2016-01-16 15:00:00

Jubileu: Viti Shenjt i Mëshirës: kthimi në rrugën e Zotit


Termi kthim në rrugën e Zotit, lidhet  shpesh, në radhë të parë, me kalimin nga mëkati, në hir; nga mosbesimi, në besim; nga indiferenca, në praktikën fetare. Por ky përdorim është i njëanshëm e nuk përkon me zhvillimin e vërtetë të jetës shpirtërore. Në të vërtetë, kthimi në rrugën e Zotit bëhet gjithnjë më i ngutshëm, sa më shumë ecën përpara historia e njerëzimit e sa më shumë që njerëzit rriten në përmasën e tyre shpirtërore.

Edhe gjinia njerëzore bën pjesë në këtë proces prandaj, në çdo kthesë kulturore, rriten edhe kërkesat e jetës në bashkësi. Njohuritë grumbullohen e aftësitë vepruese rriten në mënyrë eksponenciale. Si pasojë, rritet edhe nevoja e bashkëpunimit, thellohet përkimi ndërmjet njerëzve, ndërmjet grupeve shoqërore, ndërmjet popujve. E rritet edhe kërkesa për ndryshime personale, në përkim me vetë kohën kur jetojmë. Në çdo hap që bëjmë, ndjehet nevoja për cilësi të reja shpirtërore, siç janë dëshira për të dëgjuar, mirëpritja e sinqertë, prirja për ndarjen e përbashkët të vlerave materiale e shpirtërore. Sa më shumë zhvillohet shoqëria, aq më i nevojshëm bëhet bashkëpunimi, përkimi i ndjeteve, lidhjet e thella. Njohuritë e grumbulluara nga një brezni, duhet t’u transmetohen breznive të reja, sepse jeta ecën përpara nga breznia në brezni. Prandaj sa më shumë kohë kalon, aq më të gjera e më urgjente bëhen edhe kthesat në rrugën e jetës.

Është, pastaj, edhe një aspekt i dytë i kthesës në rrugën e Zotit: shpërblimi, shlyerja e të keqes së bërë. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndjehen pasojat e gabimeve të kryera në rrjedhë vitesh; e edhe në shekujt e kaluar, gjë që kërkon ndryshimin e stilit të jetës dhe lindjen e një jete të re. Kërkon  kthimin e njeriut të çdo epoke, edhe të vetë epokave,  në rrugën e Zotit.

Por, a ka njerëz, që kanë vërtet aftësinë për ta ndryshuar botën? Botën e madhe, a botën e vogël, rreth vetes? Ne sot po kujtojmë vetëm një: Shën Gasprin e Bufalos. I lindur në Romë, më 1768 e i shuguruar meshtar më 1808, iu kushtua ungjillëzimit të karrocierëve dhe të fshatarëve të rrethinave romake. Themeloi, për ta, Kongregatën e Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, në të cilin mori pjesë edhe Papa Piu IX. Luftoi me të gjitha forcat shoqëritë e fshehta të masonerisë. I ngarkuar nga Leoni XII me misionin ndërmjet cubave, ia doli mbanë, vetëm me Kryq e me mëshirë, ta reduktojë fenomenin dhe t’u rikthejë paqen e sigurinë viseve të tronditura prej tij. Vdiq në Romë, më 1837. U shenjtërua nga Piu XII, në vitin 1954. Ndikimi i tij shndërrues vijon të ndjehet edhe në zhvillimet e kohëve moderne.








All the contents on this site are copyrighted ©.