2015-12-26 13:58:00

Kisha e Shën Shtjefnit në Blinisht dhe Martiri i saj


Sipas të dhënave historike të përmendura në relacionin e P. Gaspari-t (1671), që flasin për kishat e lashta në Shqipërinë Veriore, Shën Shtjefnit i qenë kushtuar 4 kisha: një në Shkodër, një në Zadrimë, një në Lezhë e një në Pult. Por me sa duket kishte edhe ndonjë tjetër…

E kemi fjalën për Kishën e Shën Shtjefnit në Blinisht.

Historia nuk na thotë asgjë rreth kësaj kishëze, të cilën e përmend i pari imzot Bizzi. Më pas përshkrimin e saj e gjejmë dhe te atë Gaspari, i cili shkruan: “... e ndërtuar me mure, e bërë me qemer, në gjendje të keqe, rrezikon t’i rrënohet shumë shpejt tavani dhe një pjesë e murit. Përmasat e saj janë 9 m. me 5,65; drejtimi i absidës, kthyer nga jug-lindja; nga pikturat kanë mbetur vetëm gjurmë; pullazi është me qemer, për gjatë mureve anësore janë katër zgavrra”. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se është ndërtuar njëherësh me kishat e tjera të këtij lloji në Shqipërinë e Veriut, si ajo e Shën Kollit në Kakarriq, e Shna Prendes në Balldrê dhe e Shën Gjinit në Mjedë.

Kjo kishë, sot krejt e braktisur, në shekullin XVIII ishte ende kishë famullitare e Blinishtit dhe e Gjadrit. Rreth Kishës ishte edhe varreza e vogël, ku u varros një martir feje, që i ngjet shumë Shën Shtjefnit. Është Zef Çeka i Gjadrit, i mbytur nga turqit pse nuk pranoi të ndërrojë fenë e krishterë, duke kaluar në islamizëm. Ç’përkim i bukur me Martirin e parë të krishterimit, që e mbytën me gurë, pse s’deshi ta mohojë Krishtin! E me sa e sa të tjerë, bashkëkohas tanë, që ecin në gjurmët e Shtjefnit në të katër anët e botës, më se dymijë vjet pas dëshmisë së tij, e para  në historinë e Kishës Katolike në fasha.

Për më shumë, shiko relacionet e Bizzit e të Gasparit 








All the contents on this site are copyrighted ©.