2015-12-04 12:18:00

Papa: të ripohohet roli i gruas në familje e në punë


Është e nevojshme “të afirmohet roli i pazëvendësueshëm i gruas në familje e në edukimin e fëmijëve, si edhe kontributi thelbësor i grave punëtore në ngritjen e strukturave ekonomike e politike plot humanitet”: kështu pohon Papa Françesku në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Seminarit ndërkombëtar të organizuar në Romë nga Këshilli Papnor i Laikëve, me temë “Gratë dhe puna”. Ati i Shenjtë fton të gjenden rrugë të reja për harmonizimin e impenjimeve familjare dhe punës.

         “Sot – pohohet në një komunikatë të dikasterit – është e nevojshme t’i njihet gruas roli i dyfishtë, që mbulon në jetën publike, për ngritjen e strukturave më të pasura me humanitet, por edhe në jetën familjare, për mirëqënien e vetë familjes e për edukimin e fëmijëve”. Qëllimi i simpoziumit, nënvizohet në komunikatë, do të jetë edhe analizimi i rrugëve të mundshme për të dalë nga problematika, me të cilën përballen gratë, që, shpesh, detyrohen nga punëdhënësit të zgjedhin o punën, o familjen e fëmijët. Kjo ndodh sidomos, në çastin që mbeten shtatzanë, pra pikërisht kur kanë më tepër nevojë për mbështetje. Gjithashtu, shpesh pagesa e grave është më e ulët se ajo e burrave, për të njëjtën punë. Dikasteri kërkon ide për mënyrën e nxjerrjes në dritë të shërbimit të pazëvendësueshëm, që vetëm gjenia femërore mund t’i bëjë njerëzimit, me mirërritjen e çdo individi dhe për ndërtimin e shoqërisë.

         U mbushën tashmë 20 vjet nga publikimi i “Letrës drejtuar grave” shkruar nga shën Gjon Pali II, në të cilën Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e Kishës për gratë e impenjuara në veprimtari profesionale. “Të falënderoj, o grua që punon!... për kontributin e pazëvendësueshëm që jep … në ndërtimin e strukturave ekonomike e politike më të pasura me humanitet”, shkruante Papa polak.

         Në seminar diskutohet edhe për teorinë “gender” (gjinore) dhe për paradokset e saj. Në të marrin pjesë relatorë me autoritet nga nëntë vende. 








All the contents on this site are copyrighted ©.