2015-12-21 13:03:00

Papa: 12 antibiotikët kundër sëmundjeve të Kuries, përpara me reforma


Pavarësisht se me grip, për shkak të të cilit u detyrua të flasë ulur e jo në këmbë, Papa Françesku u takua sot me punonjësit e Kuries Romake, për shkëmbimin tradicional të urimeve të Krishtlindjes. “Reforma – theksoi Ati i Shenjtë – do të ecë përpara me vendosmëri, qartësi e këmbëngulje”.

Nëse vitin e kaluar, Papa pati rreshtuar listën e “sëmundjeve kuriale”, patologji që “mund të prekin çdo të krishterë, çdo kurie, çdo bashkësi, kongregatë, famulli e lëvizje kishtare”, kësaj radhe, Ati i Shenjtë u nis nga fjala “misericordia” (mëshirë) për të bërë një listë tjetër, atë të “antibiotikëve”, që ndihmojnë shërimin. Por më parë, me vendosmëri, Françesku ngriti zërin edhe një herë kundër “sëmundjeve kuriale”:

“Disa nga këto sëmundje u shfaqën gjatë këtij viti, duke shkaktuar jo pak dhimbje në krejt trupin [e Kishës] e duke plagosur shumë shpirtra. Më duket e nevojshme të pohoj se ky ka qenë edhe do të jetë gjithmonë objekt reflektimi të sinqertë dhe masash vendimtare. Reforma do të ecë përpara me vendosmëri, qartësi e këmbëngulje, sepse ‘Ecclesia semper reformanda’(Kisha duhet të reformohet gjithmonë)”.

Tani, u tha pastaj Papa duke qeshur të pranishmëve, duhet t’iu flas për “antibiotikët kurialë”. Ati i Shenjtë lavdëroi punën e atyre, që përkushtohen me gjithë shpirt në shërbimin ndaj Papës e Kishës, me ndjenjën e përgjegjësisë e pavarësisht nga shkandujt. Papa Bergoglio përsëriti fjalët e themeluesit të jezuitëve, Shën Injacit të Lojolës, duke nënvizuar se:

“Është karakteristikë e shpirtit të keq të sëmbojë, të trishtojë, të vështirësojë e të shqetësojë për arsye të rreme, për të penguar ecjen përpara; ndërkaq, është karakteristikë e shpirtit të mirë të japë guxim dhe energji, ngushëllime e lot, frymëzim e qetësi, duke e pakësuar e zhdukur çdo vështirësi, për të ecur përpara në rrugën e së mirës”.

Sëmundjet e Kuries, vazhdoi Papa, janë edhe rast për t’u kthyer tek thelbësorja, për ta kuptuar kush jemi, ç’marrëdhënie kemi me Zotin e me të tjerët. Është rast për ripërtëritje. E kjo është mëse e nevojshme tani, që filloi Viti Jubilar i Mëshirës, i cili na fton të mendojmë për mirënjohjen, ndryshimin e brendshëm, risimin, pendesën e pajtimin. E në prag të Krishtlindjes, Papa theksoi:

“Krishtlindja është festa e Mëshirës pa fund të Zotit. Thotë shën Augustini i Iponës:’A mund të kishte mëshirë më të madhe ndaj nesh, të palumëve, se sa ajo, që e nxiti Krijuesin e qiellit të zbresë nga qielli dhe Krijuesin e tokës të mishërohet në një korp të vdekshëm? Po ajo mëshirë e nxiti Zotin e botës të vishet me natyrën e shërbëtorit, në mënyrë që, megjithëse [Ai vetë] bukë, të kishte uri, megjithëse ujë i gjallë, të kishte etje, megjithëse pushteti vetë, të bëhej i brishtë, megjithëse shëlbimi, të plagosej, megjithëse vetë jeta, të vdiste. Dhe e gjithë kjo, për të shuar urinë tonë, për të pakësuar etjen tonë, për të mposhtur brishtësinë tonë, për të zhdukur ligësinë tonë, për të ndezur bamirësinë e dashurinë tonë’”.

E pastaj, katalogu i virtyteve të nevojshme për të gjithë ata, që shërbejnë në Kurie, pikërisht për ta jetuar sa më mirë Jubileun e Mëshirës. Papa u nis nga 12 shkronjat e fjalës “mëshirë” (misericordia) në italisht, duke gjetur 12 togfjalëshe, që fillojnë me secilën prej shkronjave e që përshkruajnë fare mirë këto virtyte. Të jeni misionarë  e barinj, të përpiqeni për të fituar të gjitha aftësitë për punën e kërkuar e t’i përballoni problemet me mendjemprehtësi, të jeni të përshpirtshëm e njerëzorë, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili e ngriti zërin edhe kundër “rekomandimeve dhe ryshfetit”. Duke përdorur fjalët e Papës Pali VI, Papa Françesku u bëri thirrje punonjësve të Kuries të jenë shembullorë e besnikë:

“Shembullorë, për të shmangur shkandujt, që i plagosin shpirtrat dhe e kërcënojnë besueshmërinë e dëshmisë sonë. Besnikë ndaj shugurimit, ndaj thirrjes, duke kujtuar gjithnjë fjalët e Krishtit: ‘Kush është besnik në gjërat e vogla, është besnik edhe në gjërat e mëdha; dhe kush është i padrejtë në të voglat, është i padrejtë edhe në të mëdhatë” (Lk 16,10) e ‘Ai që do të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve, që besojnë në mua, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në thellësitë e detit. Mjerë bota për shkandujt! Shkandujt janë të pashmagshëm, por mjerë ai njeri, për faj të të cilit do të vijë shkandulli!’(Mt 18,6-7)”.

Virtyte të njerëzve të Kuries, vijoi Papa Françesku, duhet të jenë edhe racionaliteti e dashamirësia, paaftësia për të bërë keq e vendosmëria, dashuria dhe vërtetësia, por edhe ndershmëria. Ndershmëri, theksoi Ati i Shenjtë, do të thotë të ndjekësh rrugën e drejtë, të jesh koherent e të veprosh me sinqeritet absolut para ndërgjegjes e para Zotit. Njeriu i ndershëm nuk vepron drejt vetëm kur është i pranishëm mbikqyrësi apo eprori, nuk ka frikë se mos kapet në gabim papritmas, sepse nuk e gënjen atë, që i beson:

“Njeriu i ndershëm nuk dominon kurrë mbi njerëzit apo gjërat, që i janë besuar për t’u administruar, siç bën shërbëtori i lig. Ndershmëria është baza mbi të cilën mbështeten të gjitha cilësitë e tjera. Pjekuria është përpjekja për të arritur harmonizimin e aftësive tona fizike, psikike e shpirtërore. Ajo është horizonti dhe rezultati i një procesi zhvillimi, që nuk mbaron kurrë e nuk varet nga mosha”.

Ati i Shenjtë u kërkoi punonjësve të Kuries t’i shmangin teprimet emotive, duke pëdorur arsyen, por edhe dashamirësinë, për të mos rënë pre e burokracisë dhe e programimeve e planifikimeve. Françesku u sugjeroi edhe të jenë të kujdesshëm kur u duhet të gjykojnë, të mos nguten e të mos veprojnë impulsivisht, por t’i kuptojnë mirë situatat e të mos u bëjnë të tjerëve atë, që nuk duan ta pësojnë për vete. Edhe vendosmëria, në listën e virtyteve të Papës, sipas të cilit, ajo duhet vënë në jetë, duke iu bindur Zotit e duke pasur si ligj të epërm shpëtimin e shpirtrave. E pastaj, respekti e përvuajtëria, guximi e gatishmëria, ndjenja e detyrës e besnikëria. Në fund të listës “vetëpërmbajtja”, por jo më pak e rëndësishme se të tjerat, nënvizoi Papa Françesku:

“Është aftësia për të hequr dorë nga gjërat e tepërta e të panevojshme, për t’i rezistuar logjikës konsumiste mbizotëruese. Vetëpërmbajtja është kujdes, thjeshtësi, ekuilibër, përkorje, do të thotë t’i kushtosh rëndësi vetëm thelbit. Vetëpërmbajtje do të thotë ta shohësh botën me sytë e Zotit, me sytë e të varfërve dhe nga ana e të varfërve. Vetëpërmbajtja është stil jete, që dëshmon për primatin e tjetrit si parim hierarkik dhe e orienton jetën kah kujdesi e shërbimi për të tjerët. Ai që vetëpërmbahet është njeri koherent dhe i thjeshtë në gjithçka, sepse di të pakësojë, të ripërdorë, të riciklojë, të riparojë e të jetojë me masë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.