Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa, rregulltarëve: të jini burra e gra të takimit

Papa kryeson Meshën për rregulltarët - AFP

02/02/2016 16:05

Sot pasdite, në orën 17.30, Papa Françesku kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Meshën shenjte në Festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, që përkoi edhe me kremtimin e përfundimit të Jubileut të Jetës rregulltare.

E rregulltarëve dhe rregulltareve të shumta, shtrënguar rreth Atit të Shenjtë në përfundim të Vitit që u është kushtuar, u propozoi ikonën ungjillore të Jezusit, në çastin kur Maria e Jozefi e shoqërojnë në Tempull, për t’ia kushtuar Zotit. Është fëmijë, si gjithë të tjerët, kujtoi Papa, e njëkohësisht ndryshe nga të gjithë: fëmijë i pashoq: i Parëlindur, që erdhi për të gjithë, për të sjellë mëshirën e dhembshurinë e Hyjit Atë. Jezusi është fytyra e mëshirës së Atit.

Festa e sotme në Lindje quhet festa e takimit, shpjegoi në vijim Ati i Shenjtë, duke kujtuar faqen e Ungjillit të ditës, në të cilën flitet për shumë takime. Jezusi vjen të na takojë ne, e ne shkojmë ta takojmë Atë. Kundrojmë, pastaj, takimin me plakun Simeon, që përfaqëson pritjen besnike të Izraelit dhe harenë e zemrës, për përmbushjen e premtimeve të lashta. Sodisim edhe takimin me Anën e motuar, që hov nga gëzimi, kur shikon Foshnjën. Simeoni e Ana janë pritja e profecia, komentoi Ati i Shenjtë, ndërsa Jezusi është risia dhe përmbushja e premtimeve: Ai na paraqitet si e papritura e përhershme e Zotit: në këtë foshnjë të lindur për të gjithë takohen e kaluara, e gatuar me kujtesë e premtim dhe e ardhmja, ngarkuar me shpresë.

Papa kujtoi se në këtë skenë prekëse, që zhvillohet në Tempull, shikojmë zanafillën e jetës rregulltare. E kjo, sepse rregulltarë e rregulltare janë të thirrur të jenë burra e gra të takimit. Këtë e theksoi fort Papa, e në vijim shpjegoi natyrën e thirrjes për jetë rregulltare, që nuk është plan i menduar mbi  tavolinë, por hir i Zotit, që e shndërron jetën. Kush takohet vërtet me Jezusin, nuk mund të mbetet siç ishte më parë. Ai është risi, që i bën të reja të gjitha gjërat. Kush e jeton këtë takim, bëhet dëshmitar vetë e siguron edhe takimin e Zotit me të tjerët; e bëhet edhe pararendës i kulturës së takimit, duke e shmangur vetëvlerësimin, që na bën të mbyllemi brenda vetes.

Papa e vijoi homelinë me komentin e Letrës drejtuar Hebrenjve, duke kujtuar se Jezusi nuk ndenji duke e soditur nga larg dramën tonë, por e jetoi atë. E kjo është thirrja e rregulltarëve e rregulltareve: të jenë shenjë konkrete profetike e afërsisë së Zotit, të jenë gjithnjë pranë njerëzve të kohës sonë, me brishtësitë e tyre, mëkatet  e plagët. Të gjitha format e jetës rregulltare, kujtoi Papa, duhet të jenë në gjendje të përhershme misioni. Secila, sipas karakteristikave të veta, është e thirrur të ndajë me njerëzit e kohës sonë gëzimet e shpresat, trishtimet e ankthet e njerëzve, të të varfërve, sidomos dhe të të gjithë atyre, që vuajnë (Gaudium et spes,1).

Më pas Françesku, duke vijuar shpjegimin e faqes ungjillore, i ftoi të krishterët të mahniten, ashtu si nëna e babai i kujtuar i Jezusit mahniteshin  nga fjalët, që thuheshin për Të. Edhe rregulltarët, ashtu si gjithë të krishterët, janë rojtarë të kësaj mahnitjeje, që duhet përtrirë vazhdimisht, larg prirjes për t’i kristalizuar karizmat. Karizmat e themeluesve, kujtoi me forcë Papa, nuk janë për t’u mbyllur në shishe, nuk janë eksponate muzeu.  Themeluesit u frymëzuan nga Shpirti Shenjt e nuk patën turp t’i ndotnin duart me jetën e përditshme, me hallet e njerëzve, duke përshkuar me guxim rrethinat gjeografike dhe ekzistenciale. Nuk u ndalën para pengesave dhe moskuptimeve të të tjerëve, sepse ruajtën përgjithnjë  në zemra mahnitjen e takimit me Krishtin. E patën gjithnjë zemrën plot me shqetësimin për Zotin, me dëshirën e pamposhtur për t’ua çuar edhe të tjerëve, ashtu si bënë Jozefi e Maria në Tempull. Edhe ne, kujtoi Papa, jemi të thirrur të zgjedhim rrugë profetike e të guximshme, duke shprehur mirënjohjen tonë për takimin me Jezusin dhe për dhuratën e thirrjes në jetën rregulltare. Mirënjohje. Kjo është fjala, që mund të përmbledhë gjithçka jetuam në këtë Vit të Jetës Rregulltare. Mirënjohje për dhuratën e Shpirtit Shenjt, që vijon ta gjallërojë Kishën përmes karizmave të ndryshme.

Ungjilli përfundon me shprehjen: “Fëmija rritej e forcohej, plot me dije, e hiri i Zotit ishte në Të” (v 40).

Dashtë Zoti, u lut Papa, me ndërmjetësimin amtar të Marisë ta rrisë në ne e të shtojë në shpirtin e secilit prej nesh, dëshirën e takimit, ruajtjen e mahnitjes dhe gëzimin mirënjohjes. Atëherë të tjerë e të tjerë do të tërhiqen nga drita e Krishtit e do të mund ta takojnë mëshirën e Atit.

02/02/2016 16:05