2016-01-01 13:16:00

Papa: Zoti nuk përdor shkop magjik, e ndryshon realitetin me durim e dashuri


“Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e gëzuar Vitin e Ri!" - me këtë përshëndetje e filloi Papa lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot të Vitit të Ri 2016.

Zoti është Atë i dashuruar me njeriun, vijoi. Nuk lodhet kurrë së nisuri nga e para me ne, për të na përtërirë. Por ama nuk premton kurrë ndryshime të magjishme, sepse nuk e përdor shkopin magjik. Dëshiron ta ndryshojë realitetin, duke nisur nga shpirti, me durim e dashuri.    

Në fillim të vitit është gjë e bukur të shkëmbesh urime, kujtoi Françesku. I urojmë, kështu, njëri-tjetrit që Viti i Ri të jetë pakëz më i begatë se ai që shkoi. Urojmë, sepse urimi është shenjë shprese, që na gjallëron e na fton të kemi besim në jetën:

“E dimë, ndërkaq, se me vitin e ri nuk ndryshon gjithçka e se problemet e shumta të së djeshmes, mbeten edhe nesër”.

Kështu e kujtoi Papa shndërrimin e viteve e më pas fjala e Atit të Shenjtë rrezatoi  mbi shpitrat shpresa të reja, për vitin e ri;

“Atëhere, dëshiroj t’ju bëj një urim, mbështetur mbi një shpresë të vërtetë, që buron nga liturgjia e sotme. Janë fjalët me të cilat vetë Zoti deshi ta bekonte popullin e  vet: ‘Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e të dhashtë paqe!”.

Këtë po ju uroj edhe unë, nënvizoi Papa, që Zoti t’i ngulë sytë e Tij mbi ju e t’ju mbushë me gëzim, duke e ditur se çdo ditë fytyra e Tij mëshirëplote, më e shkëlqyer se dielli, shndrit mbi ju pa njohur perëndim:

“Zbulimi i fytyrës së Zotit e bën jetën të re. Sepse Ai është atë i dashuruar me njeriun e nuk lodhet kurrë së nisuri nga fillimi me ne, për të na përtërirë. Dëshiron ta ndryshojë realitetin, duke nisur nga shpirti, me durim e dashuri. Kërkon të hyjë në jetën tonë me delikatesë, ashtu si reshet shiu i butë mbi dhe, për të sjellë fryt”.

E na pret gjithnjë. Gjithnjë. Duke na shikuar butësisht:

“Çdo mëngjes, kur zgjohemi, mund të themi: ‘Shkëlqeftë mbi mua, fytyra jote, o  Zot!’ Lutje e bukur! E është realitet”.

Së fundi Françesku u uroi të gjithëve “një vit me paqe, me hirin e Hyjit, të pasur me mëshirë e me mbrojtjen amëtare të Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit".








All the contents on this site are copyrighted ©.