2016-02-05 11:57:00

Sot, në Shën Pjetër, reliket e atë Piut dhe të atë Leopoldit Mandiç


Mijëra besimtarë vijojnë, pa reshtur, të gjunjëzohen me nderim të thellë para relikeve të dy “Shenjtorëve të Mëshirës”, Shën Piut të Pietrelçinës, dhe Shën Leopoldit Mandiç, ardhur në Romë të mërkurën e kaluar. Sot, në orën 16.00, reliket do të shoqërohen me procesion nga famullia e Shën Shëlbuesit në Lauro, drej Bazilikës së Shën Pjetrit, ku do të arrijnë rreth orës 17.00.

Nesër, në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku do të presë në audiencë të posaçme anëtarët e Grupeve të lutjes së Atë Piut dhe punonjësit e Shtëpisë së Lehtësimit të Vuajtjes.

Në përfundim të një dite të tërë kremtimesh, mbrëmë, nga Bazilika e Shën Lorencit Jashtë Mureve të Romës, reliket e Shenjtorëve Piu e Lepoldi u mbartën, për herë të dytë, me nderimin që u bëhet burrave të shtetit, për të arritur në një nga kishat romake, ku ndalen gjithnjë shtegtarët, para se të vijojnë udhën drejt Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. Eshtë fjala për Kishën e Shën Shëlbuesit në Lauro. Duhet kujtuar se radhët, që i ndoqën reliket e Etërve të shenjtë, vijuan të zgjateshin e të zgjateshin vazhdimisht pas gjurmëve të tyre, qysh ditën kur u nisën për këtë shtegtim kaq të jashtëzakonshëm. E qindra të rinj e  pleq, gra e burra, nga Italia e mbarë bota, sidomos nga Evropa Lindore, i pritën në heshtje të thellë e në lutje, një herë në Bazilikën e Shën Lorencit, në Verano, pastaj në Kishën e Shën Shëlbuesit, në zemër të Romës e, sipas parashikmit, edhe sonte, në  Shën Pjetër.

Një tufë lule, një dorë e shtrirë mbi arkën e relikeve, kujtimi i një hiri të fituar, me ndërmjetësimin e Fratit rrëfyes, ardhur nga Gargano,  shenjtëruar nga Zoti e nga populli i Zotit, e po ashtu “pionierit të ekumenizmit” , “shërbëtorit heroik të pajtimit”, lindur në Dalmaci. Shpresa e lutje, nën kontrollin e hekurt të forcave të rendit, që e  ruajnë Rrugën e Pajtimit  e përgatiten ta mbyllin pjesën kryesore të qendrës historike. Procesioni  pritet të arrijë në tremen e Bazilikës së Vatikanit rreth orës 17.00. Për t’i pritur reliket do të dalë kryeprifti i Bazilikës, kardinali Angelo Komastri; e pastaj, Shenjtorët do të vendosen në navatën qendrore, para Elterit të Dëshmisë, për t’u nderuar nga ana e besimtarëve, që do zgjasë deri më 11 shkurt.








All the contents on this site are copyrighted ©.