2016-02-09 11:21:00

Londër. Kremtim në ritin latin, 450 vjet pas skizmës


Më se 450 vjet pas skizmës anglikane, Kapela Mbretërore e Hampton Court Palace të Londrës do të mikpresë përsëri një kremtim liturgjik, sipas ritit latin të Kishës katolike. Ngjarja historike organizohet falë bashkëpunimit të “Genesis Foundation” dhe “Choral Foundation”, dy ente që kujdesen për artin e artistët, të cilat deshën të lënë edhe një gjurmë të fortë ekumenike. Lutjet mbrëmësore, pothuajse plotësisht në latinisht, do të kremtohen nga kardinali Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminster-it, ndërsa i nderuari Richard Chartres, ipeshkëv i Londrës dhe dekan i Kapelës së Madhërisë së Saj, do të mbajë homelinë. Në mikrofonin tonë, kardinali Nichols flet për zanafillën e këtij kremtimi:

Përgjigje: - Like the events itself, and like much of our history…

Si vetë ngjarjet, e si pjesa më e madhe e historisë sonë, edhe kjo ka zanafillë të ndërlikuar. Mendoj se pjesërisht frymëzimi për organizimin e kësaj ngjarjeje vjen nga afrimi i 500-vjetorit të fillimit të Reformës. Pjesërisht pasqyron dëshirën për të gjetur një vend për zbulimin e muzikës së kësaj periudhe e, në anën tjetër, faktin se ipeshkvi i Londrës është edhe dekan i Kapelës Mbretërore të Hampton Court Palace, e, prej këndej, kemi një lidhje personale ndërmjet nesh.

Pyetje: - Kremtimi i Lutjeve mbrëmësore i kushtohet Shën Gjon Pagëzuesit, apo jo, e mbahet në gjuhën latine, për pjesët  kryesore të liturgjisë. A mund të na jepni ndonjë hollësi mbi këtë liturgji?

Përgjigje: - Well, it will just follow the normal form of Vespers…

Në të vërtetë ndjek formën normale të Lutjeve mbrëmësore, të njëjtave lutje, që i kremtojmë në katedrale çdo të diel. Muzika u zgjodh në përkim me historinë e “Chapel Royal”, e ky është një nga aspektet më prekëse të ngjarjes. Muzika është kryesisht ajo e Thomas Tallis dhe e William Byrd, kompozitorë të njohur ndërmjet shekujve XV e XVI. I pari lindi Tallis, që u bë, pastaj, kujdestar i Byrd. Që të dy i jetuan trazirat e fillimit të Reformës në vitin 1535 e, pastaj, edhe ato të dhjetëvjeçarëve të mëpasëm, kur situata në Angli ishte ende shumë pak e qëndrueshme. Ishte koha e refuzimit të papatit nga ana e Enrikut VIII, që i hapi portat një ndryshimi të madh kulturor, por imponimi i liturgjisë anglikane të reformuar u realizua gradualisht e, si Tallis, ashtu edhe Byrd, shkruan sa muzikë “katolike” aq edhe “anglikane”, edhe në gjuhën angleze. Mundën, kështu, të lëvizin nga njëri breg në tjetrin. Në një mori mënyrash, Kapela Mbretërore e jetoi këtë paqëndrueshmëri, këtë paqartësi, e edhe këtë dykuptimësi të epokës.

Pyetje: - Ka rëndësi të kujtohet  se  Chapel Royal quhet Kori, jo ndërtesa, quhen muzikantët, që ndiqnin sovranin, kudo që shkonte. E kështu, kjo Kapelë u bë pikë kyçe referimi për zhvillimin e traditës korale angleze…

Përgjigje: - Yes, that’s absolutely true. So the “Chapel Royal”…

Po, është absolutisht e vërtetë. Këngëtarët e “Chapel Royal” kanë kënduar në shumë vende e, në shumë nga këto vende, kujtohet thjesht si “Chapel Royal”. Me këtë fjalë kuptohet korpusi i muzikantëve: është absolutisht korrekt. Në këtë kuptim fakti që sot  kemi një traditë muzikore  që mbivendoset, është shumë i rëndësishëmn përsa i takon kërkimit të asaj, që kemi të përbashkët. Kujtoj, për shembull, se në një nga vizitat e Korit të Westmister Abbey në Vatikan, ky këndoi “Ave Verum” të Byrd, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Prej këndej, në këtë rast ishte kori i një kishe,  me rrënjët në reformë, që këndonte pjesë klasike të muzikës liturgjike romake në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në këtë kuptim, muzika mund të na ndihmojë të zbulojmë rrënjët tona e trashëgiminë tonë të përbashkët. E kjo ka shumë rëndësi.  








All the contents on this site are copyrighted ©.