2015-12-14 11:10:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni V: Skena III


 Çka na hoqi Eva e palume…Ti na e kthen në Birin tënd...

Hyjmë në kornizën e skenës së tretë të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Shikojmë nga afër çka ndodhi pas tragjedisë së mëkatit. Shohim Zotin, që reagon me një hov mëshire, për të cilën vetëm ai është i aftë. E edhe atë, që provoi e që vendosi, në çastin kur njeriu e shëmtoi  krijimin, që kishte dalë aq i bukur nga duart e Tij. Para syve tanë, Hyji reagon. E dëgjojmë fjalën e Tij, që i  drejtohet gjarprit: “Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj. Fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh thembrën” (Zan 3,15).

Këto fjalë të mrekullueshme të Hyjit jehojnë rishtas në kumtin, që i solli  Kryeengjëlli Gabriel Marisë. Dëgjojmë zërin e Engjëllit “Të falem Hirplote! E “po”-në e përvuajtur të Vashës. E ndjejmë sesi në në këtë çast, këputen hallkat e zinxhirit të ‘jo’-ve tona. Në përvujtërinë e Marisë, Hyji gjen Portën për të hyrë rishtas në historinë, nga e cila fodullëku ynë  provoi ta përjashtonte.

Skena e Portës së Shenjtë, në kornizën e së cilës kemi hyrë e po shikojmë,  është tejet delikate: Maria i ka sytë të mbyllur, për të shprehur besim e lëshim të plotë në krahët e Hyjit, ndërsa Engjëlli, me çap të pandjeshëm, duket sikur i rikthen historisë njerëzore bukurinë e zanafillës.

Çast emocioni të thellë! Shën Bernardi, në shekullin XII, duke pasur parasysh, si ne në këtë çast, skenën, i drejtohet Marisë me fjalët: “O Mari, Engjëlli po pret gjegjen tënde. Po e presim edhe ne, o Zojë, këtë dhuratë, që vjen prej teje. Dhuratë e Hyjit. Në dorë tënde është barra e shpërblimit tonë. Përgjigju shpejt, o Virgjër! Shqiptoje, o Zojë, fjalën që e presim aq shumë. Që e presin padurim qielli e toka e deri skëterra!”.

E e dëgjojmë zërin melodioz të Marisë, që thotë: “Ja, jam shërbëtorja e Hyjit. U bëftë mbi mua sipas fjalës sate” (Lk 1,38).

Duke e dëgjuar këtë “po”, rikujtojmë se me të nis historia e rikthimit të njerëzimit tek Zoti: histori ende në zhvillim, në të cilën edhe ne jemi të pranishëm, kështu si sot, në kornizën e Portës Shenjte, prej nga dalim, për të hyrë rishtas nesër, në skenën e katërt, duke shoqëruar Kryeengjëllin Gabriel …E duke u lutur:

O Mari,

Historia e njerëzimit

është përplot me “jo”,

që lidhin fryte të hidhura

urrejtjeje e padretësie,

rivaliteti e dhune.

Ti e këpute

zinxhirin e ‘jo’-ve tona:

duam të të ndjekim,

për të rikthyer gëzimin

e njeriut që ndjek Zotin

me zemër të butë

të pastër, të përvujtë e gazmore.

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.