2016-01-06 15:47:00

Në Romë, kortezhi historiko-folklorik “Rroftë Befana”


T'i ripohojë e t’ua përcjellë breznive të ardhshme vlerat e Dëftimit të Zotit: me këtë synim organizohet, më 6 janar, vit pas viti, kortezhi historiko-folklorik “Viva la Befana”. Manifestimi i sivjetëm, i 31-ti, u organizua përsëri nga shoqata “Europae Fami.li.a” (Shoqata e Familjeve të lira të Evropës), së bashku me shumë shoqata të tjera kulturore e sportive.

Protagonistë, Komunet e provincës së Latinës

E lindur në vitin 1985, për ta ripërfshirë festën e Dëftimit të Zotit në kalendarin civil, festa nis çdo vit me parakalimin e Mbretërve Dijetarë ardhur nga zona të ndryshme. Përfaqësojnë universalitetin e këtij solemniteti, që kremton dëftimin e Jezusit para popujve të tokës. Pas mbretërve, vijnë popujt, njerëz që simbolizojnë fragmente historie, kulture, tradite, prodhimesh e pasurish të trojeve të tyre, për të përtërirë traditën e lashtë të dhurimit e të dhuratës. Protagonistë të edicionit 2016, ishin qytetarët e komuneve të Maencës, Roccagorgas-s, Sermonetës e Sonnino-s.

Më se një mijë figurantë me kostume historike dhe Mbretërit Dijetarë mbi deve

Në orën 10.30 kortezhi lëvizte drejt Shpellës së Betlehemit, i prirë nga Mbretërit Dijetarë dhe katër kryetarët e bashkive. 1.330 figurantë  parakaluan përgjatë Rrugës së Pajtimi, drejt Krishtit, që i priste në Shpellën e madhe të Betlehemit, në mes të Sheshit të Shën Pjetrit, e tek Papa, për Engjëllin e Tënzot.

Kështu, në rrugët e Romës, erdhi përsëri Befana! E i mbushi me historinë e shekujve, me kuaj  e kalorës, që dukeshin si të dalë nga lashtësia. Nga ato ditë, kur zu fill koha e re, kur Krishti lindi në Betlehem. Lëshuan xixa gurët, që njihen me emrin sanpietrinë, karakteristikë për Romën e Papëve, nga potkonjtë e kuajve që shoqëronin Mbretërit Dijetarë, hipur sivjet për herë të parë, mbi tri deve. Dukej sikur vinin vërtet nga Lindja, për ta adhuruar Krishtin, në Perëndim…

Grupe figurantësh veshur me rroba, që i shikojmë vetëm në filma historikë, kuaj, banda muzikore, ndërmjet të cilave, Famfara e Regjimentit IV të karabinerëve, mbi kuaj.

Është ora 10.20 kur vetë historia e njerëzimit, mishëruar në këto njerëz me veshje të të gjitha epokave,  ecën drejt Betlehemit, sot, simbolikisht edhe ai, në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit. Pasuar nga Befanat, shtrigat e mira, që ndajnë grushte me karamele, hipur mbi biçikleta të çuditshme me rrota vigane e në  makina, që rrallë herë e shikon rrugësh.

Këngë, muzikë, bejte, shpallje ediktesh me zë të lartë, që dalin nga koha e cesarëve…. Gjithë njerëzimi shkon kah Krishti. E arrin pikërisht në orën 12.00. Për të ndjekur lutjen e Engjëllit të Tënzot…

Pastaj Tre Mbretërit, ambasadorë të çuditshëm epokash e kombesh të shuara e të gjalla, priten në audiencë nga mëkëmbësi i Krishtit mbi tokë, Papa: atij ia vënë tek këmbët dhuratat, që simbolizojnë arin, kemin e mirrën. Është festa popullore e Befanës, që t’i mbush çorapet me dhurata e shpirtin me dritën e Kometës... Dhurata për ata, që janë nisur drejt Betlehemit, pas dritës së yllit , për të gjetur Diellin e jetës…








All the contents on this site are copyrighted ©.