2016-02-09 15:09:00

Komisioni për Mbrojtjen e të Miturve: forcohet angazhimi i Kishës


U mbajt këto ditë, në Romë, takimi i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, themeluar nga Papa Françesku në mars 2014. Në një komunikatë njoftohet se ndërmjet propozimeve, që do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ana e Papës, është edhe kremtimi i Ditës universale të Lutjes për viktimat e shpërdorimeve si dhe një liturgji pendestare.

Autoritetet kishtare t’u përgjigjen drejtpëdrejt viktimave të shpërdorimeve

I kërkohet, veç të tjerave, Françeskut, t’u kujtojë të gjitha autoriteteve kishtare se ka rëndësi të dorës së parë t’u përgjigjen drejtpërdrejt viktimave dhe të gjithë atyre, që mund të kenë pësuar shpërdorime. Nota flet edhe për  angazhimin e 6 grupeve të punës të Komisionit, të cilat kanë kërkuar edhe ndihmën e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Posaçërisht, njoftohet se sivjet programi parashikon krijimin e grupeve të punës, për të studiuar sesi mund të thellohet transparenca në proceset kanonike, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Është në fazën e realizimit edhe një  faqe interneti, për të njohur nga afër nismat më të frytshme në mbrojtje të të miturve.

Takime të Komisionit në mbarë botën, për të mbrojtur të miturit

Vitin e kaluar, lexohet akoma në komunikatë, Komisioni pati takime me ipeshkvijtë dhe autoritetet, që merren me mbrojtjen e të miturve në Austri, Filipine, Ishujt e Paqësorit, Zelandë të Re, Skoci, Poloni, Bregun e Fildishtë, SHBA. Si rezultat i takimit në Filipine, Konferenca ipeshkvnore vendase krijoi një zyrë për mbrojtjen e fëmijëve dhe botoi një Nxitje Baritore për kujdesin dhe mbrojtjen e të miturve. Muajt e ardhshëm janë në program edhe takime të tjera në Ganë e në Tanzani, ndërsa disa anëtarë të Komisionit do të marrin pjesë në Konferencën Anglofolëse të Mbrojtjes në Romë, dhe në një takim të nivelit të lartë në SHBA. Në vitin 2017, veç tjerash, është në program takimi me Federatën e konferencave ipeshkvnore aziatike.

Në Gregoriana, kursi i parë për të mbrojtur të miturit

Takimi i shtatorit 2016 i Komisionit, vijon komunikata, do të ketë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e fëmijëve të shkollave katolike e do të mbështetet edhe mbi kontributet e specialistëve nga Amerika Latine, Anglia e Uellsi. Së fundi, Komisioni shprehu vlerësimin e tij për njoftimin, sipas të cilit, në të ardhmen, në Universitetin Papnor Gregorian, do të hapet kursi i parë për mbrojtjen e të  miturve. 19 pjesëmarrësit në kurs do të vijnë nga 4 kontinentet: Afrika, Evropa, Amerika Latine e Azia.








All the contents on this site are copyrighted ©.