2016-01-06 13:03:00

Videomesazhi i parë i Papës për ndjetin e janarit: dialog ndërfetar


Festa e Dëftimit të Zotit qe edhe rasti për paraqitjen e videomesazhit të parë të Papës Françesku, me të cilin Ati i Shenjtë i fton besimtarët të luten sipas ndjeteve të tij. Kujtojmë se kjo është një nga kërkesat për marrjen e ndjesës së plotë. Për t’u lutur sipas këtyre ndjeteve është krijuar prej kohësh një rrjet besimtarësh në të gjithë botën, i njohur si Apostullimi i Uratës. Qe pikërisht Apostullimi i Uratës që i kërkoi Atit të Shenjtë t’i shoqëronte ndjetet me një videomesazh në gjuhën amtare të Bergoglio-s, në spanjisht, por të përkthyer në 10 gjuhë të botës. Videomesazhi i sotëm u referohet ndjeteve të muajit janar. Si gjithnjë ndjetet e Papës janë dy: njëri universal e tjetri për ungjillëzimin. I pari i fton njerëzit të luten që “dialogu i sinqertë ndërmjet burrave e grave me fe të ndryshme të sjellë fryte për paqen e drejtësinë”. I lidhur me ndjetin universal është edhe ai për ungjillëzimin, me të cilin Papa i lutet Zotit që “përmes dialogut e dashurisë vëllazërore, me hirin e Shpirtit Shenjt, të kapërcehen ndarjet ndërmjet të krishterëve”. Por ja teksti i Papës Françesku, i cili komenton sidomos ndjetin universal:

         “Pjesa më e madhe e njerëzve të tokës e quajnë veten besimtarë e kjo duhet të sjellë dialog ndërmjet feve. Vetëm përmes dialogut mund ta zhdukim intolerancën dhe diskriminimin. Dialogu ndërfetar është kusht i nevojshëm për paqen në botë. Nuk duhet të reshtim së luturi për këtë e së bashkëpunuari me ata, që e mendojnë ndryshe. Doni të bëni diçka vërtet të rëndësishme? Kam besim në ju për ta përhapur ndjetin (peticionin) tim të këtij muaji: që dialogu i sinqertë ndërmjet burrave e grave me fe të ndryshme të sjellë fryte për paqen e drejtësinë. Shumë mendojnë ndryshe, ndjejnë ndryshe. E kërkojnë Zotin, ose e gjejnë Zotin me mënyra të ndryshme. Disa thonë se janë agnostikë, nuk e dinë a ekziston Zoti apo jo. Të tjerë i thonë vetes ateistë. Në këtë shumëllojshmëri, në këtë larmi të madhe fesh e mungese të fesë, ka vetëm një siguri: jemi të gjithë bij të Zotit”.

Ky pra, teksti i komentit të Papës Françesku, që në videomesazhin e përgatitur nga Apostullimi i Uratës, është ndërthurur me zëra të tjerë për të dhënë një mesazh të fuqishëm në favor të dialogut ndërfetar. Teksti i mëposhtëm është përkthimi i fjalëve, që dëgjohen në video, ku nuk është pasqyruar krejtësisht mesazhi i Papës Françesku:

         “Pjesa më e madhe e njerëzve të tokës e quajnë veten besimtarë e kjo duhet të sjellë dialog ndërmjet feve. Nuk duhet të reshtim së luturi për këtë e së bashkëpunuari me ata, që e mendojnë ndryshe.

Kam besim tek Budha

Besoj në Zotin.

Besoj në Jezu Krishtin.

Besoj në Zotin, Allahun.

Shumë mendojnë ndryshe, ndjejnë ndryshe. E kërkojnë Zotin, ose e gjejnë Zotin me mënyra të ndryshme. Në këtë shumëllojshmëri, në këtë larmi të madhe fesh, ka vetëm një siguri: jemi të gjithë bij të Zotit.

Besoj në dashurinë

Besoj në dashurinë

Besoj në dashurinë

Besoj në dashurinë

Kam besim në ju për ta përhapur ndjetin tim të këtij muaji: që dialogu i sinqertë ndërmjet burrave e grave me fe të ndryshme të sjellë fryte për paqen e drejtësinë.

Kam besim në lutjen tuaj”.

Videon e sotme mund ta gjeni në www.ilvideodelpapa.org








All the contents on this site are copyrighted ©.