2016-02-04 14:39:00

Java botërore e harmonisë fetare


Nxitja në nivel botëror e dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet ndjekësve të feve e besojmave të ndryshme, është themelore për forcimin e harmnonisë ndërfetare dhe të bashkëpunimit ndërmjet popujve, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të ndërtuar kulturën e paqes e të tolerancës. Ky, objektivi i Javës botërore të harmonisë ndërfetare, themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, që kremtohet vit për vit në javën e parë të shkurtit.

Javë e ngarkuar me ngjarje kulturore e me fushata sensibilizimi

Me rastin e kësaj ngjarjeje, që sivjet nisi më 1 shkurt e do të përfundojë më 7 të muajit në vijim, Asambleja e Përgjithshme i inkurajoi të gjitha shtetet anëtare, organizatat ndërqeveritare e jo qeveritare, liderët e lëvizjeve ndërfetare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të përhapin mesazhin e harmonisë ndërfetare e të vullnetit të mirë në kishat e botës, në xhamitë, sinagogat, tempujt dhe vendet e tjera të kultit, secili sipas traditave të veta e bindjeve të veta fetare, edhe përmes organizmit të ngjarjeve kulturore ose fushatave të sensibilizimit.

Pjesëmarrja e Kaiciid

Në nismat e ndryshme për këtë edicion, merr pjesë, ndërmjet tjerësh, edhe Kaiciid, Qendra ndërkombëtare për dialogun ndërfetar e kulturor “Mbreti Abdullah Bin Abdulaziz”, themeluar më 2012 në Vjenë, nga Arabia Saudite, Spanja dhe Austria, me Selinë e Shenjtë në rolin e organizmit  vëzhgues themelues, për të përmirësuar bashkëpunimin, respektimin e larmive, drejtësinë e paqen.

“Mbrëmësore për paqen” në Vjenë

Java nisi të hënën, me  kremtimin e “Mbrëmësores për paqen”, në abacinë e famshme benediktine të Melkut, në Vjenë. Morën pjesë liderë fetarë austriakë, anëtarët e Trupit Diplomatik pranë OSBE-së  dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Më pas Kaiciid dhe ambasadori i Mbretërisë së Jordanisë, ftuan presidentin austriak Heinz Fischer të flasë për rëndësinë e dialogut ndërfetar në zgjidhjen e një mori problemesh që trondisin botën e sotme, duke përfshirë edhe krizën e refugjatëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.