2015-12-18 16:10:00

Papa Françesku hap sot Portën Shenjte në Strehën e Karitasit të Romës


Papa Françesku do të hapë pas pak, Portën Shenjte në Strehën e Karitasit të Romës për të varfërit, e cila mban emrin e ish-drejtorit të këtij Karitasi, don Luigji Di Liegro. Kujtojmë se don Di Liegro ka qenë ndër të parët, që ka ardhur në Shqipëri, në ndihmë të popullsisë shqiptare pas komunizmit. Ai ka kontribuar në themelimin e Karitasit Shqiptar dhe të Karitasit të Tiranës në veçanti, me të cilin Roma ka bashkëpunuar për vite me radhë.

         Ati i Shenjtë e fillon kremtimin në sheshin përballë Strehës, që është vetëm njëra nga dy qendrat e Karitasit pranë Stacionit Qendror hekurudhor të Romës. Tjetra është mensa “Shën Gjon Pali II”. Nga sheshi, Papa Françesku niset në procesion së bashku me katër nga të varfërit, që strehohen në këtë qendër, të cilët mbajnë Kryqin, Mesharin dhe shandanët e meshës. Bashkë me ta, Papa kremton ritin dhe më pas, hap Portën Shenjte të Strehës “Don Luigji Di Liegro” për të varfërit romakë. Brenda strukturës, Papa kremton meshën, në të cilën pati porositur të marrin pjesë vetëm rreth 200 të strehuarit në qendër, vullnetarët e veprimtarët e saj e të qendrave të tjera të Karitasit, por askush nga politikanët e Romës. Jashtë qendrës, rreth 500 vetë të tjerë ndjekin kremtimin liturgjik.

         Ndër litanitë e kënduara gjatë procesionit, lutja drejtuar shenjtorëve të rëndësishëm për vetë qytetin e Romës. Ndër ta, shën Filip Neri, shën Fabiola, së cilës i kushtohet kapela e Strehës “Don Luigji Di Liegro”, shën Xhaçinta, së cilës i kushtohet Qyteza e Bamirësisë në Ponte Casilino, shën Damiani i Molokait, të cilit i kushtohet kapela e “Shtëpisë-familje për të sëmurët nga Sida” në Villa Glori, shën Gjon Pali II, si edhe martiri i drejtësisë, i Lumi Oscar Romero e tashmë, shenjtja e madhe shqiptare, Nënë Tereza. Leximet liturgjike do të bëhen nga të strehuarit në Qendrat e Karitasit e po kështu, edhe lutjet e besimtarëve janë përgatitur nga një nënë e re, nga qendra “Shtëpia e Kristianit” për familjet në vështirësi e me fëmijë; nga një azilkërkuese e qendrës “Ferrhotel”, nga një person i Qendrës së rrugës Marsala, nga një vullnetare dhe nga një koordinator.

         Ja ç’na tha drejtori i Karitasit të Romës, imzot Enrico Feroci:

         “Ne e kishim parashikuar hapjen e strehës dhe të mensës në vjeshtën e këtij viti. Papa Françesku na befasoi, sepse shpalli Jubileun e Mëshirës e na tha se do të hapë Portën Shenjte edhe në këtë Qendër”.

         Pas kësaj Porte, mensa ku ushqehen të paktën 500 vetë në ditë, nga ora 17.30 deri në orën 20.30. Përsëri, imzot Feroci:

         “Kemi menduar t’i ofrojmë qytetit të Romës e sidomos të varfërve të tij, një vend ku të mund të flenë e të hanë. Gjatë këtij Jubileu, ai është kthyer në vend, ku shërbehen të varfërit, sepse në të varfërin duhet të dimë të shohim fytyrën e Krishtit. Prandaj, ky është vendi ku takojmë Zotin përmes të varfërve”.

         Qendra është themeluar në vitin 1987 nga drejtori i atëhershëm i Karitasit, don Luigji Di Liegro. Tani, shumë gjëra kanë ndryshuar. Në pjesën e zënë nga mensa, ka edhe një qendër ditore, me një sallë video e kompiutera, me laboratore e qendra dëgjimi për integrimin shoqëror, të njerëzve, që trokasin në këtë derë. Në të djathtë, fjetorja me 200 vende, ku të pastrehët mund të qëndrojnë deri në tre muaj. Në strukturë nuk mungon natyrisht, kapela, e mobiluar nga Shtëpia Papnore. Kjo është qendra më e madhe italiane e administruar nga Karitasi e fjalët sipër derës së mensës e shpjegojnë më së miri qëllimin e saj: “Ai qytet, ku njeriu vuan më pak, është qyteti më i mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.