2016-02-07 15:14:00

Papa në Engjëllin e Tënzot lutet për Sirinë dhe për takimin me Patrikun Kirill


Takimi i ardhshëm me vëllain e dashur Kirill, Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë, me të cilin Papa do të bisedojë më 12 shkurtin e ardhshëm në Kubë, para se të shkelë në trojet meksikane; solidariteti bujar për Sirinë dhe popullsitë e saj të martirizuara nga lufta; përpjekjet e reja për t’u dhënë fund atentateve kundër jetës në shoqërinë tonë dhe turpi i trafikut të qenieve njerëzore; e akoma, urimi për qetësi e paqe drejtuar familjeve të Lindjes së largët, që po kremtojnë Vitin e Ri hënor… Këto, disa nga temat e prekura nga Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, në të cilën Ungjilli ndalohet tek thirrja e dishepujve të parë të Krishtit. Papa kujtoi, natyrisht, edhe figurat e rrëfyesve Shën Leopoldi e Shën Piu, reliket e të cilëve përbuhen këto ditë në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Vëllai i dashur Kirill

Në një Shesh të pushtuar nga turma vigane, shikimi i Papës përfshiu gjithë botën e sotme, plot me plagë, luftëra, shfrytëzim, por edhe plot me gjeste takimi, si ai që Françesku do të bëjë pas pak në Kubë, me atë, të cilin e quajti “vëllai i dashur Kirill”, Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë. Duke përshëndetur shtegtarët e pranishëm, Françesku iu drejtua edhe bashkësisë meshtarake të Kolegjit meksikan të Romës:

“Ju falënderoj për angazhimin tuaj që ta shoqëroni me lutje shtegtimin tim apostolik në Meksikë, të cilin do ta bëj pas pak ditësh e edhe takimin, që do të kem në Havanë me vëllain tim të dashur, Kirill”.

Solidaritet bujar për Sirinë

Mendimi i Françeskut, pastaj, shkoi tek Siria, për popullin e së cilës, të sfilitur nga luftimet e tmerrshme e të detyruar të marrë rrugët e mërgimit për të shpëtuar nga tmerret e luftës, kërkoi mbijetesë, jetë të lirë, dinjitet e paqe:

“Uroj që, me solidaritetin bujar, t’i jepet ndihma e nevojshme për të siguruar mbijetesën dhe dinjitetin, ndërsa i bëj thirrje bashkësisë ndërkomëtare të mos kursejë asnjë përpjekje për t’i sjellë me urgjencë në tryezën e bisedimeve palët në konflikt. Vetëm një rrugëzgjidhje politike  e konfliktit është në gjendje t’ia garantojë ardhmërinë e pajtimit e të paqes këtij vendi të dashur e të martirizuar, për të cilin ju ftoj të luteni shumë”.

Shoqëria të shërohet nga të gjitha atentatet kundër jetës

Në të dielën, kur Ungjilli na fton të reflektojmë për thirrjen e dishepujve të parë të Jezusit, Françesku u ndalua posaçërisht tek kërkesa  për “impenjim të ri në mbrojtje të jetës njerëzore, nga zënia, në perëndimin e saj të natyrshëm”, nga ana e subjekteve të ndryshme institucionale, edukative e shoqërore, të mbledhura bashkë në Ditën e sotme për jetën, kremtuar në Itali, sipas dëshirës së ipeshkvijve dhe të gjithë atyre, që angazhohen për të dëshmuar kulturën e jetës:

“Shoqëria jonë duhet ndihmuar të shërohet nga të gjitha atentatet kundër jetës, duke guxuar të shndërrohet shpirtërisht, gjë që dëshmohet edhe përmes veprave të mëshirës”.

Të copëtohen “zinxhirët” e shfrytëzimit e të trafikut

Mendimi i Papës shkoi, pastaj, tek ata, që i ndihmojnë skllevërit e rinj të sotëm për t’i copëtuar zinxhirët e shfrytëzimit e për ta rifituar lirinë dhe dinjitetin e tyre, lidhur edhe me Ditën e lutjes e të reflektimit kundër trafikut të njerëzve, që do të kremtohet nesër:

“Mendoj posaçërisht për shumë gra e burra, e edhe për shumë fëmijë! Duhet bërë çdo përpjekje e mundshme për ta zhdukur këtë krim e këtë turp të palejueshëm”.

Viti i Ri hënor

Më pas Françesku, pak ditë pas intervistës dhënë “Asia Times”, përmes së cilës i uroi popullit kinez dhe presidentit të tij Xi Jinping Vitin e Ri hënor, që bie nesër, i nxiti besimtarët e shumtë, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit t’i përshëndesnin me një duartrokitje, miliona burrat e gratë që, në Lindjen e  largët e në vise të tjera të botës, kremtojnë këtë festë:

“Të gjithëve u uroj ta kalojnë me qetësi e paqe në gjirin e familjeve të tyre, vend i parë ku jetojnë e ku transmetojnë vlerat e dashurisë e të vëllazërisë, të bashkëjetesës e të ndarjes së përbashkët, të vëmendjes e të kujdesit për tjetrin. Ju sjelltë Viti i Ri fryte dashurie, mëshire, solidariteti!”.

Ungjilli i së dielës

Në komentin e Ungjillit sipas Shën Lukës, Papa reflektoi për Jezusin, që i fton Simon Pjetrin  dhe peshkatarët e tjerë të Galilesë të dalin në det të hapur e t’i hedhin përsëri rrjetat. E, pas një nate fare pa fryt, shpjegoi, rrjetat u mbushën plot me peshq, “shenjë e mrekullueshme”, e cila i bën të kuptojnë ata, që do të ishin dishepujt e parë të Krishtit, se Jezusi nuk është vetëm mjeshtër i shkëlqyer, fjala e të cilit është e vërtetë dhe e fuqishme, por edhe se ai është Zoti, është dëftimi i Zotit. Por, vijoi Françesku, kjo prani kaq e afërt e bën Pjetrin ta ndjejë veten qyqar i shkretë, krejt i  padenjë:

“Në këndvështrimin njerëzor, mendon se duhet të ketë një farë distance ndërmjet mëkatarit e shenjtit. Ndërsa, në të vërtetë, pikërisht pse ishte mëkatar, Zoti nuk duhet të largohej prej tij, ashtu siç nuk mund të largohet mjeku nga i sëmuri”.

Jo prozelitizëm, por mëshirë

Jezusi i jep zemër Pjetrit, e nxit të mos ketë frikë, e siguron, shtoi Papa, se që nga ai çast e tutje, do të ishte peshkatar njerëzish. E kështu Pjetri me Jakun e Gjonin, shokët e tij të punës, lënë gjithçka e ndjekin Krishtin, duke mbështetur gjithë besimin në Atë, që bëhet mësuesi e Zoti i tyre:

“Kjo është logjika, që i prin misionit të Krishtit e misionit të Kishës: të shkojë në kërkim, “të peshkojë” burrat e gratë, jo për të bërë prozelitizëm, por për t’ua rikthyer të gjithëve dinjitetin dhe lirinë e plotë, përmes faljes së mëkateve. Ky është thelbi i krishterimit: të përhapë kudo dashurinë përtëritëse e pa shpërblim të Zotit, me sjellje mikpritjeje e  mëshire për të gjithë, që secili të mund ta provojë dhembshurinë e Zotit  e të ketë jetë të përkryer”.

Shën Leopoldi e Shën Piu

Në këtë perspektivë dhe në ditët kur në Shën Pjetër përbuhen përkohësisht reliket e dy rrëfyesve të mëdhenj, Papa mendon në mënyrë të posaçme për rrëfyesit:

“Janë të parët, që duhet të japin mëshirën e Atit, duke ndjekur shembullin e Jezusit, siç bënë edhe dy fretërit e shenjtë, atë Leopoldi e atë Piu”.

Gjurmët e Mësuesit

Në këtë Vit Shenjt të Mëshirës, kujtoi Papa, jemi të thirrur t’i ngushëllojmë ata, që ndjehen mëkatarë e të padenjë para syve të Zotit e të ligështuar nga mëkatet e tyre, duke u kujtuar të njëjtat fjalë të Jezusit: ”Mos ki frikë!”. Mëshira e Atit është më e madhe se mëkatet tua! Është më e madhe. Mos ki frikë!”.

Virgjëra Mari na ndihmoftë, përfundoi Papa, ta kuptojmë gjithnjë e më shumë se të jesh dishepull, do të thotë të shkelësh mbi gjurmët e Mësuesit, gjurmë hiri hyjnor, që ua ripërtërijnë jetën të gjithëve!








All the contents on this site are copyrighted ©.