Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Xhamia e Shën Shtjefnit?!

Katedralja e Shën Shtjefnit në Kështjellën Rozafa - RV

26/12/2015 14:05

Sot, 26 dhjetor, Kisha katolike përkujton martirin e parë të krishterimit: Shën Shtjefnin.

Emri i Shenjtit nderohet në të gjitha viset e krishtera të Shqipërisë, ku që në shekujt e parë qenë ngritur katedrale e kisha në nderim të tij. Shën Shtjefni lidhet sidomos me Shkodrën. Shkodranët e patën zgjedhur që heret pajtor e i patën ngritur kisha, duke nisur nga Katedralja në Kështjellën Rozafa.

Duke gërmuar në mjetet e komunikimit, për të gjetur sa më shumë të dhëna për Katedralen e Shën Shtjefnit në Kështjellën Rozafa, gjetëm edhe emërtimin e çuditshëm, që e vumë në krye të këtij shkrimi, përbërë nga dy fjalë, që e përjashtojnë menjëherë njëra-tjetrën. E pikërisht pas këtij binomi, gjetëm edhe pretendimet e pafundme e të pavend lidhur me zanafillën e vijimin e historisë së kësaj ngrehine kishtare, me rëndësi të madhe për historinë e krishterimit ndër shqiptarë. E historia flet në mënyrë të pakundërshtueshme. Jo vetëm për kultin e Shën Shtjefnit, por edhe për atë të shumë martirëve të kohëve të para të krishterimit, ndërmjet të cilëve, Shenjtorët Sergji e Bahu. E pikërisht në ato kohë e ka zanafillën edhe Katedralja e Kështjellës ilire. Duke qenë e mbrojtur nga muret e Rozafës, kjo Kishë u lartua në rang katedraleje, ndërmjet kishave e abacive të tjera të shumta, që ngriheshin rreth e rreth saj, në Shkodër e në male. Ka shumë mundësi që u pagëzua qysh në lindje me emrin e Martirit të parë të krishterimit. Gjithsesi, për këtë nuk ka të dhëna të sigurta. Çka dihet me siguri, është se kulti i Martirit të parë u përhap gjerësisht në këtë zonë në shekullin XIII, në kohën e sundimit të princeshës katolike Helena.  Vërtetohet historikisht se asokohe katedralja njihej me emrin e Shtjefnit. E po aso kohe, Shën Shtjefni u shpall Pajtor i qytetit e nisi edhe kremtimi i festës së tij me një panair të madh në sheshin para Kishës, ku mblidheshin tregtarët e gjithë zonës e, madje, edhe ata që vinin nga Venediku e nga Republika e Raguzës. Në një nen të veçantë të  Statuteve të Shkodrës, hartuar në shekullin XIV, shkruhet se në Kishën e Shën Shtjefnit, nën tingujt e këmbanave, çdo fundviti mblidheshin këshilltarët e qytetit dhe gjykatësit, për të zgjedhur organet bashkijake.

Kisha? Apo xhamia e Shën Shtjefnit, si  po e quajtka ndokush në kohët tona moderne? Mjafton pakëz njohuri historie, për të arritur në përfundimin se është kishë, madje katedrale e lashtë katolike e shndërruar në  xhami, si vend faljeje për garnizonin ushtarak turk, e pastaj edhe në xhebehane, apo depo baruti. Për të arrirë në kohët tona si rrënojë e lumnueshme feje e atdhetarie, ku mund të hyjë e të lutet çdo njeri, në mënyrën e vet, pa u trazuar nga askush. Kjo asht Katedralja historike e shën Shtjefnit, ku ka shumë mundësi të jetë lutur edhe vetë Skënderbeu.

Gërmadhat e saj të lumnueshme, në të cilat u ruajtën deri vonë copëza afreskesh e, madje, deri një organo e vjetër, flasin vetë…

Kisha? Apo xhamia e Shën Shtjefnit!?

26/12/2015 14:05