2016-02-03 14:51:00

Iu paraqit Papës libri “Skuadra Papnore në Dardanele 1657”/ "Ilk Çanakkale Zaferi, 1657”


Sot paradite, në përfundim të audiencës së përgjithshme, zoti Rinaldo Marmara i paraqiti Papës Françesku një kopje të librit të tij “Skuadra Papnore në Dardanele 1657”/ Ilk Çanakkale Zaferi, 1657. Bëhet fjalë për transliterimin italian e turk të një dorëshkrimi nga fondi Chigi i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Është një relacion i flotës papnore, që mori pjesë në betejën e dytë të Dardaneleve, në vitin 1657. Mbrëmë, në sa paraqitej libri, autori deklaroi se qëllimi i tij ishte t’u krijonte historianëve dhe bashkëpunëtorëve shkencorë turq mundësinë për të shfrytëzuar  dokumentet tejet të rëndësishme, që ruhen në Arkivat vatikanase dhe në Bibliotekën e Vatikanit. Libri, pavarësisht nga kujtimet e dhimbshme të historisë, nënvizon rëndësinë e kërkimeve shkencore erudite dhe të hapjes së Arkivave për studime historike, në shërbim të së vërtetës e të ndërtimit të urave të bashkëpunimit e të mirëkuptimit reciprok.

Nën këtë dritë, u nënvizua dhe u vlerësua angazhimi i ri i Turqisë për t’ua hapur arkivat e veta historianëve dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të palëve të interesuara, për t’i kuptuar, kështu, më mirë ngjarjet historike, dhimbjen e vuajtjet e pësuara, pavarësisht nga identiteti fetar ose etnik, nga të gjitha palët   pjesëmarrëse në luftëra e konflikte, duke përfshirë edhe ngjarjet tragjike të vitit 1915. Faktet e dhimbshme të historisë nuk duhen harruar kurrë: ato kërkojnë reflektim të kujdesshëm, në mënyrë që të mund ta shërojnë e ta pastrojnë kujtesën, gjë që ka një rëndësi të veçantë  për pajtimin e faljen ndërmjet njerëzve dhe popujve (cfr Gjon Pali II, Mesazh pjesëmarrësve në kuvëndimin përkujtimor të vdekjes së Papës Leoni XIII, 28 tetor 2003).

Kujtesa e vuajtjes dhe e dhimbjes së pësuar, si në të kaluarën e largët, ashtu edhe në të sotmen e afërt, siç është rasti i vrasjes së Taha Carim, Ambasador i Turqisë pranë Selisë së Shenjtë, në qershor 1977, me dorërasë një grup terrorist, na nxit të mos e harrojmë edhe vuajtjen e së sotmes e të dënojmë çdo akt dhune e terrorizmi, që vijon të shkaktojë viktima edhe sot e kësaj dite.

Posaçërisht e urryer e fyerse, dhuna kryer në emër të Zotit e të fesë si dhe terrorizmi, me të njëjtën vulë. Kujtojmë këtu pohimin e Shenjtërisë së Tij, Françeskut, gjatë vizitës në Republikën Qendrafrikane:

“Të krishterë e myslimanë, jemi vëllezër. Së bashku t’i themi jo urrejtjes, jo hakmarrjes, jo dhunës, posaçërisht asaj që kryhet në emër të një feje a të vetë Zotit" (Papa Françesku, Fjalimi drejtuar bashkësisë myslimane të Xhamisë qendrore të Koudoukou, në Bangui, Republika Qendrafrikane, 30 nëntor 2015).

Urojmë që këto fjalë t’i frymëzojnë të gjithë njerëzit vullnetmirë ta kujtojnë e ta pohojnë vëllazërimin e solidaritetin, dhembshurinë e dashurinë për njeriun dhe t’i kundërvihen njëzëri çdo tipi të dhunës.








All the contents on this site are copyrighted ©.