2016-01-07 15:32:00

Paris. Një vit pas “Charlie Hebdo”, policia vret një atentator


Sërish frikë në Francë, në ditët e përvjetorit të atentatit kundër së përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”. Një burrë u përpoq të hynte në komisariat, duke vringëlluar një thikë e duke bërtitur “Allahu është i madh”, megjithëse ka edhe dëshmi se ka hyrë qetësisht. U bllokua me një plumb nga forcat e rendit, që i gjetën veshur një rrip me eksploziv, i cili rezultoi më pas i rremë.

         Në të njëjtën orë, Parisi përjetoi të njëjtën frikë si para një viti. Presidenti François Hollande gati nuk arriti të përfundojë fjalimin e tij në prefekturën e kryeqytetit francez, të thotë se kërcënimi terrorist është ende i ndjeshëm, edhe një vit pas “Charlie Hebdo”, të verë në dukje sa rëndë peshon akoma mbi Francën kjo gjendje, kur nga Arrondissement i 18-të, nga lagjja popullore e “Goutte-d’Or”, arriti lajmi i ndeshjes me armë në një qendër policie. Burri, që hyri me thikë e me eksploziv u vra nga policët, të cilët verifikuan vetëm më vonë se eksplozivi ishte i rremë.

Lagjja, e blinduar

         Gjithë lagjja, nën hijen e kodrinës së Mont Martre e të Bazilikës së Zemrës së Krishtit, u mbush menjëherë me policë e ushtarë të armatosur. Nxënësit e dy shkollave pranë komisariatit u mbyllën brenda, së bashku me mësuesit.

Këto ditë, Parisi përkujton një vjetorin e atentateve kundër gazetës “Charlie Hebdo” dhe qeveria e popullsia përjeton akoma frikën e asaj kohe. “Duhet t’i shkatërrojmë rrjetet terroriste dhe të bllokojmë propagandën radikalizuese”, nënvizoi presidenti Hollandë. Vetë gazeta e ka kuptuar këtë si luftë kundër çdo lloj feje, siç tregon qartë kopertina e saj e djeshme.

“L’Osservatore Romano” për kopertinën e “Charlie Hebdo”

         Pikërisht kundër kopertinës, ku pasyrohet një Zot fajtor për të gjitha atentatet, ngriti zërin krejt bota e krishterë. Në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” shkruhet se nga kopertina “kuptohet paradoksi i trishtë i një bote, gjithnjë e më e kujdeshme për të qenë politikisht korrekte, deri në atë pikë sa të bëhet qesharake”. Në artikullin “Feja e manipuluar”, gazeta vë në dukje se duke u sjellë si e përjavshmja satirike franceze, askush nuk do ta njihte e as nuk do të mund ta respektonte “fenë në Zotin të çdo besimtari, pavarësisht nga tradita, së cilës i përket”.








All the contents on this site are copyrighted ©.