2015-12-09 15:57:00

Fiat lux: bukuria e Krijimit projektuar në fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit


Ai pëllumb i bardhë mbi kupolën e Shën Pjetrit, peshqit blu që mbushën fasadën, duke e shndërruar në një lloj akuariumi Bazilikën kushtuar Apostullit, pastaj pylli me korale e qindra qirinjtë e kuq, që u ndezën njëri pas tjetrit, do t’u mbeten gjatë në mendje njerëzve të pranishëm mbrëmë, nga ora 19.00 deri në orën 21.00, në Sheshin e Shën Pjetrit për të parë shfaqjen “Fiat lux: të ndriçojmë shtëpinë tonë të përbashkët”. Paradite, hapja e Portës Shenjte e fillimi i Jubileut të Mëshirës; pasdite, nderimi për Zojën e Papërlyer në sheshin e Spanjës e në mbrëmje, krishterimi mbarë meditoi, në një mënyrë krejtësisht origjinale, për Gjithësinë e krijuar nga Zoti.

         Efekte të jashtëzakonshme për njerëzit e zhytur në errësirë, që shijonin dritat e tingujt e natyrës, në një spektakël, gjatë të cilit zëvendësonin njëra-tjetrën pamje dhe video nga bukuritë e kësaj bote. Fotografi e video artistësh të mëdhenj ndërkombëtarë, frymëzuar nga temat e Enciklikës së Papës Françesku “Lëvduar qofsh”. Shpërthimi i boçeve të luleve, rrjedhja e ujit, kafshët e popujt e pastaj, qytetet e mëdha, lagjet plot baraka, fshatrat më të largëta të planetit, i lanë të pranishmit me kryet përpjetë dhe me sytë e ngulur mbi fasadë, ndërsa ndiqnin me sy, por më shumë ndjenin në shpirt fërfëllimën e krahëve të atij pëllumbi, që i nxiste të meditonin mbi bukuritë e natyrës, shkatërruar dalëngadalë nga dora e njeriut, por edhe mbi Shpirtin e Zotit Krijues, që e fton njeriun ta ndalë atë dorë e të mos e përdorë Gjithësinë si të ishte prona e vet. Kujtesë e thirrje, edhe për Konferencën mbi ndryshimet e klimës në Paris.








All the contents on this site are copyrighted ©.