesku në Meksikë, duke nënvizuar rëndësinë e këtij shtegtimi papnor për mbarë Amerikën Latine.

“Udhëtimi i Papës Bergoglio në Meksikë – thotë kardinali Parolin në një intervistë për revistën italiane 'Famiglia Cristiana' – realizohet në kuadrin e Vitit jubilar të mëshirës. Siç tregoi vetë Papa, me një shprehje do të thosha poetike, udhëtimi synon të mbjellë farën e dashurisë përdëllyese në zemrën e njerëzve'”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujton se në Meksikë Papa Bergoglio do të takojë autoritetet civile, komunitetet vendase, do të shkojë në një spital dhe në një burg, do t’u flasë të rinjve, familjeve, botës së punës, priftërinjve, rregulltarëve e rregulltarëve.

Duke folur për problemet që ka vendi, siç është trafiku i drogës, kardinali Parolin kujton se ky fenomen “është një prej plagëve që ekzistojnë brenda kontinentit. Prandaj, para se gjithash, duhet ngritur zëri për të dënuar korrupsionin dhe lidhjet që ekzistojnë ndërmjet disa strukturave të pushtetit e trafikantëve të drogës, në mënyrë që ata të mos lihen të lirë e pa ndëshkim në veprimtarinë e tyre. Më tej, duhet vepruar në të gjitha fushat që lidhen me fenomenin, sidomos në edukimin dhe parandalimin e tij: duhet promovuar formimi në vlerat që i japin kuptim jetës, duhet rivendosur legaliteti e rendi, duhen formuar ndërgjegjet, që paralajmërojnë  rrezikun që vjen nga droga, duhet punuar në përmirësimin e realitetit shoqëror, siç është varfëria e papunësia, të gjithë këto e shumë të  tjera, janë shkaqe që duhen trajtuar. Kisha ka dhënë një kontribut të madh për të arritur deri te ky qëllim, e sigurisht, nuk do të mungojë as në të ardhmen” në këtë fushë, përfundon kardinali Parolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.