2016-01-27 15:19:00

Papa: mëshirë do të thotë falje, ta kesh për zemër nevojtarin


“Mëshira nuk mund të rrijë indiferente para vuajtjes së të shtypurve, para britmës së atyre, që pësojnë dhunën, që skllavërohen, që dënohen me vdekje”. Ky ishte thelbi i katekizmit të sotëm të Papës Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtë u lut edhe për paqen në familje, duke kujtuar se Jubileu është rast i mirë për ta falur njëri-tjetrin.

Historia flet për mëshirë

         Në jetën e zakonshme, ashtu si në përshkrimet më të bukura të Biblës, gjejmë vazhdimisht histori, që flasin për mëshirë, nëse njeriu zgjedh të dojë e të falë. Papa Françesku e vuri në dukje që në fillim të katekizmit, kur pohoi se “në Shkrimin Shenjt, mëshira e Zotit është e pranishme gjatë gjithë historisë së popullit të Izraelit”. Ati i Shenjtë kujtoi Jozefin, i cili u shit nga të vëllezërit, por më pas, u pajtua me ta, duke ia hapur zemrën mirëdashjes e jo urrejtjes:

         “E mendoj për vëllezërit e shumtë, që janë larguar nga familja e nuk i flasin njëri-tjetrit. Por ky Vit i Mëshirës është rast i mirë për ta gjetur njëri-tjetrin, për t’u përqafuar e për t’u falur… Harrojini gjërat e shëmtuara”.

Mos e ktheni kokën para vuajtjes njerëzore

         Të sillesh me mëshirë, pohoi më tej Papa, do të thotë ta kesh zemrën si ajo e Zotit, e cila përgjigjet e kujdeset për të varfërit, për ata, që e ngrenë zërin plot dëshpërim. Ajo zemër dëgjon e ndërhyn për ndihmë, duke frymëzuar burra e gra bujarë:

         “Mëshira nuk mund të rrijë indiferente para vuajtjes së të shtypurve, para britmës së atyre, që pësojnë dhunë, skllavërohen, dënohen me vdekje. Është realitet i dhimbshëm, që prek çdo epokë, përfshirë tonën, e që na bën të ndjehemi shpesh të pafuqishëm, duke na tunduar ta bëjmë zemrën gur e të mendojmë për gjëra të tjera. Por Zoti ‘nuk është indiferent’, nuk e largon kurrë vështrimin nga dhimbja njerëzore”.

Zoti nuk rri në heshtje

         Jo më larg se gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, menjëherë pas audiencës, Papa Françesku e lidhi këtë mendim me gjendjen dramatike të popullsive në Lindjen e Mesme, duke iu drejtuar shtegtarëve të ardhur nga Iraku e nga krejt zona:

         “Zoti nuk hesht para vuajtjeve e britmave të bijve të vet, ose para padrejtësisë e persekutimit, por ndërhyn e dhuron, me Mëshirën e Tij, shpëtimin e ndihmën. Ai përdor durim me mëkatarin për ta nxitur drejt ndryshimit dhe e kërkon atë, që ka humbur rrugën, që të kthehet, sepse ‘vullneti i Zotit është të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës’ (1 Tim 2,4). Hyji ju bekoftë të gjithëve e ju mbroftë nga i keqi!”.

Mëshira shpëton e shëlbon

         Por të kthehemi sërish në katekizmin e Papës. Bibla, nënvizoi Ati i Shenjtë, na mëson se kur Zoti tregohet i mëshirshëm me njeriun, lidh besën me të. Papa mori si shembull figurën e Moisiut, i cili, si shpëtoi nga ujrat e Nilit për hir të mëshirës hyjnore, “u bë ndërmjetës i kësaj mëshire, duke i dhënë mundësi popullit të rilindë në liri, pasi shpëtoi nga ujrat e Detit të Kuq”:

         “Edhe ne, në këtë Vit të Mëshirës, mund ta bëjmë këtë punën e ndërmjetësuesit të mëshirës, përmes veprave të mëshirës për të afruar, për të ngushëlluar, për të bashkuar… Shumë gjëra të mira mund të bëhen. Mëshira e Zotit vepron gjithnjë për të shpëtuar. E krejtësisht e kundërt, është vepra e atyre, që veprojnë gjithnjë për të vrarë: për shembull, ata që bëjnë luftë”.

Të bëjmë vepra mëshire

         Edhe ne, përfundoi Papa Françesku, bëhemi si Moisiu, nëse e pranojmë besëlidhjen me Zotin dhe e lejojmë të na shëlbojë:

         “Nëse jemi bijtë e Zotit e na është dhënë mundësia për ta pasur këtë trashëgimi – atë të mirësisë e të mëshirës – në krahasim me të tjerët, t’i lutemi Zotit që në këtë Vit të Mëshirës, edhe ne, të bëjmë vepra mëshire; ta hapim zemrën për të mbërritur tek të gjithë me vepra mëshire, trashëgimi e mëshirshme që Ati ynë Qiellor na ka lënë”.

         Para se të përfundonte audienca, artistë cirku, plot ngjyra, alegri e akrobaci, dhanë një shfaqje para Atit të Shenjtë, i cili i vlerësoi shumë:

         “Ju jeni ithtarë të bukurisë, ju e krijoni bukurinë e bukuria i bën mirë shpirtit. Bukuria na afron me Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.