2016-01-21 15:00:00

Françesku: kush hyn në shenjtërore, të ndjehet si në shtëpi


Sidomos gjatë Jubileut të Mëshirës, çdo shtegtar duhet të ndjehet i mirëpritur dhe i dashur nga Kisha. Kështu pohoi Papa Françesku në audiencën me pjesëmarrësit në Jubileun e veprimtarëve të shtegtimeve dhe të rektorëve të shenjtëroreve, të cilët i priti në Vatikan. Mikpritja, nënvizoi Ati i Shenjtë, është me rëndësi themelore për ungjillëzimin. Papa i ftoi sërish meshtarët të jenë të mëshirshëm me ata, që shkojnë për t’u rrëfyer.

Në shenjtërore jetohet thellë përshpirtëria popullore

Shtegtimi në shenjtërore është një nga shprehjet më të bukura të fesë së Popullit të Zotit, theksoi Papa vlerësimin e tij për përshpirtërinë popullore, e cila i vjen që nga gjyshërit e vitet e kaluara në Argjentinë. Ati i Shenjtë e quan “formë e mirëfilltë ungjillëzimi, që ka nevojë të promovohet e vlerësohet, pa ia minimizuar rëndësinë”:

“Do të ishte gabim të mendohej se kush shkon në shtegtim jeton një përshpirtëri jo personale, por masive. Në të vërtetë, shtegtari mbart me vete historinë e vet, fenë e dritëhijet e jetës së vet. Secili mban në zemër një dëshirë të veçantë e një lutje të veçantë”.

Kush hyn në shenjtërore, të ndjehet si në shtëpi

Kush hyn në shenjtërore, vijoi Papa Françesku, e ndjen se pritet si në shtëpi të vet. E kuptojnë dhe e mbështesin, sepse shenjtërorja është vërtet, vend i privilegjuar për ta takuar Zotin e për të prekur me dorë mëshirën e Tij. Po të njëjtën gjë ndjen edhe meshtari, që rrëfen mëkatarët në një shenjtërore. Për Papën, “mikpritja” e besimtarëve është çështje tejet e rëndësishme:

 “Me mikpritjen, si të thuash, ‘vemë në lojë gjithçka’. Mikpritje plot dashuri, festive, e përzemërt dhe plot durim! Duhet durim eh! Ungjijtë na e paraqesin Jezusin gjithnjë mikpritës ndaj atyre, që i afrohen, sidomos ndaj të sëmurëve, mëkatarëve, të mënjanuarve. E ta kujtojmë shprehjen e Tij: ‘Kush ju pret ju, më pret mua, e kush më pret mua, pret Atë, që më ka dërguar!’.”

Mikpritja, vendimtare për ungjillëzimin

Jezusi, kujtoi Papa Françesku, jo vetëm ka folur për mikpritje, por edhe e ka vënë në jetë. E mëkatarë si Mateu e Xakeu, kur e presin Jezusin në shtëpi, e ndryshojnë krejtësisht jetën. Është interesante, vërejti Ati i Shenjtë, që Libri i Veprave të Apostujve mbyllet me skenën e shën Palit, i cili, i burgosur në Romë, priste të gjithë ata, që shkonin tek ai. Shtëpia e tij pra, ishte vend ku kumtohej Ungjilli:

“Mikpritja është vërtet vendimtare për ungjillëzimin. Nganjëherë, mjafton thjesht një fjalë, një buzëqeshje, për ta bërë personin të ndjehet i mirëpritur e i dashur. Shtegtari, që mbërrin në shenjtërore, është shpesh i lodhur, i uritur, i etur… E nganjëherë, kjo gjendje fizike është pasqyrë edhe e gjendjes shpirtërore. Prandaj, ky njeri ka nevojë të pritet mirë, si në planin material, ashtu edhe në atë shpirtëror”.

Shtegtari duhet ta ndjejë gëzimin e mikpritjes

Shtegtari, nënvizoi Papa, duhet të trajtohet jo thjesht si mik, si i ftuar, por si familjar. Duhet ta ndjejë veten në shtëpi, ta ndjejë se e presin me padurim, se e duan dhe e shohin me sytë e mëshirës e të dhembshurisë. E kjo vlen edhe për një “turist kureshtar”, tha Papa, i cili hyn në shenjtërore jo si shtegtar, por si dikush, që ndoshta e kërkon Zotin me gjithë shpirt, nganjëherë, pa e kuptuar as vetë:

“Të bëjmë ç’është e mundur që çdo shtegtar ta ndjejë gëzimin se, më në fund, e kuptojnë dhe e duan. Në këtë mënyrë, kur të kthehet në shtëpi, do të ndjejë nostalgji për ç’ka provuar e do të dëshirojë të kthehet, por, sidomos, do të dëshirojë ta vazhdojë rrugën e fesë në jetën e përditshme”.

Rrëfyestarët ta kenë zemrën plot me mëshirë

Mikpritje krejtësisht e veçantë, vuri në dukje Papa Françesku, është ajo e mbarështuesve të faljes së Zotit. Shenjtërorja është shtëpia e faljes së mëkateve, ku secili takohet me dhembshurinë e Zotit, që i mëshiron të gjithë pa përjashtim:

“Kush i afrohet rrëfyestores, e bën, sepse është penduar për mëkatin e vet: është penduar për mëkatin e vet. E ndjen nevojën t’i afrohet asaj… E percepton qartë se Zoti nuk e dënon, por e pret dhe e përqafon, si ati i djalit plangprishës, për t’i kthyer dinjitetin si bir i Hyjit (shih Lk 15,20-24). Meshtarët, që shërbejnë në shenjtërore, duhet ta kenë zemrën plot me mëshirë; qëndrimi i tyre duhet të jetë ai i një ati”.

“Le ta jetojmë me fe e me gëzim këtë Jubile – përfundoi Papa Françesku – ta jetojmë si një shtegtim të vetëm e të madh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.