2016-01-17 12:00:00

Dita Botërore e Emigrantëve: 5 mijë vetë në Shën Pjetër


Emigrantë hedhur në det në zonën e Salentos në Itali, raprezalje në Këln kundër të huajve, frika nga terrorizmi bën të rritet ksenofobia kudo në botë. Kronika e lajmeve të përditshme nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se këto kohë për të përcaktuar qëndrimin e Perëndimit e të secilit prej nesh ndaj emigrantëve dhe refugjatëve. Papa Françesku, edhe sot, në Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, para 5 mijë emigrantëve, me 30 kombësi të ndryshme, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, ftoi të mos biem pre e frikës nga të huajt e t’i përgjigjemi valës së emigracionit drejt portave të Evropës me Ungjillin e Mëshirës.

Në të gjitha famullitë e botës, sot u kremtua Jubileu i Emigrantëve, festë e takimit, e solidaritetit, e mikpritjes, në kuadrin e Vitit të Mëshirës. Edhe tema e Ditës Botërore të këtij viti, e 102-ta, është “Emigrantët dhe refugjatët ngrenë pyetje. Përgjigjja e Ungjillit të Mëshirës”. Si gjithnjë, mesazhi i Papës Françesku për këtë festë, që kremtohet në të dielën e dytë pas Dëftimit të Zotit, është bërë i njohur më parë, që më 1 tetor të vitit të kaluar.

Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot me Papën, emigrantët dhe refugjatët kaluan Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit e në orën 13.00, morën pjesë në meshën e kremtuar për ta nga kreu i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, kardinali Antonio Maria Vegliò. Në elter, kryqi i Lampeduzës, ishullit italian ku zbarkojnë çdo ditë të ardhur nga Afrika. Hostet e shuguruara gjatë meshës janë dhuruar nga të burgosurit e Burgut të Operas në Milano, ndër të cilët ka edhe të huaj. Në mikrofonin tonë, vetë kardinali Vegliò flet për këto simbole:

(Gabriella Ceraso)

“Ka diçka të veçantë: në këmbët e eleterit të Shën Pjetrit, ishte kryqi i Lampeduzës. E kjo, edhe për të kujtuar udhëtimin dramatik që për mëse 3.700 vetë, ndër të cilët rreth 800 fëmijë, në vitin 2015, përfundoi në fund të Mesdheut. E Hostet e shuguruara e të konsumuara gjatë meshës u dhuruan nga të burgosurit e Milanos, që kanë bërë një projekt për një laborator prodhimi të tyre”.

Para emergjencës së emigracionit, por edhe para ngjarjeve të dhunshme, në të cilat janë përfshirë kohët e fundit refugjatët e rinj, Evropa i hap me vështirësi kufijtë e zemrat dhe ka frikë të miratojë ligje të drejta si heqja e krimit të emigracionit klandestin. Drejtori i Fondacionit Migrantes, imzot Giancarlo Perego, komenton reagimet ksenofobe të këtyre ditëve në Këln të Gjermanisë, ku gjatë festimeve të Vitit të Ri, shumë gra u përdhunuan nga emigrantë:

“Ekziston një frikë, që, fatkeqësisht, ushqehet edhe nga forca politike e nga realitete kulturore, të cilat nuk ndihmojnë aspak në interpretimin e ndryshimit të qytetërimit. Kjo po ndodh kudo. Vetëm në Itali kemi 400 mijë familje të përziera; në shkollë, një ndër 10 fëmijë i përket një kulture tjetër, ka tjetër kombësi; populli i emigrantëve ka të drejtën e votës administrative. Nuk jemi para ndonjë pushtimi për vendin, por jemi para një emigracioni të frenuar tashmë. Nga njëra anë, 100 mijë të rinj ikin nga Italia e, nga ana tjetër, 100 mijë vetë vijnë në këtë vend 60 milionësh, për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare”.

Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të 6 shtatorit 2015, Papa Françesku e ftoi çdo famulli e çdo institucion të Kishës Katolike, çdo shtëpi rregulltarësh e çdo shenjtërore, të strehojë së paku një familje refugjatësh. Në Vatikan, tashmë janë strehuar dy familje refugjatësh sirianë, siç njoftoi javën e kaluar Lëmoshtaria Apostolike. Në Itali, aktualisht, 27 mijë vetë gëzojnë mikpritjen e strukturave kishtare. Edhe në Lampeduzë, pikërisht dje, në prag të Ditës Botërore të Emigrantëve, kryeipeshkvi i Agrigento-s, kardinali Francesco Montenegro, hapi Vitin e Mëshirës me kremtimin e Mbrëmësoreve dhe hapi Portën Shenjte të Shenjtërores së Zojës së Porto Salvos. Sot, në “Portën e Evropës”, zgjedhur si vend jubilar, besimtarët u lutën dhe reflektuan mbi temën e Ditës Botërore. Në orën 10.00, në famullinë e shën Gerlandit, kardinali Montenegro kremtoi meshën dhe i dorëzoi popullsisë kryqin, dhuratë e Papës Françesku për bashkësinë e ishullit.








All the contents on this site are copyrighted ©.