2016-02-09 12:38:00

Egjipt: Kisha kujton martirizimin e 21 koptëve në Libi


Dioqeza kopto-ortodokse e Samalot përgatitet të kremtojë kryevjetorin e martirizimit të 21 koptëve të mbytur mizorisht në Libi nga xhihadistët e Shtetit islamik. Kremtimet, njoftojnë burime egjiptiane, rimarrë nga agjencia Fides, do të arrijnë kulmin me Liturgjinë solemne, programuar për të martën, 16 shkurt. Para e pas kësaj Liturgjie, ipeshkvijtë e meshtarët do të kremtojnë meshë e do të mbajnë takime lutjeje e reflektimi në dioqezat, të cilave u përkiste pjesa  më e madhe e koptëve, viktima të vrasjes barbare, kryer në bregdetin libik e pasqyruar me një video në kanalet xhihadiste të internetit.

Emri Jezus ishte fjala e fundit e shqiptuar nga 21 martirët

Të 21 koptët qenë rrëmbyer në Libi, në fillim të janarit 2015. Videoja, në të cilën i shikojmë në aktin e tmerrshëm të prerjes së kokave, u vu në rrjet nga xhihadistët më 15 shkurt. Kjo video, pati njoftuar me këtë rast Anba Antonios Aziz Mina, ipeshkëv kopto-katolik i Guizeh, u krijua si një skenë e hatashme kinematografike, për të përhapur kudo tmerr. E pra, në këtë inskenim djallëzor tmerri gjakatar, shikojmë se disa nga martirët, në çastin e ekzekutimit të tyre barbar, përsërisin: “O Zot, Jezu Krisht!”. Emri i Jezusit ishte fjala e fundit, që doli prej buzëve të tyre, në sa u rrokulliseshin kokat nga duar kriminale. Ashtu si në mundimet e martirëve të parë të krishterimit, ia besuan gjithë vetveten Atij, që po i priste me krahë hapur në mbretërinë e dritës e të paqes. E kremtuan kështu, fitoren e tyre, fitore, që asnjë katil nuk mund t’ua mohojë!








All the contents on this site are copyrighted ©.