2016-02-09 12:10:00

Papa, Mesha me Kapuçinët; falja është përkëdhelje e Zotit


Jini njerëz, që dinë të falin, të pajtojnë, të sjellin paqen. E pohoi me forcë Papa sot paradite, në Bazilikën e Vatikanit, në Meshën me Kapuçinët e mbarë botës, ardhur me rastin e zhvendosjes së relikeve të dy shenjtorëve të Urdhërit Françeskan: Atë Piut e Atë Leopoldit Mandiç. Françesku nënvizoi: “Kur ndokush harron se ka nevojë për falje, dalngadalë harron edhe Zotin e, natyrisht, nuk di më as të falë”.

Në një Bazilikë të zhytur në lutje të thellë e në meditim frymëzues, Papa e përqendroi homelinë tek falja. Duke e marrë shtytjen nga Liturgjia e sotme, foli për dy mënyra sjelljeje; atë të përuljes para madhështisë së Zotit, që pasqyrohet në përvujtërinë e mbretit Salomon, e atë të meskinitetit të doktorëve të ligjit, që përkulen thjesht para normave e rregullave:

“Tradita juaj, e Kapuçinëve, është traditë e faljes, që jep falje. Ndërmjet jush ka shumë rrëfyes të mirë; janë kështu, sepse e ndjejnë veten mëkatarë”.

Kur ndokush harron se ka nevojë për falje, vërejti Papa, dalngadalë nis ta harrojë edhe Zotin, harron të lypë falje e nuk di më as të falë. I përvuajturi, nënvizoi, ai që ndjehet mëkatar, është falës i madh në rrëfyestore, ndërsa të tjerët u ngjajnë doktorëve të ligjit, që e ndjejnë veten krejtësisht të pastër, e, prej këndej, dinë vetëm të dënojnë:

“Po ju flas si vëlla, e përmes jush, dëshiroj t’u flas të gjithë rrëfyesve, në këtë Vit të Mëshirës posaçërisht: rrëfyestorja është bërë për të falur. E nëse ti, ta zëmë, nuk mund të japësh zgjidhjen, të lutem, mos përdor dajakun. Ai që vjen, vjen të lypë ngushëllimin, faljen, paqen e shpirtit; vjen të gjejë një atë, që e përqafon e i thotë: ‘Zoti të do!’”.

Të jeni burra të faljes, të pajtimit, të paqes, i ftoi kapuçinët Françesku, për të kujtuar, më pas, se sa herë meshtarët dëgjojnë fjalët: “Nuk shkoj kurrë më në rrëfyestore, sepse një herë më bënë këto pyetje…”. Më pas foli për takimin me një rrëfyes të madh, të aftë për të dalluar fjalët e gjestet, që kërkojnë falje. E ai e kupton thellësisht se kur njeriu gjunjëzohet në rrëfyestore, e bën këtë sepse ka një barrë në zemër e dëshiron ta shkarkojë, të lirohet prej saj. Ndoshta nuk di si ta shprehë, nuk di si ta thotë,  e atëherë e thotë me gjestin e afrimit tek rrëfyesi. Prej këndej, duhet kuptuar, pa pasur nevojë të bëhen pyetje:

“Falja është farë, është ledhatim i Zotit! Kini besim në faljen e Zotit. Mos bini në pelagjianizëm, e? Ti duhet të bësh këtë e këtë e këtë…”.

Papa kujtoi, pastaj, se rrëfyesit mund të jenë ose falës të mëdhenj, ose dënues të mëdhenj:

“O bën detyrën e Jezusit, që fal, duke dhuruar jetë, e lutesh orë e orë i ulur aty, si këta të dy, aty, ose bën detyrën e djallit, që dënon, akuzon”…

Këto, fjalët e porositë e Françeskut lënë kapuçinëve, në praninë e dy rrëfyesve të mëdhenj, që dinë të flasin e sidomos, të falin, edhe pas vdekjes, gjë që e dëshmon qartë dyndja e mijëra njerëzve, ndërmjet të cilëve, e kapuçinëve, për t’u gjunjëzuar pranë relikeve të tyre e për t’u pëshpëritur, në uratë, shqetësimet më të heshtura të zemrës njerëzore, me lutjen që t’i paraqesin para fronit të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.