2015-12-31 11:41:00

Françesku në kremtimet e fundvitit 2015-të dhe fillimin e 2016-tës


Sot, Nata e Shën Silvestrit dhe e Vitit të Ri, e ngarkuar me veprimtari papnore:

Në orën 11.00, në Sallën Pali VI, Papa u takua me pjesëmarrësit e Kongresit Ndërkombëtar të Pueri Cantores, rreth 6000  fëmijë këngëtarë.

Ndërsa në orën 17.00, do të kryesojë Lutjet e para mbrëmësore të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit dhe Himnin “Te Deum” drejtuar Zotit, si falënderim për praninë e tij pranë nesh, në të mira e të vështira, gjatë një viti të tërë.

Pas kremtimit, sipas traditës, do të vizitojë Shpellën e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit.

Nesër, 1 janar, dita e parë e Vitit të Ri 2016, Kisha kremton Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e  Zotit, njëherësh me Ditën e 49-Botërore të Paqes 2016, me temë: “Mposhte indiferencën e fitoje paqen”. Mesazhi i Papës u botua më 15 dhjetorin e kaluar.

Në orën 10.00 Papa do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte në Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, në praninë e Pueri Cantores, në përfundim të Kongresit të tyre ndërkombëtar.

Në orën 12.00 Papa do të jetë në dritaren e studios së tij private për kremtimin e Engjëllit të parë të Tënzot të Vitit të Ri.

Pasdite, në orën 17.00, do të kryesojë Meshën e hapjes së Portës Shenjte në Bazilikën romake të  Shën Marisë së Madhe.

Ndërkaq, veprimtaritë e Jubileut të Mëshirës, vijojnë:

Nesër, në Romë, Bashkësia e Shën Egjidit do të organizojë marshimin e 14-të për paqen, me temë “Paqe në të gjitha trojet, në Jubileun e Mëshirës”. Pjesëmarrësit do ta përfundojnë marshimin në Sheshin e Shën Pjetrit, duke marrë pjesë në lutjen e Engjëllit  të Tënzot.

Ndërsa në Slloveni, në orën 16.00, do të hapet Porta Shenjte, në Shenjtëroren kombëtare mariane të Shën Marisë Ndihmëtare të Brezjes.

Pjesa kryesore e veprimtarive mund të ndiqet përmes mjeteve të komunikmit: të gjithë besimtarët, në të katër anët botës, mund të shtrëngohen këto ditë të mëdha rreth Kryebariut, Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.