2016-02-06 00:00:00

Shenjtorët e Javës 7 - 14 shkurt


E diel 7 shkurt, Kisha kremton të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, e po sot më 7 shkurt, kalendari përkujton edhe shën Rikardin meshtar e të Lumin Piun IX, papë. Liturgjia e kësaj së diele na flet për thirrjen e Hyjit: nga Izaia e deri te shën Pali, nga shën Pjetri e deri te apostujt tjerë. Nga thirrja kalohet tek misioni, ai i kumtimit të Krishtit dhe i Ungjillit e kështu njerëzit e thirrur prej Zotit bëhet “peshkatarë njerëzish”, deri në dhurimin e jetës.

Të hënën më 8 shkurt, kalendarit kishtar përkujton shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor qiellor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, dhe shën Jozefina Bakhitën, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e krijoi gruan e ia dha burrit me qëllim që të dy të jenë një trup i vetëm.

Të martën me 9 shkurt, kalendari përkujton shën Apoloninë. Liturgjia e kësaj dite na kujton thirrjen e Krishtit kur shëron shurdhmemecin: Effatŕ! Hapuni!. Kjo fjalë Hyjnore u thuhet të gjithë atyre që marrin pagëzimin. E Zoti dëshiron t’i hapim jo vetëm veshët dhe gojën, por sidomos zemrat, që në to të hyjë bota, të hyjë dashuria, të hyjë dialogu e sidomos, njohja e vërtetë e Zotit.

Të mërkurën që vjen me 10 shkurt, bie e Mërkura e Përhime, me të cilën Kisha e fillon kohën liturgjike të Kreshmëve. Kjo kohë liturgjike e shpirtërore është një rast i ri dhe i volitshëm për përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve. Me të Mërkurën e Përhime nisin edhe meditimet e kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të agjërojmë e të kthehemi në rrugën e Hyjit, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se për besimtarët e Mërkura e Përhime është ditë agjërimi e lutjeje

Gjithnjë më 10 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Skolastikën, virgjër, motër e Shën Benediktit dhe shenjtorët Zotikun, Gjaçintin e Amancin martirë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë.

Të enjten me 11 shkurt, sipas kalendarit liturgjik, Kisha katolike kremton festën e Zojës Lurdë. Liturgjia na kujton se Dhjetë urdhërimet e Tënzot përmbushen plotësisht në ligjin e dashurisë, që e solli Jezusi e se pikërisht mbi bazën e dashurisë do të gjykohemi!

Të premten me 12 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Saturninin me shokë, martirë të Abitenes, shën Benediktin e Aniane. Liturgjia e festës na çon në ditën kur Kaini ngriti dorën kundër të vëllait, Abelit. Është vëllavrasja e parë në historinë e njerëzimit. Na kujton se flijimi që i pëlqen më shumë Zotit, është dashuria e vëllait për vëllain, e njeriut për njeriun, larg çdo lakmie e përpjekjeje për ta ngritur lumturinë vetjake mbi fatkeqësinë e tjetrit.

Të shtunën më 13 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Martinjanin, e të Lumin Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan. Liturgjia e ditës na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfillur nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti.

Të dielën e ardhshme më 14 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 1-të të kohës liturgjike të Krezhmëve, e po këtë ditë më 14 shkurt, kalendari kujton edhe shën Çirilin, murg e shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë qiellor të Evropës si dhe shën Valentinin. Liturgjia e kësaj së diele na fton të besojmë në Jezusin në të cilin kemi burimin e jetës së re, e me Të dhe në Të mund të fitojmë mbi të keqen e ta asgjësojmë vdekjen, të udhëhequr nga forca e Shpirtit Shenjt.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.