2016-02-04 15:48:00

Përvjetori i Konferencës së Jalltës


Kujtojmë përvjetorin e fillimit të punimeve të Konferencës së Jalltës, ngjarje që pati pasoja të drejtpërdrejta mbi gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në Evropë e edhe në Shqipëri.

Konferenca, që mori emrin e Jalltës, vendit ku zhvillohej, filloi punimet më 4 shkurt 1945, për të përfunduar më 11 shkurt të njëjtit vit. Qenë mbledhur së bashku fitimtarët e Luftës së II Botërore: Presidenti i SHBA, Roosevelti, kryeministri britanit Churchilli dhe kreu i qeverisë sovjetike, Stalini. Qëllimi i Konferencës ishte formulimi i marrëveshjes mbi përfundimin e Luftës II Botërore e sidomos, përcaktimi i rendit të ri në Evropën e pasluftës. Tre të mëdhenjtë diskutuan për ndarjen e Gjermanisë në zona pushtimi si dhe vijat kryesore të qëndrimit ndaj gjermanëve, duke patur në qendër të vëmendjes çrrënjosjen e nazizmit, dënimin e kriminelëve të luftës, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe çmilitarizimin. Vendimin përfundimtar për të ardhmen e Gjermanisë do ta merrte Konferenca e Paqes, që do të mblidhej në një afat të pacaktuar.

Një nga problemet themelore ishte ai i fatit të vendeve të Evropës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Roosevelt-i e Churchill-i natyrisht nuk do të dëshironin që këto vende të përfshiheshin në sferën e influencës sovjetike, por nuk kishin as forcën materiale (ushtria e kuqe i kishte pushtuar pothuajse plotësisht) as atë morale (trupat angleze po i impononin me forcë Greqisë një qeveri konservatore, në kundërshtim me vullnetin e shumicës së popullsisë). Probleme të tjera të ndërlikuara diskutoheshin në Konferencë, që kishin të bënin me garancitë e kufijve të shteteve si Austria e Italia si dhe me frenimin e ndikimit rus mbi brigjet e Mesdheut.

Rezultati më pozitiv i Konferencës qe pranimi i planit të Roosevelt-it për krijimin e një organizate të re ndërkombëtare, themelimi i së cilës u caktua pastaj nga Konferenca e San Francisko-s më 25 prill 1945 në kartën e OKB-së.

Tre të mëdhenjtë e botës u ndanë me bindjen se kishin hedhur bazat e një marrëveshje afatgjatë, por s’do të kalonin as tre vjet e do të shpërthente një luftë me një emër të ri: Lufta e ftohtë, një ndër viktimat më tragjike të së cilës është Shqipëria. Megjithatë, e për fat të keq, zonat e influencës mbetën pak a shumë ashtu siç i pati caktuar kjo Konferencë, që po përkujtojmë sot.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.