2016-02-04 12:20:00

Papa: feja është trashëgimi më i madh, që mund të lëmë


Trashëgimi më i bukur, që mund t’u lëmë të tjerëve, është feja: këtë kujtoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në homeli, ftesa për të mos pasur frikë nga vdekja, sepse udha e jetës vazhdon.

Mendimi i vdekjes e ndriçon jetën

Leximi i parë i ditës flet për vdekjen e Mbretit David. Çdo jetë e ka një fund, nënvizoi Papa, e ky është një mendim që nuk na pëlqen gjithaq. Përpiqemi ta mbulojmë me heshtje, por është realitet i përditshëm. Të mendosh për hapin e mbramë, është dritë që ndriçon jetën tonë, realitet, që duhet ta kemi gjithnjë parasysh:

“Në një nga audiencat e së mërkurës, ndërmjet të sëmurëve ishte edhe një murgeshë imcake, e motuar, por me një fytyrë plot paqe e me sy plot me dritë. ‘Po sa vjeç jeni, motër?’. E ajo, me një buzagaz, që ia ndriste fytyrën: ‘83, por jam dyke e kryer shtegtimin tim mbi këtë tokë, për të filluar shtegtimin tjetër me Zotin, sepse vuaj nga kanceri i pankreasit’. E kështu, në paqe, kjo grua e kishte jetuar thellësisht jetën e saj të kushtuar. E po arrinte, pa pikë frike, në cakun e mbramë. ‘Po përfundoj udhën time të jetës, për të nisur një tjetër’. Vdekja është kalim. Ky mendim na bën mirë”.

Feja është trashëgimi më i bukur

Davidi mbretëroi mbi Izraelin 40 vjet: por edhe 40 vjetët kalojnë, vërejti Papa Françesku. Para se të vdiste, Davidi e porositi të birin, Salomonin, t’i bindej Ligjit të Zotit. Ai kishte mëkatuar shumë në jetën e tij, por kishte mësuar edhe të lypë përvujtërisht ndjesë, të kërkojë falje e Kisha e quan “Shenjti Mbret David”. Mëkatar, e megjithatë edhe Shenjt! Njeri, që në grahmat e vdekjes, i lë të birit trashëgimin më të bukur e më të madh, që një burrë a një grua mund t’u lërë bijve: i lë fenë”.

Kur bëjnë testamentin, njerëzit thonë: “Këtij i lë këtë, atij atë e atë…”. Po, nuk është keq, por trashëgimi më i madh, që mund të lërë një burrë, një grua, është feja. E Davidi në jerm kujton pikërisht premtimet e Zotit, kujton besimin e tij të patundur në këto premtime e ia kujton të gjitha këto të birit, që feja të vijojë. I lë trashëgim fenë. Kur, në kremtimin e Pagëzimit u japim prindërve qiriun e ndezur, dritën e fesë, e shoqërojmë me fjalët: “Ruaje, bëje të rritet në zemrën e birit tënd, bijës sate e lëre trashëgim”. Ta lësh trashëgim fenë: këtë na mëson Mbreti David e shuhet, kështu, si shuhet çdo njeri. Por para frymës së fundit di si ta këshillojë të birin e di edhe cili është trashëgimi më i mirë, që mund t’i lërë: nuk i lë mbretërinë, por fenë!

Zoti është besnik, është Atë e nuk të zhgënjen kurrë

Na bën mirë ta pyesim veten, përfundoi Papa: “Cili është trashëgimi, që lë me jetën time?”:

“Lë trashëgimin e një burri, të një gruaje të fesë? A ua lë të mive këtë trashëgim? T’i lypim Zotit dy gjëra: e para, të mos kemi frikë nga hapi i fundit, ashtu si murgesha imcake e së mërkurës, e bindur se po përfundonte një udhë, për të nisur një tjetër, më të mirë e krejt pa frikë; e dyta, të mund ta lëmë, me jetën tonë, trashëgimin më të mirë, fenë, fenë në Zotin besnik, Zotin që e kemi gjithnjë pranë, Hyjin, që është Atë e nuk të zhgënjen kurrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.