2015-12-21 15:33:00

Papa punonjësve vatikanas: ju kërkoj ndjesë për shkandujt


Ju falënderoj për punën tuaj e ju kërkoj ndjesë për shkandujt në Vatikan:  kështu u shpreh Papa sot paradite, duke u takuar me punonjësit e Selisë së Shenjtë dhe të Governatoratit që, të shoqëruar nga familjarët, e mbushën përplot Sallën Palit VI. Ishin aty për të shkëmbyer urimet e Krishtlindjes, për t’i thënë, nga zemra, për shumë mot Papës Françesku, që tashmë e ka bërë traditë t’i presë  çdo vit në prag të festave të mëdha të dimrit.

Atmosferë gazmore, si kurdoherë atje ku ka familje e fëmijë. E edhe rast i mirë – siç u shpreh vetë Françesku - për shkëmbimin e urimeve:

“Para së gjithash dëshiroj t’ju falënderoj për punën tuaj, për angazhimin, përpjekjen për t’i bërë gjërat sa më mirë, edhe kur nuk ju vlerëson askush”.

Pastaj, një falënderim dalë nga zemra atërore e Papës, për shumë të pranishëm në sallë, që bëjnë të njëjtin tip pune, shpesh krejt të fshehur, të panjohur, e megjithatë, përpiqen ta bëjnë sa më mirë që munden:

“E dimë edhe se për ne, qeniet njerëzore, kjo nuk është aspak e lehtë. Nuk jemi makina - faleminderës Zotit - e nganjëherë kemi nevojë edhe për ndonjë nxitje, ose për të ndryshuar paksa atmosferën…”.

Papa e lavdëroi zellin e atyre, që janë krenarë kur i bëjnë mirë edhe gjërat më të rëndomta, që përsëriten pambarimisht. Të ecim përpara së bashku - i ftoi të gjithë - me durim, duke u përpjekur ta ndihmojmë sa të mundemi njëri-tjetrin:

“…e ndërsa ju falënderoj, dëshiroj edhe t’ju kërkoj ndjesë për shkandujt, që kanë ndodhur në Vatikan”.

Do të dëshiroja që, posaçërisht këto ditë, ashtu si unë, të luteni edhe ju: të luteni për njerëzit e ngatërruar në këto shkanduj, të luteni që, kush gaboi, të pendohet e të mund ta rigjejë rrugën e drejtë.

Dua t’ju them edhe një gjë tjetër, vijoi Papa, e kjo është më e rëndësishmja…:

“… ju inkurajoj të kujdeseni për martesën tuaj e për fëmijët tuaj. Kujdesuni, mos i lini pas dore: ndihmojini fëmijët, bijtë tuaj, eh!”.

Martesa është si bimë

“Nuk është si dollap, që ngulet aty, në një skaj të dhomës e mjafton ta shpluhurosësh nganjëherë. Bima është e gjallë, duhet ta kujdesësh ditë për ditë; duhet ta shikosh si është, ta vaditësh, e kështu me radhë. Për çast..”.

Martesa është jetë e gjallë

Jeta e çiftit nuk duhet lënë kurrë mbas dore, në asnjë fazë të rrugës së përbashkët të familjes.

E kjo, sepse dhurata më e çmuar për fëmijët, nuk janë sendet, por dashuria e prindërve:

“E nuk e kam fjalën vetëm për dashurinë e prindërve ndaj fëmijëve, por edhe, e sidomos, për dashurinë e prindërve ndaj njëri-tjetrit, domethënë për përsosjen e jetës bashkëshortore. Kjo ju bën shumë mirë ju e fëmijëve tuaj”.

Jubileu, theksoi Françesku, duhet jetuar edhe në kishën shtëpiake, e jo vetëm në ngjarjet e mëdha. Të mbështetemi, prandaj, mbi Mëshirën hyjnore: në marrëdhëniet e përditshme ndërmjet burrit e gruas, prindërve e fëmijëve, vëllezërve e motrave. E, sidomos, të kujdesemi për gjyshërit, që kanë rëndësi të madhe në familje:

“Gjyshërit kanë kujtesën, kanë urtinë. Mos i lini mënjanë gjyshërit, Janë tepër të rëndësishëm!”.

Së fundi, një këshillë atërore: ruajeni paqen në familje, sepse sherri është i zakonshëm në jetën e çiftit e ndërmjet vëllezërve:

“Bëtë luftë gjatë ditës, ‘luftë të nxehtë’? Mos lejoni që kjo luftë të bëhet ‘e ftohtë’ sepse ‘lufta e ftohtë’ e ditës që vjen pas, është më e rrezikshme se ‘lufta e nxehtë’. Kuptuat? Duhet të bësh paqe pa rënë muzgu, gjithnjë!”.

E, në përfundim, ngulmimi mbi tri shprehjet, që e përmbledhin krejt këtë takim të ngrohtë:

“Falënderim për punën tuaj, ndjesë për shkandujt, ecje përpara!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.