2016-01-06 17:12:00

Krishtlindja kopte. Imzot Mina: Egjipti nuk e pranon xhihadizmin


Kishat Lindore, që ndjekin kalendarin julian, përjetuan sot natën e Krishtlindjes, siç kujtoi edhe Papa Françesku gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në festën e sotme të Dëftimit të Zotit. Njëra prej këtyre bashkësive është ajo kopte, e cila përgatitet ta kremtojë Lindjen e Krishtit në një atmosferë më të qetë, në krahasim me ditët dramatike të pak viteve më parë, kur masakra të tipit xhihadist përgjakën kisha e manastire kopte në Egjipt. Flet për ne ipeshkvi i Gizës, imzot Antonious Aziz Mina:

         Këtë vit, Krishtlindja ka një shije të ndryshme, sepse jemi në Vitin e Mëshirës. Në të gjitha heparkitë kemi hapur Portën Shenjte e jemi përgatitur për Krishtlindjen në këtë atmosferë. Lindja e Krishtit është ikona e Mëshirës së Zotit, është prania e mëshirës së mishëruar ndërmjet nesh.

         Kisha në Egjipt ka kaluar çaste të vështira vitet e fundit. Cila është gjendja tani?     

         Gjendja është e qetë. Me të moderuarit kemi marrëdhënie shumë të mira. Kemi vështirësi me fanatikët, që nuk janë vetëm kundër të krishterëve, por kundër të gjithëve. Të krishterët përdoren vetëm si rrugë për t’i shqetësuar të gjithë, për të krijuar çrregullime në vend. Kërcënimet janë të zakonshme, sidomos në ditët festive. Nganjëherë i marrim seriozisht, nganjëherë jo. Është e njëjta gjë me kërcënimet në Evropë. Kanë kërcënuar edhe Vatikanin… Por, këtë vit, duhet të falenderojmë Zotin, sepse po të shohim përreth nesh - në Siri, Libi, Jemen – këtu në Egjipt arritëm që, me ndihmën e Zotit, në qershor 2013, të ecim në rrugën e drejtë, duke miratuar Kushtetutën, pastaj bëmë zgjedhjet presidenciale, pastaj ato parlamentare. Kjo tregon se Egjipti e ka këputur zinxhirin e Partisë “Vëllezërit Myslimanë”, që e lidhte me të ashtuquajturitn Shtet Islamik, apo Daesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.