2015-12-10 12:12:00

“Jepja o Zot, pushimin e pasosur”: salikimet e fundit për imzot Rrok Mirditën


Besimtarët katolikë, Tirana dhe e gjithë Shqipëria i dhanë sot lamtumirën e fundit, kryeipeshkvit metropolit, imzot Rrok Mirditës, i cili u nda nga kjo jetë më 7 dhjetor, pas një sëmundjeje të rëndë. Dhimbja, por edhe mirënjohja për rrugën e bërë së bashku, qenë ndjenjat me të cilat, besimtarët e kleri shoqëruan trupin pa jetë për në banesën e tij të mbrame, në kriptën e katedrales së Shën Palit në Tiranë.

         “Të rroni e ta kujtoni”, janë fjalët e zakonshme ngushëlluese të popullit shqiptar. Vërtet, shqiptarët do ta kujtojnë ipeshkvin si bariun e parë pas komunizmit, që e drejtoi Kishën e rilindur në rrugën e përtëritjes e të zhvillimit; do ta kujtojnë për kontributin e dhënë në harmoninë fetare, siç tha edhe presidenti i Republikës, Nishani, gjatë homazheve; do të kujtojnë se shërbimi i tij nisi me shën Gjon Palin II e përfundoi me Papën Françesku, që deshi, edhe ai, të vijë në Shqipëri; do të kujtojnë kishat e strukturat e ndërtuara gjatë këtyre viteve, duke filluar nga katedralja, por sidomos, rrjetin njerëzor që krijoi rreth vetes, për të cilin e konsideronte veten me fat, sepse Hyji i kishte dhënë në dorë kujdesin për shpirtra njerëzish të martirizuar, që Hyjin ua kishin mohuar… Natyrisht, Zoti do të kishte ardhur sërish në Shqipëri edhe pa imzot Mirditën, por zgjodhi pikërisht atë, për ta shoqëruar vendin në rrugën e dashurisë së krishterë e të fesë, duke e bërë kështu, edhe bashkësinë katolike të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, së bashku me gjithë besimtarët shqiptarë, pjesë e Popullit të vet. Tani, ky popull do të ketë edhe një zë tjetër, që i lutet Atit Qiellor për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.