2015-12-10 10:45:00

Sot, në Vatikan e në Kishën universale


Në Vatikan sot u mbajt takimi i 12-të i Këshillit të Nëntë Kardinajve. Kujtojmë se takimet e mëparshme të këtij Këshilli u mbajtën më 1-3 tetor 2013; 3-5 dhjetor 2013, 17-19 shkurt 2014, 27-30 prill 2014, 1-4 korrik 2014, 15-17 shtator 2014, 9-11 dhjetor 2014, 9-11 shkurt 2015, 13-15 mars 2015, 8-10 qershor 2015 e 14-16 shtatorin e kaluar. Gjithnjë në praninë e Papës, në përpjekjen për vijimin e reformës së Kuries Romake e të vetë Kishës Katolike.

Sot, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u ndoq konferenca me gazetarët, për paraqitjen e dokumentit të ri të Komisionit për marrëdhëniet fetare me hebraizmin. Titulli i dokumentit: “Pse dhurata dhe thirrja e Zotit janë të paprapsueshme. (Rom 11,29). Reflektime mbi çështje teologjike lidhur me marrëdhëniet katoliko-hebraike me rastin e 50 vjetorit të ‘Nostra aetate’”. Folën kardinali Kurt Koch, kryetar i Komisionit për marrëdhëniet me hebraizmin, Rabini David Rosen dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm nga të dyja palët.

Dokumenti nis me një histori të shkurtër, që vë theksin mbi ndikimin e “Nostra aetate” gjatë 50 vjetëve të fundit, vijon me statusin e veçantë teologjik të dialogut hebraiko-katolik, me zbulesën në histori, si Fjalë e Zotit në hebraizëm e në katolicizëm. Sintetizohen, më pas, lidhjet ndërmjet Testamentit të Vjetër e të Ri, ndërmjet Besës së Vjetër e asaj të Re, për të vijuar me universalitetin e Jezu Krishtit dhe Besëlidhjen e përhershme të Hyjit me Izraelin. Dokumenti përfundon me mandatin ungjillëzues të Kishës në lidhje me hebraizmin dhe me objektivat e dialogut ndërmjet katolicizmit dhe hebraizmit.

Në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, sot, pranë Sallës Marconi të Radio Vatikanit  u mbajt një konferencë shtypi për paraqitjen e fushatës “Ta vëmë Mëshirën në lëvizje. Nismë  e re e edukimit global”. Organizohet nga Shërbimi i jezuitëve për refugjatët, në favor të fëmijëve e të të rinjve refugjatë, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Nisma u shpall më 8 dhjetor, nësa hapej Porta Shenjte.

Romë: Pranë Shoqatës së shtypit të jashtëm italian, u mbajt konferenca e shtypit kushtuar atë Jacques Mourad, rregulltar i rrëmbyer në Siri nga Shteti Islamik më 21 maj e pastaj liruar më 10 tetorin e kaluar. Gjatë takimit, organizuar nga Lëvizja Ndihmë për Kishën që Vuan, u fol kryesisht për situatën tragjike të të krishterëve në Siri e Irak, parë me syrin e rregulltarit, që i jetoi drejtpërdrejt ngjarjet tragjike në këto vende të kërcënuara vazhdimisht nga Isis e pothuajse të zbrazura nga katolikët.  

Po në Romë, u përurua Streha kushtuar Don Luigi Di Liegro-s, dhe  mensa Gjon Pali II, struktura të Karitasit Dioqezan të Romës. Përurimin e kryesoi kardinali Agostino Vallini. Gjatë kremtimit, u zbulua vepra “Porta Shenjte e bamirësisë”, vepër e artistit atë Marco Ivan Rupnik.

Emri i don Luigi Di Liegro-s, ish Drejtor i Karitasit të Romës, është shumë i njohur edhe nga shqiptarët. Meshtar i bindur i Krishtit, burrë i ditur, gjakftohtë e me përvojë të madhe në veprimtarinë bamirëse, ai dha ndihmesën e vet të shquar për rimëkëmbjen e  Shqipërisë, me parimin e vetveprimit, duke i mësuar shqiptarët e rraskapitur e të varfëruar  shpirtërisht dhe materialisht, t’i merrnin vetë në dorë fatet e veta, larg asistencializmit, që edukon parazitë, pa të ardhme. Për shqiptarët mendoi deri në vdekje.

Kujtojmë, ndërkaq, se më 18 dhjetor Françesku do të bëjë një gjest simbolik, duke hapur Portën e Mëshirës në strehën e Karitasit romak Don Luigi di Liegro, në rrugën Marsala. Ky do të jetë gjesti i parë, me të cilin Papa do të nisë shenjat, që dëshiron të japë një të premte në muaj, si shprehje konkrete e veprave të mëshirës.

Milano: Pranë muzeut dioqezan u organizua Konferenca e shtypit për paraqitjen e Jubileut të Mëshirës për kryedioqezën e Italisë veriore, njëra nga më të mëdhatë e Kishës katolike. Fjalimin kryesor e mbajti kryeipeshkvi, kardinali Angelo Scola.

Në Erbil të Irakut u përurua Universiteti katolik. Guri i parë i themelit të  shkollës së lartë, qe vënë në Akkawa, lagje e Erbilit, kryeqytet i Kurdistanit irakian, më 29 tetor 2012. Tani Universiteti është në dispozicion të Kishës kaldease, si shenjë shprese për ardhmërinë e një vendi, që vijon të përballojë një nga konfliktet më të rënda të shekullit në Lindjen e Mesme.

Në Tokën Shenjte nisën, me një bekim të drejtpërdrejt, transmetimet e “Radio Mariam” – Radio Marisë. Radioja e re, në gjuhën arabe, u kushtohet bashkësive të krishtera të kësaj gjuhe në mbarë botën. Është dhuratë, që synon t’i përcjellë ngushëllim e bashkim kishave të krishtera  të persekutuara në vende ku vijon lufta si Iraku e Siria, por edhe simbol i ri i paqes e i pajtimit ndërmjet bashkësive të ndryshme në të gjithë zonën e Lindjes së Mesme.

U kremtua sot Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, themeluar nga OKB-ja. Me këtë rast organizata dorëzoi çmimin për të drejtat e njeriut 2015. Ky çmim, i dhënë për herë të parë në vitin 1968, me rastin e 20-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, u dorëzohet çdo pesë vjet njerëzve ose organizatave, që dallohen për suksese të veçanta në këtë fushë. Vlerësimin e bën një komision i posaçëm, i përbërë nga personalitete të shquara të shteteve anëtare dhe institucioneve të OKB-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.