2016-01-19 15:34:00

Në Libi, qeveria e pajtimit kombëtar, Jashtë, Haftari


Në Libi formohet qeveria e pajtimit kombëtar. Është hap i madh, por tani kemi përpara një punë të jashtëzakonshme, deklaroi përfaqësuesi i veçantë i OKB-së për Libinë, Martin Kobler. Pritet miratimi i parlamentit.

         Në një situatë të vështirë, kur Shteti Islamik, Isis, synon shtrirjen e kufijve të vet, Libia formoi qeverinë me 32 ministra, të udhëhequr nga kryeministri Fayez al Sarraj, i ndihmuar nga 4 zv.kryeministra. Gjeneralit Khalifa Haftar nuk iu dha dikasteri i Mbrojtjes, ashtu siç dëshironte parlamenti i Tobrukut, i vetmi i njohur nga bashkësia ndërkombëtare, në ndryshim nga ai i Tripolit. Për Bashkimin Evropian, i cili u mblodh dje në Bruksel, në nivelin e ministrave të jashtëm, kjo është e vetmja qeveri e ligjshme, ndërsa formacionet e tjera konsiderohen thjesht “realitete paralele”. Ndërkaq, në terren vazhdon dhuna e Isisit, sidomos afër Bengasit dhe Surmanit, 60 km larg nga Tripoli. Po dje, Gjermania dhe Italia nuk e përjashtuan, “nëse kërkohet”, ndërhyrjen e armatosur në Libi për të stabilizuar vendin e për të ndalur Kalifatin xhihadist. E krijimi i kësaj qeverie të re, pavarësisht se me probleme të shumta të brendshme, duket sikur është hapi i parë për t’i dhënë bashkësisë ndërkombëtare një pikë referimi, që të programojë një mision të mundshëm në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.