2016-02-05 14:36:00

Kardinali Parolin u çon përshëndetjen e Papës refugjatëve të Dobovës, në Slloveni


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, vizitoi këto ditë Slloveninë, për hapjen e selisë së re të Nunciaturës Apostolike, që u përurua më 3 shkurtin e kaluar. “Nunciatura, theksoi prelati i lartë, është simbol, që flet për vazhdimësinë e rrugës së marrëdhënieve të mira me Slloveninë”.

Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së tij takoi edhe kryeministrin, Miro Cerar,  me të cilin bisedoi për krizën e emigracionit. U takua, pastaj, me Presidentin e Republikës, Borut Pahor.

“Të ofrojë një zë moral në marrëdhëniet ndërkombëtare, të kujtojë ekzistencën e vlerave trashendente e të mbrojë  bazat, mbi të cilat mbahet çdo shoqëri civile, siç është familja, që po i nënshtrohet presioneve të forta  nga ndërveprimi i ndërlikuar i forcave në botën e sotme”. Ky, një nga qëllimet e vizitës së kardinalit Parolin, shprehur  në fjalën e përurimit të  selisë së re të përfaqësisë papnore në kryeqytetin e Sllovenisë, gjatë të cilit vuri në dukje rolin në rritje të këtij vendi me traditë të krishterë, në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare.  Pastaj kardinali kremtoi Meshën  në katedrale, në përfundim të Vitit Shenjt të Jetës Rregulltare.

Vizitë në kampin e refugjatëve

Gjatë Meshës, duke iu drejtuar gjithë besimtarëve, e posaçërisht rregulltarëve e rregulltareve, kardinali Parolin i ftoi, përmes homelisë, të mos i humbasin nga sytë gjërat themelore, duke shmangur kështu rrezikun  e lënies pas dore të së rëndësishmes, për urgjenten. “Ndërmjet mijëra shqetësimeve, mijëra gjërave, që duhen bërë; mijëra interesave, që duhen mbrojtur, duhet ruajtur gjithnjë hapësira e nevojshme për ta ushqyer lidhjen personale me Zotin”, theksoi.

Pastaj, vizita në kampin e refugjatëve, në Dobova, ku u takua me familje siriane e irakiane si dhe me shumë të rinj nga Afganistani. Prelati i lartë u solli të gjithëve përshëndetjen atërore të Papës. Theksoi, më pas, se mbeti tejet i prekur nga ajo që pa dhe se e vlerëson shumë punën e kryer nga një mori organizatash, posaçërisht nga Karitasi. Në vijim pohoi edhe një herë me forcë se për ta përballuar fenomenin e ndërlikuar të emigrimit, duhet nisur nga solidariteti: duhet punuar së bashku, të bashkuar, sepse  vetëm nuk mund të zgjidhet asnjë problem, aq më pak problemi i mprehtë, që shqetëson sot mbarë njerëzimin. Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi edhe impenjimin e Papës Françesku për emigrantët dhe inkurajimin për të gjithë ata, që i ndihmojnë në mënyra nga më të ndryshmet. Kisha, përfundoi, nuk u jep qeverive rrugëzgjidhje teknike për këtë çështje, por u ofron parimet udhëheqëse, e, para së gjithash, parimin e solidaritetit.

 E pikërisht tema e emigracionit ishte edhe në qendër të takimit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me kryeministrin Cerar dhe të deklaratës së përbashkët pranë selisë së qeverisë sllovene. Tema, ripohoi prelati i lartë, ishte nga më të ngutshmet, më të rëndishmet e më delikatet, që duhet të përballojë mbarë bota.

Dëshiroj të njihem me përpjekjet, që po bën Sllovenia për të zgjidhur në mënyrë njerëzore e solidare çështjen, pikë mbi të cilën Papa ngulmon, duke iu kundërvënë kulturës së indiferencës e të hedhurinës, që krijon rrezikun t’i lërë mënjanë njerëzit më të ligshtë e më të pambrojtur. Nuk duhet lënë vetëm asnjë vend, nënvizoi kardinali Parolin:

“… por është fjala për t’u bërë bashkë. Evropa i ka burimet e edhe vlerat për të gjetur përgjigjen e përshtatshme për këtë problem”.

Të luftohet kundër varfërisë

Duke kërkuar të punohet për të zhdukur shkaqet e dyndjes së refugjatëve nëpër rrugët e botës, konfliktet e varfërinë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit vlerësoi, pastaj, lart marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Sllovenisë, ku Kisha Katolike ka shumicën e besimtarëve:

“Sa më shumë që shteti e Kisha të bashkëpunojnë, aq më tepër kjo do të shkojë në dobi të popullit e të shtresave më të ligshta e më të pambrojtura, pa i hequr asgjë asaj, që është tashmë shoqëria jonë pluralistike. Ky është fakt: shteti duhet të ketë marrëdhënie me të gjitha konfesionet fetare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.