2016-02-05 13:52:00

Takim historik: Papa Françesku e Patriku Kirill do të takohen më 12 shkurt, në Kubë


Papa Françesku dhe Patriku Kirill i Moskës dhe i gjithë Rusisë do të takohen, më 12 shkurtin e ardhshëm, në Kubë, ku Papa do të ndalet para se të vijojë shtegtimin drejt Meksikës e ku Patriku do të jetë për vizitë zyrtare. Njoftimin e japin, me gëzim, përmes një komunikate të përbashkët, Selia e Shenjtë dhe  Patriarkana e Moskës.

“Takim, që ndodh për hir të Zotit”, pohohet në komunikatën e përbashkët, e që do të përfshijë një bisedë personale pranë aeroportit ndërkombëtar Josè Martì të Havanës e do të përfundojë me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët”. Në një takim, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, lexoi pjesën qendrore të Komunikatës:

“Ky takim i Primatëve të Kishës katolike e të Kishës ortodokse ruse, i përgatitur prej një kohe të gjatë, do të jetë i pari në histori e do shënojë një etapë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave. Selia e Shenjtë dhe Patriarkana e Moskës, urojnë që të jetë edhe shenjë shprese për mbarë njerëzit vullnetmirë.  I ftojnë të krishterët t’i luten me gjithë shpirt Zotit, që ta bekojë këtë takim e që të ketë fryte të mira”. 

Patriku Kirill, saktësoi atë Lombardi, do të arrijë në Havanë të enjten, më 11 shkurt, për vizitë zyrtare: është vizita e tij e parë si patrik në Amerikën Latine: në Kubë, Brazil e Paraguaj. Në të njëjtën ditë, 11 shkurt, arrin në Havanë edhe kardinali Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.

Të premten, më 12 shkurt, Papa do të niset për shtegtimin në Meksikë, rreth orës 7.45, pak para orës së caktuar në program, ku parashikohej të nisej nga Roma rreth orës 12.30. Pas një udhëtimi prej 12 orësh e 15 minutash, do të arrijë në Havanë. Në orën 14.00, me orën vendase, do të jetë në aeroportin ndërkombëtar Josè Martì. Këtu Papa do të pritet nga nunci,  presidenti Raul Kastro e personalitete të tjera. Do të zbresë nga avioni e do të shkojë në një sallon për takimin e delegacioneve. Në orën 14.15 Patriku Kirill e Papa Françesku do të hyjnë në sallë për takimin privat. Dy janë çastet kryesore të kësaj ngarjeje historike: “Takimi privat i Papës me Patrikun dhe nënshkrimi i deklaratës së përbashkët”.

Salla është përgatitur enkas për dy krerët e Kishave, të cilët gjatë bisedimit privat do të shoqërohen nga metropoliti Hilarion dhe nga kardinali Koch. Dialogu do të bëhet në rusisht e spanjisht, me dy përkthyes, që flasin këto gjuhë.

Bisedimi privat, sqaron atë Lombardi, do të zgjasë disa orë.








All the contents on this site are copyrighted ©.