2015-12-24 15:13:00

Papa Françesku: Zoti bëhet i vogël, sepse është dashuruar me ne


Papa Françesku, në këtë Natë të madhe të Krishtlindjes të Vitit Shenjt të Mëshirës, u drejtoi të gjithëve një tweet, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë: “Zoti është dashuruar me ne. Bëhet i vogël, që të na ndihmojë t’i përgjigjemi dashurisë së Tij”.

Në orën 21.30 do të kremtojë Meshën e Natës së Krishtlindjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kremtimi eukaristik do të paraprihet  nga kënga tradicionale e Kalendës, që kumton Lindjen e Jezusit, Zot e qendër e historisë. Lutja e besimtarëve, si zakonisht, do të jetë në gjuhë të ndryshme. Në arabisht, lutja për barinjtë dhe ungjillëzuesit: “Të dashuruar me Fjalën e mishëruar të Zotit, kumtojmë me zemër të hapur të vërtetën”. Në frëngjisht, lutja për qeveritarët, që “të shndritur nga risia e Krishtlindjes, t’i shërbejnë dinjitetit të çdo njeriu dhe paqes së popujve”. Në gjuhën kineze, lutja për të varfërit dhe të fundmit e tokës që, “të ngushëlluar nga gëzimi i Betlehemit, të rigjejnë në Krishtin Fëmijë shpresë e forcë”. Së fundi, në aramajkshe, lutja u drejtohet njerëzve, që nuk besojnë dhe mëkatarëve që, “të prekur nga drita e së vërtetës, të përkojnë me Zotin në vepra e në mendime”.

Në solemnitetin e Krishtlindjes, nga Lozha qendrore e Bazilikës Vatikanase, duke nisur nga ora 12.00, Papa Françesku do të drejtojë mesazhin e  Krishtlindjes  dhe do të japë bekimin “Urbi et Orbi” – “Romës e Botës”.

Të shtunën, 26 dhjetor, në festën e Shën Shtjefnit, Martir i parë i krishterimit, Papa do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot në orën 12.00.

Të diel, më 27 dhjetor, në Festën e Familjes së Jezusit, Marisë e Jozefit,   do të kryesojë Meshën për familjet, në orën 10.00, në Bazilkën e Shën Pjetrit. Pastaj, në orën 12.00, do t’i prijë lutjes së Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios së tij private në Pallatin Apostolik.

Për kremtimet e Krishtilindjes, Radio Vatikani do të ofrojë edhe sivjet transmetimet e Meshës së Natës dhe Mesazhin “Urbi et Orbi” drejtpërdrejt në Yuo Tube dhe në Vatican player.








All the contents on this site are copyrighted ©.