2016-02-04 11:46:00

Figura poliedrike e atë Vinçenc Malajt


Figura poliedrike e atë Vinçenc Malajt, ofm. Në tetor të vitit 2010, më Mal Zi, misioni françeskan në Tuz, organizoi një simpozium shkencor, në qendrën polivalente kishtare, në Sukruç, mbi figurën poliedrike të atë Vinçenc Malajt, më rastin e 10 vjetorit të vdekjes. Në këtë simpozium shkencor u fol mbi kontributin e atë Malaj në fusha të ndryshme si në histori, arkeologji, folklor, poezi, art e teologji. Në vijim propozojmë kontributet e Gjovalin Çunit e Hasan Hasanit

 Kontributi i Atë Vinçenc Malajt 
Në vargun e albanologëve mendimtarë të kohëve moderne hyn edhe françeskani Atë Vinçenc Malaj.
Vepra e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, tanimë i është nënshtruar analizave dhe vlerësimeve shkencore. Vepra është përkthyer në shqip nga muzikologu u mirënjohur, studiuesi prof. Tonin Zadeja. Studiues të tjerë para Malaj-t, janë marrë me këtë ngjarje historike kishtare e kombëtare të shekullit XVIII, duke analizuar aspekte të veçanta, ku mbizotërojnë ato gjuhësore, ndërsa në veprën e tij, Malaj përpiqet të nxjerrë në pah vlerat e këtij Sinodi me karakter juridik - kishtar dhe doktrinar, në pikëpamje historike, linguistike dhe shkencore (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2000, fq. 264). 
Atë Vinkoja (sikurse e thërrisnin të gjithë me dashamirësi), ishte vazhdues i asaj plejade klerikësh, që deri në frymën e fundit të jetës së tyre menduan për dijen, librin, kulturën. Atë Gjergj Fishta, sipas bashkëvëllezërve të tij, ndërsa ndodhej në shtratin e vdekjes, në mënyrë të posaçme na linte porositë për Bibliotekën Françeskane, këndi më i dashur i jetës së tij, Atë Justin Rrota solli në Shqipëri të fotokopjuar në vitin 1929, “Mesharin” e dom Gjon Buzukut; Atë Vinçenc Prenushi i dha emrin dhe e përktheu; albanologu Atë Zef Valentini, italian me zemër shqiptare e shkriu vetën në biblioteka të ndryshme evropiane për të nxjerrë dokumente tepër të vlefshme historike etj. Kontributi i Atë Vinçenc Malaj-t në fushën e bibliotekarisë është i shumanshëm. Malaj krijoi vlera me të cilat duhet të krenohet shkenca shqiptare e bibliotekarisë.
Biblioteka personale
Detyra e klerikut dhe e dijetarit e detyruan atë të familjarizohet me librin. “Shpeshherë e kujtojnë bashkëvëllezërit françeskanë atë Malaj, që edhe bukë hante me libër në dorë. Në kishë, në bibliotekë dhe me njerëz kalonte pjesën më të madhe të kohës.” (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, fq. 254). 
Bibliotekat publike, si gurrë informimi janë të domosdoshme, por sado të pasura dhe komode që janë, ato nuk mund të zëvendësojnë bibliotekën e shtëpisë, nuk mund të japin gëzimin dhe intimitetin që të shkakton një libër i vjetër, një dokument i rrallë në duart tuaja. 
Nga vizitorë të ndryshëm, miq të Malaj-t marrin vesh diçka për bibliotekën personale dhe vlerat e saj. Studiuesi Klajd Kapinova, mik i Malaj-t na informon, se biblioteka e tij e vendosur brenda famullisë shërbente edhe si kabinet pune dhe kishte “disa mijëra e mijëra vëllime dhe tekste të lashta, që nga shekulli XII deri në ditët e sotme, tekste në pergamenë dhe libra të rrallë të shtypshkronjave evropiane të Mesjetës. Nuk mungonin mbishkrimet e lashta latinisht...” (Klajd Kapinova, Po aty, f. 255), ndërsa nga dr. Ahmet Osja, njoftohemi se librat e vjetër kanë qenë pasioni i tij i veçantë dhe më tej shton: “Është talenti dhe përkushtimi i tij, që e bëri të arrinte të kompletonte më së miri një bibliotekë të veçantë, jo vetëm për numrin e librave, por edhe për rëndësinë e tyre në famullinë e Tuzit” (Po aty, f. 257 - 258). 
Dashuria për librin nuk kaloi pa rënë edhe në sy të eprorëve të tij françeskan, të cilët e ngarkuan me detyrën e bibliotekarit në Kuvendin Françeskan të Kotorrit (1958 - 1962), në Bibliotekën e Kuvendit ‘Mala Braqa’ në Dubrovnik (1960 - 1966), censor librash në Tivar në vitin 1974.
Hulumtuesi dhe kërkuesi
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e Atë Malaj-t zunë edhe hulumtimet dhe kërkimet në bibliotekat e ndryshme të Romës, ish - Jugosllavisë, Evropës, SHBA-së etj., me rëndësi të veçantë për studiuesit e albanologjisë. Bazuar në të dhënat e autorëve të ndryshëm, për historikun e zhvillimit të gjuhës së shkruar shqipe, në vitin 1995, françeskani Malaj na jep informacion të saktë edhe për ekzistencën e bibliotekave mesjetare në hapësirën shqiptare, informacion i panjohur deri atëherë.
Duke analizuar kontributin e klerit katolik në shkrimet shqipe gjatë shekullit XII, Atë Vinçenc Malaj shkruan: “Qendra të fuqishme të administratës e kulturës, arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Dioklesë, Tivarit, Shkodrës dhe Shkupit...” (P. Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 280) dhe më tej, duke analizuar urdhërin e Dominikanëve, themeluar në Durrës më 1224 dhe të shpërndarë në anë të ndryshme të vendit, tërheq vëmendjen në shprehjen e famshme të arqipeshkvit të Tivarit Gugliemus Adae: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në tërë librat e tyre”. Megjithëse nuk shënon gjë në studimet e tij, Malaj, duket se bashkohet me faktin e pranuar edhe nga autorë të tjerë shqiptarë mbi qarkullimin e librave tek ne ende pa lindur shtypshkronja (Injac Zamputi, “Çështje të shkrimit dhe fillimit të letërsisë”, “Hylli i Dritës”, Tiranë 1995, nr. 1- 2, f. 27 - 30), si dhe shënon faktin që në Bibliotekën e Dominikanëve në Split (Kroaci), me tërheqjen e këtyre të fundit nga Shqipëria: ruhen 7 libra koralë (4 gradualë e 3 aniforë) shkruar me pergamen nga shekulli XV bashkë me shumë inkunabula të sjella prej Kuvendit të Durrësit përkrye Venedikut në vitin 1513”. (V. Malaj, “Të dhanat albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999). 
Ashtu siç vërente studiuesja Olga Peroviq, formimi i tij personal, interesimi për gjithçka, shëtitjet dhe studimet në qendrat më të zhvilluara të Evropës dhe sidomos zotërimi i disa gjuhëve të huaja evropiane dhe klasike, si: greqishtja e vjetër, e ndihmuan atë në fushën hulumtuese dhe kërkuese. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2000, f. 254).
Kulmi i kësaj veprimtarie u shënua në vitin 1968, vit në të cilin hapësirat shqiptare përgatiteshin për festimin e 500 - vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Në vitin 1968, në revistën “Shejzat” (Le Pleiadi), drejtuar nga shkrimtari prof. Ernest Koliqi, nr. 1 - 2 - 3, jep të dhëna rreth gjetjes në Bibliotekën Kombëtare të Romës të një vepre të panjohur të Gjergj Kastriotit, operën “Scanderbeg”, me libretë të Antonio Salvit, botuar në Firencë më 1718 dhe muzikë të kompozitorit të famshëm Antonio Vivaldi, luajtur për herë të parë në Firencë më 22 janar 1718, në teatrin Pergola. Zbulimi i nënshtrohet një studimi të thellë, jo vetëm letrar e historik, por edhe një analize muzikore, gjë që të lejon që të arrish konkluzionin që frati ynë kishte edhe njohuri të mira muzikore. 
Një vepër tjetër e rëndësishme e panjohur u publikua nga Malaj gjatë këtyre viteve. Është fjala për një tjetër operë mbi Gjergj Kastriotin, një tragjedi e gjetur në Bibliotheque de l’Opera dhe në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Opera është e vitit 1735 me libretë të autorëve La Mote - La Serre, dhe muzikantëve Rebel - Francuer. Ajo u luajt për herë të parë më 27 tetor 1735. Gjithnjë sipas shënimeve të Malaj-t, në njërën nga 33 shfaqjet e saj, në vitin 1763, ajo u shfaq në Chosy, Fontainebleau para mbretit Luigi XV dhe oborrtarëve të Versajës. (Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 25 - 26, 57, 63, 73).
Zbulimi i këtyre dy operave pati ngjallur zilinë e studiuesve shqiptarë, të cilët u përpoqën të përvetësonin mundin dhe djersën e klerikut. “E kemi fjalën, thotë studiuesi Willy Kamsi, ndër të tjera për studimin që i bani atë Vinçenci, operës së Antonio Vivaldit, kushtue heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skanderbegut. Tjetër kush e zbuloi, tjetër kush u frynte në Tiranë për këtë zbulim” (W. Kamsi, Artikull i cituar).
Fryt i kërkimeve të tij janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e urdhrit françeskan. Duke thyer kornizat e një akademiku, ai i kushtoi një kujdes të veçantë edhe hulumtimit të kulturës popullore në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në krahinën arbëreshe të Falkonarës, Itali. Kërkimet e tij i botonte në disa revista të dëgjuara të hapësirës shqiptare dhe në gjuhë të ndryshme, ku mbizotëronte italishtja dhe serbokroatishtja.
Biografi dhe recensenti
Vend të rëndësishëm në funksionimin normal të një biblioteke padyshim luajnë edhe biografitë dhe bibliografi, ose, thënë ndryshe, njeriu që harton një listë sistematike të publikimeve të llojeve dhe autorëve të ndryshëm, bazuar në argumentet e trajtuara.
Bibliografia shqiptare, ka fillimet e saj në vitin 1870 me filologun slloven Franc Mikloshiç, me veprën: “Elementet sllave në gjuhën shqipe”, botuar në Vjenë. Por siç shkruan prof. Jup Kastrati: “... botimet e mirëfillta bibliografike mbi vendin dhe historinë tonë, shfaqen me arkitektin Georg T. Petroviç. Libri i tij “Skënderbeu”, shtypur në Paris më 1881, është një sprovë bibliografike e arsyetuar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, shkruar në nëntë gjuhë”. (J. Kastrati, “Për një bibliografi shkencore albanologjike”, Tiranë 1996, f. 13).
Pa dashur të ndalemi te të gjithë bibliografët që trajtuan probleme shqiptare, duhet theksuar se atë Vinçenc Malaj OFM hyn në radhën e bibliografëve më të shquar shqiptarë, duke u radhitur në krah të Gj. Pekmezit, Lumo Skendos, J. Rrotës, K. Gurakuqit, Dh. Paskos, J. Kastratit etj.
E veçanta e bibliografive të tij qëndron në faktin, se i referohet direkt burimit origjinal, duke u përpjekur të shmangë burimet dytësore. Bibliografitë e tij kanë edhe shenja të origjinalitetit. Shpeshherë ato janë të formës biobibliografike dhe shoqërohen me anonime të shumta, siç ndodh me botimin e vitit 1979, “Shënime Bio-Bibliografike mbi Gjeçovin në 50 - vjetorin e vdekjes”. (V. Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 111).
Në përgjithësi, autori nuk ndjek rregulla fikse të përpunimit të bibliografive. Ai u shmanget atyre duke u përpjekur që të lehtësojë sa më tepër punën e studiuesve. Disa nga studimet e tij të veçanta, ndonëse nuk janë thjesht punime bibliografike, falë thellësisë së argumenteve, bazuar në një literaturë të bollshme, kanë shërbyer si burime të rëndësishme bibliografike, ku mund të veçojmë studimet: “Stefano Zanovich, un sedicente erede di Scanderbeg”, 1974 dhe studimin tjetër paraqitur në Mbledhjen e V-të të Studimeve Ndërkombëtare në Palermo (Itali), në vitin 1968, “Neccissità d’un coordinamento bibliografico castriotiano”.
Autori në këtë shkrim shpreh shqetësimin e mungesës së studimeve bibliografike mbi Gjergj Kastriotin në prag të 500 -vjetorit të vdekjes së tij. I pakënaqur edhe nga puna e bërë në këtë drejtim nga shkencëtarët shqiptarë, ai hedh idenë e hartimit të kësaj bibliografie dhe hartimin e saj bazuar në ndarjet:
1. Dokumente.
2. Punime historike:
a) bibliografi;
b) studime historiko - kritike dhe artikuj mbi Gjergj Kastriotin;
3. Vepra letrare:
a) poema e poezi;
b) drama dhe melodrama;
c) romane dhe novela;
4. Vepra operistike.
Gjatë shtjellimit të ideve të tij në këtë studim, ai u referohet 137 zërave bibliografikë dhe shumë fotografive e frontespiceve të librave të ndryshëm. Megjithëse kërkonte koordinimin e veprimtarisë shkencore në të dy anët e kufirit, duke kuptuar vështirësitë politike për realizimin e kësaj pune, albanologu Malaj, inkurajonte përpjekjet që bëheshin në Shqipëri për botimin e kësaj vepre, ashtu edhe siç hidhërohej për shtyrjet e pakuptimta të botimit.
Punimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi (1454 - 1835)”, arriti të botohej vetëm në vitin 1997. Punimi është realizuar nga Kasem Biçoku dhe Jup Kastrati. Ndonëse i ndërtuar në një formë krejt tjetër nga ajo çfarë propozoi Atë Vinçenc Malaj, në të zënë vend mjaft zëra bibliografikë të pasqyruar nga Malaj në punimet: “Un opera musicale francese del settecento su Scanderbeg”, “Necessita d’un cordinamento bibliografico castriotiamo”, botuar gjatë viteve 1968 - 1969 në numra të ndryshëm në revistën “Shejzat” dhe në Aktet e Konferencës së V Ndërkombëtare në Palermo (Shih Biçoku & Kastrati “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi 1454 - 1835” 1, Tiranë, 1997, f. 440 - 441).
Në vitet 1970 dhe 1985, kemi përsëri dy botime të albanologut Malaj, në njërën si bashkautor. Botimet pasqyrojnë punën shkencore të dy personaliteteve të shkencës albanologjike, italianëve Zef Valentini dhe Antonio Baldacci (1867 - 1950), “Bibliografia di Giuseppe Valentini”, që u botua në vitin 1970. Miqësia me pader Zef Valentinin, duhet të ketë qenë e hershme. Ndonëse jo e deklaruar në shënimet e tij, Malaj duhet ta ketë njohur apo edhe patur profesor Valentinin, gjatë kohës kur në Shkodër mësonte në Gjimnazin Klasik të Jezuitëve. Kjo miqësi u përforcua akoma edhe më tepër gjatë studimeve të Malaj-t për letërsi italiane dhe botërore në Universitetin e famshëm “La Sapienza”, Romë, më 1966, ku edhe diplomoi, duke fituar gradën shkencore “Doktor” dhe në komisionin e vlerësimit ishte dhe prof. pader Zef Valentini.
Gjatë qëndrimit në Itali Atë Vinçenc Malaj ishte anëtar i “Qendrës Ndërkombëtare për Studime Shqiptare”, pranë Universitetit të Palermos. Në “Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967” të kësaj Qendre, krahas shumë albanologëve të dëgjuar, mes të cilëve edhe pader Zef Valentini si nënpresident dhe drejtor i Qendrës, gjejmë edhe emrin e pader Vinçenc Malaj. (Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967, Palermo, 1967, f. 162).
“Padre Zef Valentini, shkruan atë Malaj, e dashuronte dhe vazhdon ta dashurojë Shqipërinë, tokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që e konsideronte atdheun e tij të adoptuar dhe ideal”. 
Bibliografia, është më tepër një listë librash, studimesh, artikujsh e recensionesh të renditura në mënyrë kronologjike sipas viteve të botimit. Autori Malaj, është i vetëdijshëm, se në të nuk janë përfshirë të gjitha botimet e Valentinit, por e botoi atë vetëm nisur nga vlerat albanologjike të lëndës së trajtuar.
Biografia e dytë: Antonio Baldacci (1867 - 1950), Bibliografski Vjesnik, God. XVI, Br. 1 Cetinje, 1985, është një bashkëpunim me Vukiq Puleviq. Ajo ka karakter bibliografik dhe pasqyron jetën dhe studimet e Baldaçit, botanistit të shquar, studiuesit të florës dhe veçorive të gjeografisë bimore të Malit të Zi, Shqipërisë, Greqisë, Kretës, etj. Në bibliografi jepen edhe zëra të ndryshëm që i përkasin etnografisë, toponomastikës, antropologjisë, historisë, arkeologjisë, etj. E reja që sjellin autorët në këtë bibliografi është “Literatura” mbi Baldaçin. 
Me intuitën e një bibliotekari të zellshëm, Malaj-n e vërejmë edhe në rolin e recensentit. Ashtu si paraardhësit, faqet e fletores “Shejzat” u përpoq t’i kthente në tribuna të mendimit albanologjik. E deshti albanologun Aleksandër Stipçeviç, jo se ishte thjesht një arbëresh nga Arbanasi afër Zarës (Kroaci), jo se e lidhte puna e bibliotekarit, por i vlerësonte përpjekjet e bëra përmes botimeve të tij, për të nxjerrë në dritë rrënjët e kombit. E vlerësoi dhe u bëri mjaft publicitet veprave të Stipçeviçit: “L’arte degli Illiri” (1963), “Gli Illiri” (1966), si dhe botimit që përgatitej të dilte: “Bibliografi ilirjane”.
Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari edhe për kulturën shqiptare.
Miku i të gjithëve
Kontributi i Atë Vinçenc Malajt ofm në fushën e bibliotekave qe i gjithanshëm. Përpos mundit dhe shpenzimeve materiale, ai i la bibliotekës shqiptare, veprën e tij, të përbërë prej 30 studimesh shkencore në fusha të ndryshme, disa kumtesa të mbajtura në Konferenca Ndërkombëtare, artikuj të shumtë që mbushën faqet e fletoreve më prestigjioze shqiptare në qendrat evropiane dhe në SHBA, materiale arkeologjike dhe shumë vepra arti, të cilat përbëjnë pjesën më të rëndësishme të kontributit albanologjik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Frati pat shumë miq. Lista e tyre është shumë e gjatë. Ata janë shqiptarë dhe të huaj; disa rrojnë akoma, të tjerët ashtu si edhe Malaj, kanë vdekur për t’u bërë të pavdekshëm. 
Ambientet shkencore e vlerësuan punën e tyre. Shpërblimet e mirënjohjet nuk u munguan. Në vitin 1999, për kontributin e madh të dhënë në fushën e kulturës, si albanolog i shquar dhe i palodhur, nga Akademia malazeze u vlerësua me titullin e lartë “Akademik”. Ishte themelues dhe Kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore “Don Gjon Buzuku” në Ulqin dhe Tuz, anëtar i Shoqatës “Illyricum” në Tuz dhe i asaj “Matica Cernagorska” në Cetinë, profesor i lëndës së historisë së Krishterimit në Shqipëri, në Seminarit e Lartë të Filozofisë e Teologjisë në Shkodër.
Atë Vinçenc Malaj ndërroi jetë në vitin 2000 në kulmin e veprimtarisë së tij shkencore. Studiues të ndryshëm, shënojnë shumë vepra që kanë mbetur në dorëshkrim, ku veçojmë: “Bibliografinë e plotë të punimeve të Atë Zef Valentinit” në bashkëpunim më studiuesin shkodran Willy Kamsi, “Seria e dorëshkrimeve të shkruara në gjuhën serbokroate”, “Bibliografia për martirët e krishterimit në trojet iliro-shqiptare”, një bibliografi prej 250 zërash, për të cilën vetë Malaj deklaronte: “Kjo është vepra ime më e madhe e jetës”. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, f. 256).
Pasioni i Akademik Profesor Atë Vinçenc Malaj OFM ishte Ungjilli e shkenca, frymëzimi i tij qe përjetësisht feja në Jezu Krishtin.
“... feja në Zotin është ajo që e fisnikëron më shumë jetën e njeriut, ajo të mbron dhe të ngushëllon në çdo moment të vështirë të jetës”, deklaronte ai.
Nga Gjovalin Çuni
 

Libri  poetik  “Papërdhokë e gurë faqokë” , i P. Vinçenc Malaj,    botoi “Misioni Françeskan”, 2010, Tuz

Nga Hasan Hasani

P. Vinçenc Malaj (1928-2000) lindi në Lajre të Krajës, rrethinë e Tivarit, meshtar i devotshëm deri në frymën e fundit në Tuz, i shkolluar në Tivar, Shkodër, Split, Pazin, Troshan, Dubrovnik, Zagreb dhe Romë ku edhe u doktorua në lëmin e historisë në temën “Kuvendi i Arbnit 1703” – në radhë të parë është i njohur si historian, shkencëtar, studiues, predikues, piktor, skulptor, etnolog, mbledhës folklori dhe poet, fusha këto që botoi vepra që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e shkencës dhe të kulturës në përgjithësi.

P. Vinçenc Malaj, si një intelektual i nivelit europain   lëvroi shumë fusha të dijes, por ndërsa   i botoi ato në disa libra  sa ishte gjallë,  veprën e vetë poetike “Papërdhokë e gurë faqokë” nuk arriti ta botojë sa ishte gjallë (mbet në dorëshkrim), e cila dhjetë vjet pas ndarjes së tij nga kjo jetë, e përgatitën për shtyp dhe redaktuan P. Pashko Gojçaj dhe P. Mirash Marinaj, duke plotësuar kështu amanetin dhe dëshirën e P. Vinçenc Malajt me të cilën iku në botën e amshueshme. Vëllimi poetik “Papërdhokë e gurë faqokë” ka gjithsej 38 vjersha (35 në gjuhën shqipe dhe 3 në atë italiane, njëra prej tyre të trijave e dhënë paralelisht në italisht dhe shqip), të shkruara në varg të lirë, pra në varg të bardhë. Për lexuesit duhet ta shpjegojmë titullin e librit, meqë fjala papërdhokë i përket të folmës së Malësisë së Madhe që do të thotë: guralec, ndërsa gurë faqokë, dihet, gurë të lëmuar. Pra, kjo tregon sa është i lidhur ngusht poeti me vendin e vet, me atdheun, ku “balta asht ma e ambël se mjalta”, mendim ky i njohur nga rilindasit tanë. Këto poezi i përshkon mendimi dhe shpirti kombëtar, që shpirtin e poetit gjithmonë e kanë mbajtë gjallë, e kanë frymëzuar përjetësisht dhe përshpirtshmërisht. Në këto spikat dashuria e thellë për vendin, për Malësinë e Madhe, për gurë e papërdhokë, për lumenjtë (Cemin) dhe viset që e rethojnë këtë trevë ku lindi, jetoi dhe punoi si meshtar deri në frymën e fundit. Vjershat e P. Vinçenc Malajt e kanë bukurinë e vet, freskinë e bjeshkëve që ngritën lart mbi vendlindje, kthjelltësinë e lumenjve dhe ujëvarave të rrëmyeshme që zbresin gurëve faqokë të faqeve të bjeshkëve. Kjo, siç pohon edhe miku im Ëilly Kamsi në parathënien e këtij libri, paraqet bindshëm idealin e poetit dhe njeriut, të dashurit të Hyut, ku thotë: “Edhe njiherë shohim afrim e pajtim të plotë me atë binomin e amshuem “Fe e Atdhe”, që u prini sivëllazënve të tij gjatë qindvjeçarëve që kaluen, binom në të cilin Feja simbolizon trashigimninë e lashtë që nisë me të kaluemen, jeton në të tashmen e do të vijojë në amshim, Atdheukombin tonë, atë që na vëllaznon, pamvarsisht prej besimit, ashtu sikurse 28 Nandori asht e vetmja datë, e vetmja e kremte që na bashkon”. Hyrjen për këtë shkrim rreth këtij libri do ta bëj me vjershën “Autoportret” e renditur në faqe 27 të librit. Zakonisht, librat e poetëve të cilët shkruajnë ndonjë varg, strofë a vjershë për veten duke dhënë autoportretin e vet fizik apo poetik, u paraprijnë librave, gjë që në vëllimin poetik të P. Vinçenc Malajt nuk e gjejmë. Në të vërtetë, libri “Papërdhokë e gurë faqokë” u botua dhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të poetit, andaj edhe kjo nuk është bërë nga përgatitësit dhe botuesit, sigurisht duke i mbetur besnikë renditjes që (ndoshta) ka lënë autori. Sido që të jetë vjersha “Autoportret” edhe pse e shkruar me një gjuhë të thjeshtë, pa bërë portretizimin klasik të karakkterit dhe të virtyteve të P. Vinçenc Malajt, prapseprapë (për ata që e kanë njohur), kanë mundësi ta shohin si në pasqyrë portretin e këtij meshtari dhe poeti të devotshëm, siç janë këto vargje: “Akulli i xhamit t’kristaltë / ka me e reujtë, tham, / përfytyrimin tem / të rravizuem / si n’afrresk me ngjyra / edhe mbas vdekjes / si ma të bukurën rrenë, / n’album, / mos t’hupi n’ankth”. Dhe poeti, përkundër kësaj, vjershën e mbyll me optimizëm siç janë këto vargje të përjetësisë: “Jam i bindur se / edhe n’amshim / do të takoj në ndonjë / buzëqeshje!”

Mirëpo, libri “Papërdhokë e gurë faqokë” i P. Vinçenc Malajt hapet me vjershën “Cemi”, një lum ky i njohur edhe historikisht, madje e gjejmë edhe të vargjet e të madhit P. Gjergj Fishta (në “Lahutën e Malcis”), lumë me ujë të ftohtë (cemtë) prej nga edhe rrjedh emri i tij, lum që jo vetëm P. Vinçenci i kushtoi vargje nga shpirti, lumë ky i rrallë dhe me bukuri të amshueshme që mbërthen në vete rrugëtimin i tij nëpër bukuritë dhe ashpërsitë e kanioneve, e që poeti  pa dyshim së i këndoi me tërë afshin e zemrës, duke e paraqitur këtë bukuri natyrore  me të gjitha cilësitë që ia ka dhuruar natyra. Poeti duke kënduar për këtë lumë, zhytet edhe në historinë e lashtë të tij, andaj vargjet rrjedhin natyrshëm: “Shekuj e shekuj me radhë / Rrjedh Cemi mahnitshëm, / herë gjëmon furishëm, / herë dalë-kadalë, / por gjithmonë i cemtë / e i fresktë / e pa u ndalë... / rrotullon papërdhokë lara-lara / e gurë faqokë e zall...”. Pra, ky është Cemi plot pellgje, ujëra të kthjellta si loti, aty ku kanë shuar etjen edhe mbretërit ilirë Genci dhe Teuta, lumë ky që gjarpron nëpër Tërgajë, Milesh e Dinoshë, ku malësoret kanë pastruar rrobat e trimave të Malësisë së Tuzit, pse jo edhe të Malësisë së Mbishkodrës, ato xhubleta të leshta, brigjeve të të cilit kullosnin dhe mrizonin bagëtia nën hijen e shelgjeve të shpeshta, ku mjellmat e gugutat ndërtuan çerdhet e veta, aty ku shëndrit hana si drapën i argjendtë, për ta përmbyllur këtë vjershë me vargjet: “Edhe jeta, si koha / rrjedh rrëmbyeshëm / e vrapon si ujtë e Cemit, / frigueshëm si ditët e dashtënisë, / si meteortë; / herë dalë-ngadalë / majtas e djathtas, / ajo rrjedh veç njiherë / e nuk mund të përsëritet, / nuk këthehet dalë / Ajo asht mister”.

Poeti P. Vinçenc Malaj është i lidhur me mish e shpirt, me trup e gjak, me vendlindjen, me natyrën e saj të ashpër krijuar para mijëra e mijëra vjetësh pikërisht nga natyra, ku dominon guri. Dhe pikërisht ky guri u bë objekt frymëzimi duke i kënduar nga vjersha në vjershë, nga vargu në varg. Poeti fillon vjershën: “L’esser di sasso” (Mikelangjelo) me sinonimin e qëndresës nëpër shekuj, siç është guri, pjesë e pandarë e jetës së maësorëve të kësaj ane. Pra, poeti thotë: “E kush mund t’a dijë / se çka mendon guri, / çka sajon guri, / çka dyshon guri dhe / çka andrron guri / kur flen / e peshon n’vend t’vet / mbi jastekë myshkut / i rrahun prej shinash, / prej ernash, prej stuhinash? / Po i përvluem e i rreshkun / prej dielli, prej vapet / në djegagur?”. Këtu shihet se sa liri i jep poeti frymëzimit të tij duke përshkruar jetën e skamnorëve të malësisë së Tuzit, jetën e vështirë, por edhe dobinë nga ky gur qëndrese, nga i cili u ndërtuan shtëpitë e malësorëve, por edhe kështjellat dhe katedralet, madje edhe këmbonaret, por që nëpërmjet të këtyre shenjave u krijuan edhe figura të qëndrueshme poetike, si: gur unaze, gur gjaku, gur rrufeje, gur i gjallë, gurapeshë,  etj. që poeti P. Vinçenc Malaj i jep me besnikërinë e traditës sonë, ashtu siç dijti t’i ruaj vetë populli nga goja në gojë shekujve në vijimsi. Këtyre frymëzimeve do t’ua shtonim edhe vjershat: “Andrra në gur”, “Gogë Dibrani” (mjeshtër guri dhe ndërtimesh me gur), “Kshtjellës së Gjokë Stanit”, “Rumisë” etj. Ky shpirt poetik i predikuesit është i dyzuar me simbolin e qëndresës, pra me gurin. Një motiv tjetër që hasim në këtë libër, po që është dominues, është ai i përshpirtshmërisë. Këtu duhet veçuar vjershat: “Emzot Pjetër Budit”, “Emanuel”, “Koshi i Spikut”, “P. Bernardin Palaj, poet e martir”, “Shpresë”, “Motrës Tereze”etj. ku dominon vargu, mendimi dhe poezia e përshpirtshme në përgjithësi. Këto vjersha u krijuan për Hyun, për njeriun që e do veten, atdheun, kombin. Besimi në Hyun dhe dashuria e pafund për të, pa dyshim se nënkupton kërkesën e ndërgjegjësimit për veprimet që bën individi në jetën e përditshme. Përshpirtshmëria në këto vjersha del si qenësi gjallimi, si gjakim ndaj besimit në Zotin, si frymëmarrje shpirtërore e njeriut në përgjithësi. Këtu spikat roli i madh i korifejve të kohës dhe të fesë, pra të kombit, siç është Pjetër Budi, i cili, siç pohon P. Vinçenc Malaj, u mundua ta mbajë ndezur qiriun e fesë dhe të atdheut. Apo vjersha shumë e bukur kushtuar Nënës Tereze me titull “Motrës Tereze”, në të cilën poeti ligjëron me tërë afshin poetik: “Ti po, motër, / e ke matë / thellësinë / e kuptimit / të rrezeve hyjnore; / je ba dhuratë bujare / për të tjerë / agape-ngrohtësi; / ke trajtue bukurinë / së cilës / edhe unë i besoj / thellësisht”, ku me pak vargje, por me fjalë të kursyera portretizon  tërë madhështinë e kësaj krijese të shenjtë njerëzore, bëmirëse, siç është Nëna jonë e Madhe, Nëna jonë Tereze. Vjershat si kjo, dhe ajo kushtuar P. Bernardin Palajt poet dhe martir, shquhen për fuqinë e vargut, të shprehjes, të frymëzimit, për figurshmërinë që nxjerr para nesh madhështinë e njerëzve që sakrifikuan për njerëzit në përgjithësi. Kalvarin që përjetoi kjo figurë (P. Bernardin Palaj), vetëm pse mbrojti fenë, atdheun dhe kombin deri në frymën e fundit ku edhe vdes në Burgun e Shkodrës më 1947, e bën këtë një figurë të shquar në letrat shqipe. P. Vinçenc Malaj na jep portretin e meshtarit dhe poetit P. Bernardin Palaj që në tri vargjet e para të kësaj vjershe, ku thotë: “I lir tash je, o Promete i moçëm, / me maj t’i këputish prangat përmbi hekur / e t’kuptosh pse vdesin edhe poetët e sotçëm”. Kjo dhe vjershat e tjera që i përshkon kjo frymë mbesin xhevahire në vëllimin poetik “Papërdhokë e gurë faqokë” të poetit dhe meshtarit P. Vinçenc Malaj. Përveç këtyre vjershave kushtuar figurave të shquara të fesë dhe kombit, vjersha të përshpirtshme që i përshkon një lirizëm i shquar, konsiderohen edhe: “Jeta”, “Vdekja”, “Lumnija”, “Lulet”, “Pa titull”, “Koha”, “Alkimisti”, “Sizifi”, “Dashtnija”, “Shpresë”, “Lutje”, “Tri trishtime” etj. që spikasin lirizmin e hollë të poetit i cili vargjet e veta i mbrun edhe me mendimin e thellë filozofik që strehon në gjiun e vet përditshmëria dhe përshpirtshmëria. Natyrisht, misioni i poetit P. Vinçenc Malaj si meshtar, shëlbyes i Hyut, e kërkon një gjë të tillë nga ai dhe këtë mision poeti e kryen me besnikëri të madhe. Sepse, poeti thotë: “Jeta ka fillim / por s’ka mbarim” (vj. “Jeta”), duke aluduar në shprehjet filozofike të mendimit se jeta është flakë, zjarr, hi, tym... Ose vargjet për vdekjen: “Vdekje n’t’vërtet nuk ka / (...) Ajo, po, asht ekstazë / (...) shkapërcim prej shtegut n’shteg” (vj. “Vdekja”). Edhe koha lë gjurmë në shpirtin e poetit. Në meditimin e tij për këtë, thotë: “Hyjtë janë shumë larg, / atje nalt mbi maje, / mbi diell, mbi hanë, / përtej, përtej... / Kur i çoj sytë shpesh herë / atje në hatasi / i shof hyjtë kah lulëzojnë / n’kopshtije t’qiellës / për bukuri” (vj. “Koha”). Edhe dashurinë poeti përkufizon kështu: “Asht frymë e parë e jetës / e rrahje e mbrame e zemrës. / shkëndi, / zjarm, / ngrohtësi, / rreze hyjnore, / që çdo çasin prore / i ep amshim” (vj. “Dashtnija”). Këtë cikël vjershash të përshpirtshme, ku dominon fryma filozofike po e mbyll me vargjet: “M’a kthe, o Zot, / gëzimin e jetës / dhe epi kuptim të kenunit tem, / hapave të mij” (vj. “Lutje”).

Do të ishte mëkat sikur mos t’i zinim ngojet edhe vjershat: “Përrallë”, “Pesë dallndysha”, “Çerdhukëlla”, “Rrugës së qetë”, “Udhëtarë”, “Mbi vorr të Vangjelis”, “Rumisë”, “Hijerofania” etj. (pa logaritur këtu tri vjershat në gjuhën italiane) që se cila në vetvete mbërthen frymëzim, porosi që dalin nga shpirti i poetit P. Vinçenc Malaj, që nëpërmjet të këtyre vargjeve lartëson talentin që kishte edhe për këtë segment të artit poetik. Duke kënduar për dallendyshet, zogjtë, çerdhekullën (një lloj zogu), udhëtarët, lejlekët, fushat, brigjet etj. Poeti shpërndanë fantazinë e vet kudo, mbulon me të sfera synimesh, që duke na i dhënë nëpërmjet të vargjeve, di të pushtojë zemrat e njerëzve që donë artin e fjalës. Përshkrimin e këtyre elementeve poeti e bën me përkushtim të thellë. Mjafton ta ilustrojmë këtë mendim me strofën e fundit të vjershës “Rumisë” ku poeti thotë: “Përse Ti nuk je veç bjeshkë, / mal, pyll, gur, uj, / Ti je Fjala, / Ajo që e mësova prej nanës, / je eshtrimi, kuptimi i saj, / ma i këthelli, / aq afër / rrahazemrës seme!”, për t’u bindur qoftë në misionin e poezisë që shkruan poeti P. Vinçenc Malaj, qoftë edhe në vështrimin që poeti u bën fenomeneve të jetës dhe të natyrës që e rrethojnë. Dhe për fund, jo rastësisht libri “Papërdhokë e gurë faqokë” mbyllet me vjershën “Gjuha amtare” (e poetit italian Ignazio Buttitta, përkthyer nga P. Vinçenc Malaj), mbyllje kjo e natyrshme dhe shumë e qëlluar, kur kihet parasysh misioni i poetit, sidomos në vargjet e këtij vëllimi poetik, po edhe vepra e gjërë që la pas vetes ky krijues me dimensione të gjëra shkencore, kulturore, historike, letrare dhe artistike. Vargjet e kësaj vjershe (sikur t’i kishte shkruar vetë pena e P. Vinçenc Malajt, mbyllin këtë cikël krijimesh poetike, duke dhënë porosinë e gjithë krijimtarisë poetike të autorit, synim ky që i kishte vënë vetes tërë jetën. Duke parë kuptimin e këtyre vargjeve, pra të kësaj vjershe, po japim në tërësi, për ta përmbyllur jo vetëm këtë shkrim për këtë vëllim poetik, por duke mbyllur edhe kapitullin e feundit të krijimtasrisë së poetit P. Vinçenc Malaj në letrat shqipe, siç janë këto vargje aq kuptimplota, aq përmbajtësore, thuase rrodhen nga fundi i shpirtit poetik të meshtarit dhe poetit: “Një popullit / veniani prangat / zhveshnieni lakuriq / mbyllniani gojën, / asht ende i lirë. / qitnie prej pune / merrniani pasaportin / sofren prej kah ushqehet / shtratin ku flen, asht ende i pasun. / një popull / bahet i vorfën e rob / kur ia vjedh gjuhën / që i ka pasë trashigim prej të të parve: / asht i bjerrun për gjithmonë!”Nuk besoj të këtë përmbyllje më të bukur për një libër poetikë ku poeti si një bari i mirë dëshiron që t’i strehojë në një vathë gjithë vargjet e veta, në mënyrë që t’i ketë nën kontroll përherë dhe në çdo kohë.

Nga Hasan Hasani








All the contents on this site are copyrighted ©.