2016-01-05 13:10:00

Lirohet atë Aziz. Pizzaballa: shpresë për rregulltarët e tjerë të rrëmbyer


Françeskani, atë Dhiya Azziz, famullitar i Yacoubieh në Siri, i rrëmbyer më 23 dhjetor, u lirua dhe është mirë. I intervistuar nga Radio Vatikani, Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbattista Pizzaballa, shpreh gëzimin e gjithë françeskanëve. Ja fjalët e tij, në mikrofonin tonë:

         Gjendja në Siri është gjithnjë e rëndë, dramatike, por ne jemi shumë të kënaqur e të gëzuar, që atë Dhiya u lirua më në fund. Urojmë të lirohen edhe të tjerët. Kanalet e komunikimit janë të hapura e kjo është e rëndësishme.

         Atë Dhiya Azziz është lindur në Mosul, në Niniven e lashtë të Irakut, më 10 janar 1974. Pas studimeve në Institutin mjekësor të qytetit, hyri në jetën rregulltare e pas noviciatit në Ain Karem, mori kushtet e para si françeskan, më 1 prill 2002. Në vitin 2003 u transferua në Egjipt, ku qëndroi për shumë vjet. Në vitin 2010 u kthye në Rojtarinë Françeskane, e cila e dërgoi në Aman. E menjëherë më pas, në Latakia të Sirisë. Vullnetarisht, shkoi të ndihmonte bashkësinë e Yacoubieh, në provincën e Idlibit, e cila ishte nën kontrollin e milicive islamike integraliste Jabhat al-Nusra. U rrëmbye për një kohë të shkurtër edhe në korrikun e kaluar, por u lirua pas pak ditësh. Pastaj, u rrëmbye përsëri. Dyshohej pikërisht për milicët e al-Nusrës, degë e al Kaedës në Siri, por krerët e lëvizjes patën mohuar përfshirjen e tyre.

         Kujtojmë se atë Azziz nuk është i vetmi, i rrëmbyer nga terroristët, të cilët përdorin këtë metodë për të vjelur fonde. Në duart e grupeve integraliste kanë përfunduar edhe dy ipeshkvij ortodoksë, Boulos Yazigi e Mar Gregorios Youhanna Ibrahim, rrëmbyer më 22 prill 2013; atë Paolo Dall’Oglio, për të cilin nuk dihet asgjë, dhe atë Jacques Mourad, i Kishës siro-katolike, që mbeti për pesë muaj nën kontrollin e të ashtuquajturit Shtet Islamik, para se të lirohej.








All the contents on this site are copyrighted ©.